Obama e mirëpriti planin historik për ndryshimet klimatike

  • 04 August 2015 - 09:08
Obama e mirëpriti planin historik për ndryshimet klimatike

Presidenti ameirkan, Barack Obama, ka vlerësuar se një plan i ri klimatik amerikan, paraqet “hapin e vetëm më të rëndësishëm që Amerika e ka ndërmarrë ndonjëherë në luftën kundër ndryshimeve klimatike globale”.

Duke i shpallur kufizimet e para në lëshimin e gazrave në centralet energjetike në Shtetet e Bashkuara, zoti Obama tha mbrëmë vonë se ndryshimet klimatike paraqesin njërën nga sfidat më të mëdha në kohën tonë.

“Asnjë sfidë nuk paraqet kërcënim më të madh për të ardhmen tonë dhe të gjeneratave të ardhshme se ndryshimi në klimë”, tha Barack Obama.

Sipas rregullave të reja, kërkohet ulje e emisioneve të karbonit nga sektori energjetik në Shtetet e Bashkuara, për 32% nga nivelet e vitit 2005, deri në vitin 2030, transmeton Rel.

Grupet industriale dhe zyrtarët e zgjedhur nga shtetet që varen nga energjia e bazuar në thëngjill, kanë shprehur përkushtim që kundër këtyre rregullave të reja të luftojnë me procedurë gjyqësore.