Zgjedhje parlamentare në pranverë, ose në verën e vitit 2018

  • 02 January 2018 - 09:58
Zgjedhje parlamentare në pranverë, ose në verën e vitit 2018

Zgjedhje parlamentare në pranverë, ose në verën e vitit 2018

"Do të duhej të kishte edhe marshe qytetare, ku do të kërkohej dorëheqja e presidentit të vendit, si dhe rrëzimi i kësaj qeverie dhe zëvendësimi me një qeveri teknike deri në zgjedhje parlamentare", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot"

Duke parë tronditjen e skenës politike, e cila po ndodh tani, në këtë fundvit, si pasojë e tentativës për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë e destabilizimit akoma më të madh të politikës në vitin që po hyjmë, në mënyrë që pranvera e vitit 2018 të jetë realisht kohë e zgjedhjeve të reja të parakohshme, për nivelin qendror. Tentimi për shfuqizimin e Ligjit të Speciales vazhdon të cilësohet si një vendim shkatërrues që kishte për ta kthyer Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe përmes Rezolutës 1244. Profesori universitar dhe analisti politik Nexhmedin Spahiu thotë se koalicioni i tanishëm PAN do të përpiqet me çdo kusht që ta ruajë stabilitetin, funksionalitetin, sado i brishtë që të jetë, por krejt kjo varet nga goditjet e para të Speciales. "Problemi është se ende nuk e dimë kush ka me qenë vërtet ndër të akuzuarit. Nëse ta zëmë do të akuzohet presidenti, atëherë kjo mund të shkaktojë një krizë dhe që patjetër zgjedhja e presidentit gjithmonë shkakton krizë politike, por nëse akuzohet kryeministri natyrisht që patjetër duhet të bjerë qeveria", u shpreh Spahiu për "Kosova Sot".

Tronditja po ndodh

Shumë më i bindur që viti 2018 do të jetë vit zgjedhor është Blerim Burjani. "Po qe se opozita e pranon një lloj marrëveshje për funksionim kalimtar të qeverisë, atëherë kjo qeveri do të bjerë deri në maj të vitit 2018, pra pashmangshëm duhet të ketë zgjedhje", tha ai për "Kosova Sot". Burjani konsideron se tronditja që vjen tani nga loja me Specialen është shumë e madhe."Kushdo që e ka nisur këtë lojë nuk e ka filluar seriozisht, por e ka filluar për të krijuar shqetësime, për të hyrë në bisedime ndërkombëtarët për temat si në vijim: Demarkacioni, liberalizimi i vizave dhe për të ushtruar një trysni për riformulim të disa neneve në Ligjin për Gjykatën Speciale, por jo për shfuqizim të plotë të këtij ligji", u shpreh ai për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Arsim Haziri i tha gazetës se, duke marrë në konsideratë mjerimin politik që mbizotëron aktualisht, sigurisht se zgjedhjet parlamentare janë të pashmangshme në pranverë, ose verën e vitit 2018. "Unë konsideroj se karshi këtyre veprimeve negative dhe që shkojnë në funksion të thyerjes së raporteve e aleancave me shtetet perëndimore do të duhej të kishte edhe marshe qytetare, ku do të kërkohej dorëheqja e presidentit të vendit, si dhe rrëzimi i kësaj qeverie dhe zëvendësimi me një qeveri teknike deri në zgjedhjet parlamentare. Kjo treshe është sinonim i kthimit nën një autoritet të suspenduar, është shprehje e vullnetit për të dërguar vendin drejt një çrregullimi të përgjithshëm dhe si e tillë s'mund të përfaqësojë vullnetin qytetar", tha Haziri për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Skënder Mulliqi shprehet për "Kosova Sot" se anulimi i Gjykatës Speciale nuk është punë e lehtë, kur dihet se para se të themelohej kjo gjykatë Kosova ka pasur një marrëveshje me BE-në, e cila strukturë ka ndarë miliona euro për formimin e saj, pastaj mjete ka ndarë edhe Amerika."Kur një ambasador thotë decidivisht se anulimi do të ishte thikë pas shpine, kjo fletë për seriozitetin dhe për qëndrimin e paluhatshëm të Amerikës mike rreth kësaj teme", potencoi Mulliqi.

(Kosova Sot)