Shakaja me Nishin i kthehet në bumerang Veselit

  • 17 January 2018 - 07:51
Shakaja me Nishin i kthehet në bumerang Veselit

RETORIKA NACIONALISTE SHKAKTON REAGIME NË OPINIONIN KOSOVAR

Autoritetet kosovare nuk shtrohen në veri, pretendojnë të kalojnë kufirin!

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, duke marrë pjesë të hënën në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, u shpreh,sipas analistëve, me një retorikë pseudopatriotike, madje gati edhe kërcënuese, duke thënë se Serbia mos ta provojë të kthehet, se më nuk do të ndalemi deri në Nish. Kjo rrëshqitje e Veselit, qoftë e qëllimshme apo nga padituria e tij politike, është kritikuar nga analistët politikë, të cilët theksojnë se kjo nuk është asgjë tjetër veçse një retorikë boshe vetëm sa për t`u shitur kinse "patriotë", kur dihet fare mirë se as ai, e as të tjerët përreth tij nuk janë ata që kanë pasur guximin, e as që do ta kenë edhe tani, t`ia mësyjnë as Mitrovicës, qytetit të tij, e që për kaq vite lejuan dhe e dorëzuan që të ndahet, e lëre më të nisen andej kah Nishi! Për më tepër, sipas analistëve politikë, kjo retorikë e Veselit është vetëm një "ekspoze" mashtruese e rastit, që vjen nga të tillë "patriotë" e mashtrues që ende mendojnë e shpresojnë se populli i "ha këto rrena", ngase populli, sipas tyre, akoma nuk po e ditka që ishte ndërhyrja e NATO-s që na çliroi nga Serbia fashiste e gjenocidale. Sipas analistëve, me këtë retorikë Veseli vetëm sa radhitet në rangun e atyre patriotëve shesin patriotizëm të rrejshëm, komandantë të pasluftës, e që sa për guximin e tyre dhe kontributin që kanë dhënë, Kosova ende edhe sot do të ishte nën Serbi, ndërkaq që komandantët e të dyja krahëve dhe do të vazhdonin të keqpërdoronin qindra miliona të të dyja fondeve të luftës. Se sa ishte real guximi që shpërfaqet tani në raste të tilla, sipas analistëve politikë, më së miri flet fakti që akoma, asnjë lider politik, përfshirë edhe ish-komandantët dhe të tjerët, ish-qeveritarët dhe qeveritarët aktualë, pa dallim partie politike, nuk arritën dhe nuk patën as guximin që t`ia kërkojnë Serbisë dëmshpërblimin e dëmeve të luftës, e as zbardhjen e fatit të të zhdukurve, prandaj edhe tani as që mund të pinë ujë tregimet patriotike të tipit "do ta ndjekim Serbinë deri në Nish", kur edhe me përfaqësuesit e Vuçiqit të Beogradit në Kosovë, Listën Serbe, janë në bashkëqeverisje, e tash do t`ua bëjnë edhe Asociacionin e komunave serbe.

Image

Zhvendosje e vëmendjes nga Specialja 

Politologu Gurakuq Kuçi ka vlerësuar se retorika që e përdori Kadri Veseli ishte një fjali 'pseudonacionaliste demagogjike', ose thënë qartazi 'hedhje hi syve popullit duke menduar diçka tjetër e thënë diçka tjetër, duke luajtur me ndjenjat kombëtare'. Madje, ai vlerëson se një "tog fjalësh" të tillë Veseli e ka lëshuar vetëm sa për ta shpërqendruar edhe vëmendjen e opinionit publik nga tërheqja e tij e papritur rreth qëndrimit për Gjykatën Speciale. "Këtë e bëri për këtë arsye: Z. Veseli e tradhtoi vijën e nisur kundër Gjykatës Speciale nga presidenti dhe kryeministri i vendit me një numër të caktuar deputetësh. Tradhtia e tij u vërejt edhe nga shfaqja që u bë në homazhet për viktimat në masakrën e Reçakut. Z. Thaçi dhe z. Haradinaj bënë homazhe së bashku, përderisa z. Veseli ndaras nga ta. Ky ishte një veprim se ka një përçarje të miqve të vjetër dhe ndryshim pozicionesh në miqësi. Tani, z. Veseli me deklaratën e tij që nuk do ta shtyjë përpara çështjen për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, realisht u tha ndërkombëtarëve që 'unë jam krahu juaj, por ju duhet t'm'i hiqni këta të dy (z. Thaçi dhe z. Haradinaj) dhe të ma lironi rrugën që unë t'i ruaj dhe t'i shtyj përpara kërkesat tuaja'", shpjegoi Kuçi për "Kosova Sot". Sipas tij, për të mbuluar atë që bëri me veprimet e tij ndaj Gjykatës Speciale, po mundohet t'i mbulojë me retorikën dhe demagogjinë pseudo-nacionaliste, fjali qesharake që i bëjnë dëm jashtëzakonisht historisë së lavdishme dhe luftës guerile të UÇK-së". Ndërsa, sipas analistit politik Ali Hertica, ishte një deklarim i pavend i kryetarit Veseli, i pamatur, madje i papranueshëm nga opinioni publik. "Një retorikë e pamatur dhe boshe e Veselit u lëshua aty vetëm sa për të treguar se sa ai është "patriot", por kjo deklaratë nuk i shkon për të mirë një politikani të pjekur e të mençur, burrështetas i vërtetë i shtetit të Kosovës, sepse Kosova ka pjesë të tjera të bollshme brenda kufijve të tanishëm shtetërorë e ku duhet të angazhohet më seriozisht që të çlirohen nga infektimi i bërthamës kriminale të politikës së Serbisë, pikërisht siç është edhe rasti i Mitrovicës", u shpreh Hertica për "Kosova Sot".

Image

Profiterëve të pasluftës nuk u beson kush 

Të pakripë e sheh këtë lojë edhe analisti Reshat Badallaj. "Retorikave të Kadri Topuzit u ka dalë boja dhe më askush nuk u beson fjalëve të tij dhe atyre që lehin në këtë kohë. Pikërisht ka rënë ky soj dhe shumë është ulur edhe patriotizmi kombëtar. Populli tashmë e ka parë se patriotët pa hile që luftuan hakikat dhe që vërtet kishin vendosur të vdesin për këtë tokë dhe për atdhe janë në qytetet më të mëdha të Kosovës, që ndryshe quhen qytete të nëntokës. Patriotët e rrejshëm, hileqarë,mashtrues e hajna lehin për patriotizëm", u shpreh ai. "U pa se kush ka bërë luftë për përfitime personale. Është mirë t'u referohemi edhe fakteve. Shumë sish që i njohim, para luftës nuk kishin as bukë të mjaftueshme për të ngopur barkun, nuk kishin as brekë për të veshur e opinga për të mbathur dhe i pamë se si u bënë dhe si gdhinë për një kohë të shkurtër super milioner, bile duke ia kaluar edhe sheikëve të Arabisë. Pra, si ka mundësi këta të bëhen me hotele luksoze që nuk mund t´i gjesh as në vendet më të zhvilluara, në vendet perëndimore, me shtëpi me basene që kuajt e lumit Nil humbasin të tërët aty, e që këta deri dje flinin nëpër shtëpi si kolibe stanesh", tha Badallaj për "Kosova Sot". "Eh, në Nish mendon Kadri Topuzi, me siguri e ka fjalën te "Molla e Kuqe", po nuk do të ishte keq që Kadri Topuzi me këta profiterët ta marrin Mitrovicën, ku një grup serbësh e kanë bërë zap dhe shtetit i Kosovës nuk funksionon atje, por Serbia fashiste. Pra, rrenave të Kadri Topuzit nuk u beson askush,bile kjo nuk është për t'u habitur, por këtij soji nuk i beson askush, se aq shumë kanë humbur besimin që nuk mund t´i mbledhin as dhjetë vetë, sepse dolën si profiterë, tradhtuan gjakun e dëshmorëve të kombit,vodhën pasuritë e Kosovës, që nuk kanë vjedhur as nipat e Drazh Mihajlit,", tha analisti Reshat Badallaj.

Image

Patriotizmi nuk dëshmohet me retorikë boshe

Edhe analisti politik Arsim Haziri tha për "Kosova Sot" se logjika e tillë s'mund të jetë premtuese, po ashtu s'mund të jetë edhe argument me të cilin mund të dëshmonin patriotizëm e konsolidim shtetëror. "Kadri Veseli është demagog i llojit specifik dhe gjuha me të cilën ai nxjerr në publik, s'mund të jetë shpresëdhënëse për qytetarët. Po degradimi më i madh institucional ka ndodhur pikërisht gjatë kohës së qeverisjes së subjektit të tij politik. Pamundësia për të treguar pushtet dhe seriozitet të paanshëm politik ka krijuar atë gjendje të pakontrollueshme dhe të paqasshme për autoritetet e vendit. Duke mbizotëruar ajo situatë ashtu kemi pasur tërë atë popullatë të terrorizuar nga ndikimi dhe operimi i strukturave paralele", theksoi Haziri. "Deklarimi i tillë i kuvendarit është përpjekje për të përfituar politikisht,tendencë për të mbuluar papërgjegjësinë e aplikuar për kohë të subjektit të tij politik, njëkohësisht një akti të tillë dëshiron t'i japë ngjyrim patriotik", u shpreh ai për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti Mustafë Kadrijaj tha për "Kosova Sot" se deklarata e kryeparlamentarit dhe njëherësh kryetarit t PDK-së, z.Veseli ka dy anë të medaljes, një që është ana pozitive, që përkundër presioneve ndërkombëtare ende ekziston shpirti liridashës dhe ende Kosova ka njerëz që mund të japin më të vlefshmen për të, por edhe ana negative, pasi Veseli është duke u munduar që ta vendosë në qendër të vëmendjes, para faktorit vendor dhe ndërkombë- tar, personalitetin e tij me deklarata patriotike, për t'ju kundërvënë zërit të munguar patriotik në "Vetëvendosje". "Mirëpo, ai duhet ta dijë që nuk ka kohë për deklarata patriotike", theksoi Kadrijaj. Sipas tij, këto deklarata bëhen vetëm për konsum të brendshëm politik, por janë të padobishme për liderin e PDK-së, që ka rënë në zgjedhjet e fundit.

(Kosova Sot)