Kelmendi: Krerët të japin llogari - Lajme - Kosova Sot
Kelmendi: Krerët të japin llogari

Kelmendi: Krerët të japin llogari

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, i jep të drejtë kryeprokurorit Lumezi për kritikat e hapura dhe denoncimin publik që i bën kësaj mospune të prokurorëve të të gjitha niveleve. Për më tepër, Kelmendi i tha gazetës "Kosova Sot" që për këtë nivel të vlerësimit negativ nevojiten edhe masa penale kundër atyre që nuk i kanë kryer obligimet sipas ligjit. "Me të drejtë kritikohet, madje edhe duhet të merren në përgjegjësi, penale para së gjithash, e tërë Prokuroria e Kosovës. Natyrisht se ka dështuar Prokuroria e Shtetit, prokurorët e prokurorive themelore dhe të Prokurorisë Speciale. Dështimet janë trashanike. Por, vetëm kritika nuk mjafton nga kryeprokurori! Përgjegjësinë e tërë sistemit prokuroria të dështuar të Kosovës e mban Këshilli Prokurorial i Kosovës, sidomos kryeprokurori Aleksandër Lumezi, sepse këtu qëndron përgjegjësia për dështimet e bëra në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Këshilli Prokurorial dhe kryeprokurori nuk mund të arsyetohen në mënyra të paqarta dhe tejet jo të kapshme, sepse ata ishin dhe janë përgjegjës për dështim", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, janë dy rrugë që duhet të zgjedhin këto dy kupola kontrolluese të punës së prokurorëve: Dhënia e dorëheqjes nga pozitat e tilla për dështimet e sistemit prokurorial ose të tregojnë se kush i ka ndaluar dhe në shërbim të kujt ishin nga politika. Pse nuk e kryen detyrën në bazë të ligjit? "Kush e ndali Aleksandër Lumezin në punë? Pse Prokuroria Speciale nuk kreu detyrën në bazë të ligjit dhe cilat janë pengesat? Në këto çështje nuk u dha asnjë përgjigje! Dhe kuptohet kjo nuk ndodh sepse janë të korruptuar dhe në shërbim të sistemit politik. Kjo u pa nga gjendja që kaloi Aleksandër Lumezi pas akuzave ndaj tij", potencoi Kelmendi.

(Kosova Sot)

3 orë e 56 minuta më parë
17/10/18