A është duke shkuar Bitcoin-i drejt dështimit?

  • 11 December 2017 - 19:11
A është duke shkuar Bitcoin-i drejt dështimit?

ENIGMA E VALUTËS VIRTUALE 

Kjo është një risi që do ta shpëtojë sojin njerëzor nga tirania e bankave të korruptuara 

Nuk mund ta prekni, as t'i merrni erë, e ta shihni. Askush nuk e posedon e as nuk e kontrollon. Askush nuk e rregullon. Megjithatë, Bitcoin, valuta më e çmendur në botë, thuhet të vlejë tani rreth 200 miliardë funte, gjë që është shumë më shumë sesa vlera e bankës më të madhe britanike, HSBC. Gjatë disa ditëve të kaluara, çmimi i një Bitcoini u rrit duke arritur vlera të reja, të larta, prej rreth 20,000 dollarësh për copë, para se vlera e tij të binte përsëri në rreth 15,000 dollarë. Krijuesi misterioz i kësaj valute thuhet të ketë bërë një pasuri prej 15 miliardë dollarësh. Për ata që e pëlqejnë, kjo është një risi e cila do ta shpëtojë sojin njerëzor nga tirania e bankave të korruptuara. Për kritikët, kemi të bëjmë me një dukuri të ngjashme me atë të shekullit XVII, "Tulip Mania", që paraqet rrezik tmerrësisht të madh për sistemin financiar. Për shumicën prej nesh, Bitcoini është një enigmë e madhe. Ja gjithçka që keni dashur të dini rreth Bitcoin-it, por nuk keni guxuar të pyetni. 

Shumica e poseduesve të Bitcoin-ëve kanë një kuletë online

Kemi të bëjmë me një valutë virtuale, pa bankënota dhe pa monedha. Në vend të kësaj, ju merrni një kredi fillestare për Bitcoin-ët tuaj në një 'libër' të madh online, i cili ka një adresë që identifikohet nga një seri shifrash dhe shkronjash. Në praktikë, shumica e poseduesve të Bitcoin-ëve kanë një kuletë online, e cila funksionon sikur një kuletë e vërtetë, ashtu që mund ta hapni në kompjuterin tuaj, apo në smartphone, duke parë se sa 'para' keni. Këto kuleta janë të mbrojtura me pasuorde dhe me kode të autentifikimit. 

Kush e krijoi Bitcoinin dhe, si?

Bitcoinët krijohen nga "minatorët". Ky duket një emër i çuditshëm, por nuk është analogji e keqe, meqë ethet aktuale për Bitcoin janë paksa të ngjashme me ethet e arit në Kaliforni, në vitin 1849. Kur e krijoi këtë valutë virtuale, autori i saj vendosi që të ekzistojnë vetëm 21 milionë bitcoin. Minatorët 'gërmojnë' dhe gjejnë bitcoinët duke përdorë kompjuterët e tyre për të zgjidhur detyra matematikore të vështira. Sa herë që kompjuteri i tyre del me një përgjigje të saktë, ata fitojnë nga një Bitcoin. Deri më tani janë 'gërmuar' më shumë se 16 milionë bitcoin dhe detyrat tani janë duke u bërë gjithnjë e më të vështira. 

Nëse jam i mirë në matematikë, a mund të bëhem minator i Bitcoinit?

Jo, përpos nëse nuk jeni edhe një mjeshtër i vërtetë i funksionimit të kompjuterit. Nëse doni të keni bitcoin, atëherë shkoni te një broker special, apo te një këmbimore Bitcoin i cili ua formon një kuletë virtuale. Më pas e dërgoni një mesazh dhe një email, për të konfirmuar se jeni ju. Më pas e lidhni atë me llogarinë tuaj bankare. Në teori, kjo gjë është e thjeshtë, por përdoruesit thonë se, në praktikë, ajo mund të bëhet e mërzitshme. 

A mund të paguaj në restorante dhe dyqane me Bitcoin?

Në teori, po, edhe pse shumë kompani nuk i pranojë bitcoinët. "Steam", dyqani më i madh botëror i video lojërave, disa ditë më parë pushoi së pranuari bitcoinët si mjete pagimi, për shkak të tarifave të larta dhe paqëndrueshmërisë. 

Kush është mendja e ndritur që qëndron prapa Bitcoinit?

Kjo është një pyetje prej 15 miliardë dollarësh. Identiteti i personit i cili krijoi këtë koncept, në vitin 2008, mbetet një sekret i madh. Shpikësi i bitcoinit paraqitet me pseudonimin Satoshi Nakamoto dhe thotë se është burrë japonez, 42 vjeçar. Por, mosha dhe përkatësia e vërtetë nacionale e Nakamoto-s nuk janë të njohura. Ka mundësi që të kemi të bëjmë me një grup individësh. Hermann Hauser, njëri ndër sipërmarrësit më të njohur teknologjikë britanikë, thotë këtë në lidhje me bitcoinin: "Do t'i inkurajoja njerëzit që t'i qasen Bitcoinit saktësisht sikur i qasen lotarisë. Është sikur rrota e ruletit". Me fjalë të tjera, nëse keni para, të cilat edhe nëse i humbni, nuk 'bëhet nami', atëherë pse jo? Përndryshe, përgjigja është "jo". Sa më larg bitcoinit. 

(Kosova Sot)