Partnerët e koalicionit ia bëjnë gropën njëri-tjetrit - Lajme - Kosova Sot
Partnerët e koalicionit ia bëjnë gropën njëri-tjetrit

Partnerët e koalicionit ia bëjnë gropën njëri-tjetrit

KALKULIMET NË PRAPASKENËN E POLITIKËS

"Kryekuvendari Kadri Veseli do t'i përdorë të gjitha këto si poenë politikë, që në rast të rënies eventuale të Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, do të mund të ashpërsohen marrëdhëniet mes tyre dhe subjekteve politike të koalicionit të tashëm qeverisës", theksoi Ali Hertica për "Kosova Sot"

Burjani: Gjykata Speciale bëri që të afrohen Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj 

Demarkacioni me Malin e Zi u bë pretekst për rrëzimin e Qeverisë "Mustafa", por mund të shërbejë si alibi edhe për një goditje ndaj Qeverisë "Haradinaj". Zhvillimet e fundit rreth Speciales apo deklarimet publike të një të dënuari për vrasje,sipas analistëve, tregojnë se diçka po zihet në skenën politike kosovare. Ndërkohë, javën tjetër, Marrëveshja për Demarkacionit diskutohet në Komisionin parlamentar. Analisti Nexhmedin Spahiu, për gazetën "Kosova Sot', tha se Demarkacioni nuk do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, pasi koalicioni aktual nuk i ka 80 vota, sa nevojiten për miratimin e një vendimi të tillë. "Dhe, mendoj se kjo do të ishte mirë, që nuk do të kalojë një version i tillë Demarkacionit të kufirit me malazezët, sepse ky do të ishte një precedent shumë i keq për të ardhmen e vendit, kur bëhet fjalë për Demarkacionin me Serbinë, sepse nuk është puna vetëm e 8200 hektarë tokë që po humbasin në raport me Malin e Zi", u shpreh ai. Sipas Spahiut, kryekuvendari Kadri Veseli nuk ka asnjë interes që ta rrëzojë Qeverinë e Ramush Haradinajt nga pushteti. "I vetmi politikan që ka interes që të ketë zgjedhje të reja është Albin Kurti, që ka gjasa të mëdha që ta rikonfirmojë edhe një herë si më parë pozicioni dhe ta forcojë pozitën e tij akoma më tepër", shpjegon më tutje Spahiu. 

Image

Nuk janë votat për Marrëveshjen

Analisti Gurakuç Kuçi tha për "Kosova Sot" se Kuvendi nuk i ka votat e nevojshme për të kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit. "Haradinaj që nga fillimi është duke bërë gabime strategjike dhe ka rënë në çdo kurth që i është ngritur apo që ka lejuar që t'i ngritën", u shpreh ai. "Ne kemi skenarë që tashmë po na përsëriten dhe asnjëherë askush nuk mendon të mirën e vendit e madje as vetë populli të mirën e vet. Vërtet është e pakuptueshme se si populli i Kosovës nuk arrin të vetëdijesohet", shtoi më tutje Kuçi. Ndërsa, analisti Arsim Haziri thotë për "Kosova Sot" se të gjitha parashikimet ishin evidente se PDK-ja do të shënojë rënie, sidomos kur doli në pah afera " Pronto". "Edhe kryetari i sapozgjedhur i PDK-së ishte në dijeni se subjektin, të cilin e mori në udhëheqje, do të përballet me dështime në aspektin popullor. Karshi rrethanave në të cilat PDK-ja mund të gjendej dhe shënonte rënie drastike kësisoj do të humbte edhe të drejtën për t'i formuar institucionet. Kryeparlamentari Kadri Veseli, për t'iu shmangur rrethanave negative në të cilat ishte, veproi mjaft logjikshëm duke kërkuar njëherësh edhe bashkim politik me AAK-në dhe Nismën", shpjegoi ai. "Duke qenë të bashkuar arritën edhe të shënojnë fitore. E, përgjatë kohës sa qeverisja Haradinaj do të mbante pozitën ekzekutive, Kadri Veseli do të mund të rikuperonte dëmet kolosale dhe kësisoj do të orientonte qeverisjen aktuale drejt shpërbërjes", theksoi Haziri. 

Image

Gjykata i bëri bashkë rivalët e vjetër

Eksperti fushës së drejtësisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani tha për "Kosova Sot", se realisht ky koalicion nuk do të duhej bërë fare dhe sa më parë duhet prishur dhe duhet të formohen koalicione të reja, ose duhet shkuar në zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme."Kjo duhet bërë, sepse ka shumë dështime, përfitime në këtë periudhë dhe do të ketë me kalimin e kohës edhe shumë skandale të tjera në këtë koalicion të çuditshëm", u shpreh ai. "Kjo Qeveri është më skandalozja prej kur janë themeluar institucionet e pasluftës në Kosovë, ngase ky koalicion është formuar për t'i bërë këto lojëra politike, si janë Demarkacioni, Asociacionin, Gjykata Speciale,etj", potencoi Burjani. " Gjykata Speciale bëri që të afrohen Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, sepse kryetari Hashim Thaçi e kishte kundërshtuar fuqishëm pas luftës avancimin politik të Ramush Haradinajt", vijoi më tej Burjani. Sipas tij, pesë vjetët e fundit ka pasur shumë komente negative për njerëz të tillë, përfitues nga politika dhe zhvatje të buxhetit të shtetit, dhe aseteve publike. "Ndaj, kjo ka bërë që edhe z. Thaçi të humbasë prestigjin dhe respektin politik ndërkombëtar, pra është koha për ndryshime, në skenën politike do të duhej të vijë një subjekt plotësisht i ri politik, jo me këtë klasë politike, PDK, LDK dhe VV", vlerësoi Burjani. Analisti Ali Hertica tha për "Kosova Sot" se çështja e Demarkacionit për qeverisjen është vendimtare dhe janari do jetë muaj i hidhur për Qeverinë "Haradinaj". "Politika dhe strategjia e Kadri Veselit po tregohet dinake, duke mos dhënë sinjal për të ratifikuar Demarkacionin dhe kjo tregon se Veseli do ta përdorë këtë si dështim të Qeverisjes 'Haradinaj',duke bashkëvepruar me z. Hashim Thaçin në këtë drejtim", u shpreh ai. "Tani janë shfaqur edhe shumë akuza për liderët politikë, të cilët janë të involvuar në të gjitha rastet e vrasjeve politike nga tabori i subjekteve politike, ku decidivisht i burgosuri Shkumbin Mehmeti deklarohet dhe shpjegon të gjitha planet për këto vrasje politike në Kosovë", vijoi Hertica më tutje. "Kryekuvendari Kadri Veseli do t'i përdorë të gjitha këto si poenë politikë, që në rast të rënies eventuale të Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, do të mund të ashpërsohen marrëdhëniet mes tyre, dhe subjekteve politike të koalicionit të tashëm qeverisës, por jo domosdoshmërisht të bjerë Qeveria", theksoi ai. Sipas tij, tani mund të themi se mbas të gjitha këtyre përplasjeve politike shumë lehtë mund të ketë një 'deja vu' për të gjithë ata që ishin dhe janë keqpërdoruesit e politikës dhe pasurisë së shtetit të inkriminuar. 

(Kosova Sot)  

5 orë e 1 minuta më parë
20/10/18