Ilir Meta: Gjykata e pastron Kosovën – ka akuza të rënda ndaj udhëheqësve të UÇK-së

  • 31 July 2015 - 21:05
Ilir Meta: Gjykata e pastron Kosovën – ka akuza të rënda ndaj udhëheqësve të UÇK-së

Kryetari i LSI-së dhe kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta në një intervistë në Vizion Plus është pyetur edhe për çështjet e Kosovës me theks të veçantë tek Gjykata Speciale.

Ai tha se themelimi i kësaj gjykate krijon mundësinë që Kosova të pastroj imazhin e saj nga shumë akuza të bëra nga institucionet ndërkombëtare. Më pas ai e vlerëson si proces të pashmangshëm themelimin e kësaj Gjykate Speciale, transmeton Indeksonline.

Më poshtë keni të ndara nga një intervistë e gjatë, pyetjet që lidhen me Kosovën.

Le të hapim një kapitull me disa pyetje nga Shqipëria dhe rajoni, z. Meta. Së pari në Kosovë. Një nga çështjet kryesore të politikës aktuale të ditës në Kosovë është ngritja e Gjykatës Speciale natyrisht nën cytjen, nën ndikimin dhe nën vullnetin e faktorit ndërkombëtar që është aq prezent në Kosovë. Ky është një proces që dihet që ka kaluar me shumë vështirësi, dihet që nuk po kalon lehtë. Ju si besoni: Gjykata Speciale në Kosovë do të ngrihet? A ka ajo ndonjë ndikim për të cilin klasa politike, qoftë forcat politike në pushtet apo në opozitë do t’u duhej t’i druheshin ngritjes së kësaj Gjykate Speciale?

Mendoj se ngritja e saj natyrisht që krijon mundësinë për të pastruar imazhin e Kosovës nga shumë akuza të bëra edhe në institucione ndërkombëtare, por sigurisht që nuk mund të themi se është diçka pozitive po të kemi parasysh se lufta në Kosovë ka përfunduar prej 16 vitesh dhe kjo natyrisht që do të ishte vërtet një sfidë për të shikuar vetëm nga e ardhmja. Megjithatë është një proces i pashmangshëm dhe duke qenë një proces i tillë, është mjaft e rëndësishme që klasa politike kosovare të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë, edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Çfarë keni parasysh kur thoni se do të ishte diçka që nuk do të ishte pozitive? Në ç’kuptim nuk do të ishte pozitive?

Ne e dimë se mjaft akuza janë bërë për udhëheqës të Kosovës, të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Mjaft procese janë bërë dhe një pjesë e madhe e tyre kanë dalë të pafajshëm. Natyrisht që mbajtja gjallë e këtyre çështjeve nuk besoj se është diçka pozitive. Por duket që kjo është diçka e pashmangshme dhe në këto kushte është e rëndësishme që të bashkëpunohet me partnerët ndërkombëtarë për të ecur përpara drejt këtij procesi në mënyrë sa më dinjitoze.

A jeni i kënaqur ju Z. Meta me bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kam parasysh sidomos në planin ekonomik. Përtej deklaratave me tone patriotike, me tone të hapjes së çlirimit të barrierave, të kufijve që kanë ekzistuar mes dy anëve të kufirit në 25 vite?

Mendoj se kohët e fundit ka një progres të ndjeshëm dhe do të vlerësoja edhe angazhimin e dy qeverive, por sidomos angazhimin e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, i cili po jep një shembull të shkëlqyer të përqendrimit tek bashkëpunimi ekonomik, qoftë edhe për çështje të cilat mund të duken shumë të parëndësishme, por që ndihmojnë qoftë edhe një fshat të vetëm, qoftë edhe dy fshatra ndërkufitarë, si në rastin konkret. Ka një rritje të ndjeshme në vitin e fundit të volumit të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe besoj në një dinamikë gjithnjë e më pozitive