Shpend Ahmetin e ka futur nën kontroll parapolitika

  • 18 January 2018 - 07:48
Shpend Ahmetin e ka futur nën kontroll parapolitika

ANALISTËT I KOMENTOJNË ÇARJET E VV-SË DHE KËRKOJNË QË PRONTISTËT, JAHTISTËT E DEVOLLISTËT TË LARGOHEN

Badallaj: Shpend Jahti është dërguar aty si emisar i bandës serbiane 'Devolli' dhe klanit banditesk 'Pronto', për të futur pyka dhe përçarje që të mos i dihet fundi

"Shpend Ahmeti është njeri të cilin e ka futur nën kontroll parapolitika. Vija borgjeze e krijuar dhe e udhëhequr nga grupi rreth Dardan Molliqajt, Visarit dhe Shpend Ahmetit nuk mund t'i lënë interesat financiare dhe të mirat që i kanë krijuar. Ata janë lidhur ashpër me oligarkët mafiozë dhe kanë marrë ndihma të mëdha. Lidhje kanë me 'Devolli Company', me konflikt-krijuesin Baton Haxhiu dhe grupin rreth tij, me strukturat e tjera mafioze e lidhje të tjera. Ky grup pretendon të kapë tërësisht VV-në dhe mbi këtë nëpërmjet kësaj partie të sundojë, duke u shndërruar në vegël të interesave mafioze të grupit të Baton Haxhiut me Devollin", u shpreh profesor Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot''
E dhe pas takimit maratonik, të zhvilluar para pak ditësh në mes të Kryesisë së 'Vetëvendosjes' dhe grupit parlamentar të saj, përçarjet nuk morën fund, por tendenca e vazhdimit të ndarjes së thellë për interesa të ngushta klienteliste e grupore po vazhdon. Pas atij takimi, ish-kreu i VV-së dhe themeluesi i saj, tani kandidat i vetëm për kryetar, Albin Kurti, deklaroi se takimi ishte i vështirë, ndërsa kryetari i dorëhequr, Visar Ymeri, deklaroi se "askush nuk kishte ndryshuar qëndrimet", ndërkaq Shpend Ahmeti,sipas analistëve, si ekspert e pehlivan i klanit të JAHTIT dhe 'Coca Cola Zero', me përvojën e marrë tek klani 'Pronto', me të cilët për vite të tëra po "bashkëpunon" shkëlqyeshëm, u tregua si zakonisht i rezervuar. Analistët politikë janë përqendruar kryesisht te loja që po e luan tani Shpend Ahmeti, sepse, sipas tyre, stili i tij është që të punojë në "terr" e "natën", kur mundësisht nuk të kapin kamerat, siç e fotografuan në jahtin e Blerim Devollit. Tani, edhe nga opinionistët dhe njohësit e ndryshëm të skenës politike kosovare mbetet shumë pikëpyetje e madhe nëse do të arrijë VV-ja të çlirohet nga klani i "Jahtit" dhe "Coca Cola Zero-s", klane të inkriminuara thellë në krimin e organizuar e korrupsion!? Ish-aktivisti i këtij subjekti politik, Xhevat Sefaj, akuzon drejtpërdrejt mikroborgjezët materialistë, siç i quan ai klanin e Shpend Ahmetit që po e shkatërrojnë këtë subjekt politik! Sefaj po ashtu shton se krahu i Shpend Ahmetit është në prag të formimit të një partie të re, prapa së cilës qëndron SHIK-u&Devolli. "SHIKu, i cili nga nëntoka po arrin që shpëlarjen e parave e kapitalin e bashkuar nga krimi, po i investon e riinveston në kompaninë e tyre piramidale e kriminale 'Devolli', kompani të menaxhuar nga vëllezërit Devolli, e familja Devolli në fakt janë vetëm menaxherë, ndërkaq që pronarët e vërtetë janë kush tjetër pos nëntoka kriminale e ShIK-ut… Ata e kanë gjetur momentin e përshtatshëm, pasi erdhi Shpend Ahmeti në krye të Komunës së Prishtinës, një menaxher për të investuar e për të pasur nën kontroll kryeqytetin", shton ishaktivisti i VV-së, Xhevat Sefaj për gazetën "Kosova Sot". Gazetari u ka dërguar pyetjet me shkrim Shpend Ahmetit, vëllezërve Devolli, Blerim dhe Shkëlqim Devolli,por si zakonisht nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as i apostrofuari i bashkëbiseduesve, Baton Haxhiu.

Image

Lufta mes klaneve

Analistët politikë kryesisht shohin se procesi po shkon drejt ndarjes së madhe në VV, sepse Shpend Ahmeti me të gjithë të tjerët që e përqafuan idenë e klanit 'Pronto' dhe 'Coca Cola Zero' është përcaktuar për pozicionimin e tij në interesin e Devollëve dhe nuk është hiç më shumë se njëri nga menaxherët e vëllezërve Devolli, që paguhet nga Devolli dhe NËNTOKA kriminale, siç e ka thënë edhe ish-veprimtari Sefaj, në bashkëveprim me SHIK-un, e të cilin ky klan i inkriminuar do ta shfrytëzojë në maksimum për interesa kriminale të tyre dhe të SHIK-ut, siç po shihet edhe nga dhënia e tenderëve pa ndërprerë për kompanitë e Devollëve, tanimë edhe në parajsa fiskale, siç është Malta, e deri te dhënia e dhjetëra hektarëve tokë komunale për nëntokën kriminale dhe vëllezërit Devolli. "Mendoj se VV-ja është një parti e majtë, ndërsa kohët e fundit është vërshuar nga njerëz të dështuar në partitë tjera, prandaj ka qenë e pritur një çarje në këtë subjekt. Mendoj se në VV ka disa njerëz që janë fajtorë dhe për mendimin tim kryetari e Prishtinës, Shpend Ahmeti, është njeri të cilin e ka futur nën kontroll parapolitika dhe që nga skandali me jahtin e kompanisë 'Devolli' ka qenë diçka e inskenuar bukur nga mekanizma të organizuar që ta fusin në lojë Shpend Ahmetin dhe duket se ia kanë dalë ta korruptojnë dhe tani i japin instruksione që brenda partisë VV të gjejë sa më shumë njerëz t'ia shkapin partisë se Albin Kurtit", theksoi profesor Jeton Kelmendi për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas analistit Ali Hertica, themeluesi i VV-së, Albin Kurti, u paraqit si një demokrat besnik, duke respektuar përpikërish statutin dhe rregulloren e këtij subjekti politik, duke hapur rrugë për kandidim në drejtim të partisë për të gjithë ata që e ndiejnë veten të gatshëm, por kjo strategji po i hakmerret pikërisht nga ata që janë gati ta keqpërdorin vizionin e ndërtimit të një sistemi të brendshëm demokratik të vlerave. "Mirëpo, tani, tri vite pas, demokrati Kurti po del të jetë problemi kryesor, por Visar Ymeri e Dardan Molliqaj, dikur bashkëpunëtorët më të mirë të Kurtit, nuk po e 'përkrahin' kandidimin e tij për kryetar të partisë dhe kanë plane që ta degradojnë dhe ta humbin vlerën e tij politikisht duke e marr dhe akuzuar Kurtin si një diktator, dhe këtë veprim e filluan pikërisht kur Albin Kurti po qëndronte në burg. Të 'fortët' me vota të partisë kishin edhe një takim maratonik ku grupi i të rebeluarve po vazhdojnë ta mbështesin si zakonisht vetëm klanin e JAHTEVE dhe të pehlivanëve të "COCA COLA ZERO" të Shpend Ahmetit e Visar Ymerit dhe ish-sekretarit Dardan Molliqaj, me një garniturë të profiterëve me grupin e më të votuarve të 'Vetëvendosjes'. Aida Dërguti edhe publikisht ka deklaruar se problemet në këtë parti janë të mëdha dhe të pakalueshme, duke punuar në terr dhe natën me grupin e të rebeluarve të këtij klani kundër themeluesit dhe liderit shpirtëror Albin Kurti", u shpreh ai. Sipas tij, Kurti dihet mirëfilli që ka mbështetjen e masës besnike të qytetarëve dhe respektin e pakontestuar, sepse është treguar i vetmi lider që ndërton dhe mban parime të një politikani me përmasa evropiane.

Image

 

Fraksionistët, rrugës së FER-it dhe LDD-së

Sipas analistit politik Mustafë Kadrijaj, pasojë e shkatërrimit që po i ndodh brendapërbrenda VV-së është sëmundja kanceroze e futur aty nga Shpend Ahmeti me grupin e FER-it. Prandaj, Kadrijaj e sheh fatin e VV-së pjesë që mbështet Shpend Ahmetin, të ngjashëm me atë të LDD-së së Nexhat Dacit."Shkatërrimin kaq të shpejtë të 'Vetëvendosjes' nuk e kam pritur, duke menduar që ende është parti opozitare, duke parë rritjen e madhe që pati në vitin 2017, por kjo po ndodh tani në bazë të praktikës që partitë mbasi të marrin pushtetin shtohen edhe apetitet për pozita dhe për pasuri të paligjshme. Por, si duket, qeverisja në Prishtinë mjaftoi që të ndahet shapi prej sheqerit brenda 'Vetëvendosjes', krahu profiter si dhe krahu ideal. Është pritur nga krah i ish-partisë FER, sepse edhe ashtu FERi ka qenë mish i egër për 'Vetëvendosjen', por në mënyrë perfekte e ka shfrytëzuar 'Vetëvendosjen', por është absurde që FER-i të arrijë të infektojë edhe disa zyrtarë që kanë kontribuar në 'Vetëvendosje', siç është Visar Ymeri, që të hedhë poshtë sakrificën dhe t'i harrojë ato shufra që ia ka dhënë policia e Kosovës, duke mbrojtur kauzën e 'Vetëvendosjes', por si duket joshja nga grupi i Shpend Ahmetit e bëri t'i harrojë idealet", potencoi ai."Në fakt largimi i krahut të Shpend Ahmetit e pastron 'Vetëvendosjen', por me këtë ndarje 'Vetëvendosje' nuk do të jetë më partia më e madhe opozitare dhe do të ketë pasoja të riparueshme. Sidoqoftë, 'Vetëvendosje' prapë do të jetë parti parlamentare, sepse vota e 'Vetëvendosjes' sillet me figurën e Albin Kurtit, por jo me vota si në zgjedhjet parlamentare në vitin 2017, ndërsa krahu i Shpend Ahmetit, i Dardaneve dhe i Visar Ymerit, do të ketë epilogun si të FER-it e të LDD-së së Nexhat Dacit dhe PREK-ut të Bujar Bukoshit, sepse në Kosovë praktika ka treguar që këto derivate politike nuk kanë pasuar suksese e aq më shumë kur dihet që krahu i Shpend Ahmetit dhe i Dardanëve kanë interesa materialiste", tha Mustafë Kadrijaj për 'Kosova Sot'. 

Betejë ideologjike apo për euro?!

Pastrim të shpejtë të VV-së nga klani i Jahtit tani me këto zhvillime sheh edhe analisti Ragip Guraziu. "Jemi dëshmitarë të takimit maratonik para pak ditësh ndërmjet Kryesisë së 'Vetëvendosjes' dhe grupit parlamentar të saj, i cili u pa se përfundoi pa rezultat për marrëveshje në ruajtjen e unitetit. Ishte pikërisht Shpend Ahmeti si ekspert i klanit të 'JAHTIT' dhe 'Coca Cola Zero' që me përvojën e marrë tek klani 'Pronto', me të cilët për vite të tëra po "bashkëpunon" shkëlqyeshëm, që duke u treguar si zakonisht i rezervuar la të kuptohet se ndarja e madhe do të ndodhë në këtë subjekt politik. Duke parë këto zhvillime dramatike që po vazhdojnë edhe me këto dorëheqjet e fundit, mendoj se VV-ja e drejtuar nga Albin Kurti do të arrijë të çlirohet nga klani i 'Jahtit' dhe 'Coca Cola Zero'-s, klane këto të inkriminuara thellë në krimin e organizuar e korrupsion, pasi është raportuar edhe më parë një zënkë në mes Albinit dhe Shpendit, mu për këto të këqijat që 'Vetëvendosjes' i erdhën nga Shpend Ahmeti", tha Guraziu për 'Kosova Sot'. Shkaktar i kësaj katrahure që po ndodh tani në VV është klani 'Pronto' dhe lidhja e inkriminuar e Shpend Ahmetit me Devollët, edhe sipas prof. Muhamet Kelmendit. "Natyrisht se në 'Vetëvendosje' është një luftë e ashpër midis dy vijave ideo-politike të krijuara tash e ca vite. Lufta po zhvillohet kryesisht midis vijës tipike mikroborgjeze dhe asaj socialdemokrate. Këndej edhe nuk priten përafrime midis këtyre dy vijave. Jo pse nuk ka vetëdije, por pse vija borgjeze e krijuar dhe e udhëhequr nga grupi rreth Dardan Molliqajt, Visarit dhe Shpend Ahmetit nuk mund t'i lënë interesat financiare dhe të mirat që i kanë krijuar. Ata janë lidhur ashpër me oligarkët mafiozë dhe kanë marrë ndihma të mëdha. Lidhje kanë me 'Devolli Company', me konflikt-krijuesin Baton Haxhiu dhe grupin rreth tij, me strukturat e tjera mafioze e lidhje të tjera. Ky grup pretendon të kapë tërësisht VV-në dhe mbi këtë nëpërmjet kësaj partie të sundojë, duke u shndërruar në vegël të interesave mafioze të grupit të Baton Haxhiut me Devollin", u shpreh Kelmendi për "Kosova Sot". Mirëpo, ai është i sigurt që kjo do të jetë një lojë fatale jo vetëm për Shpendin, por për të gjithë këtë grup të rebeluar dhe të inkriminuar. 

Shkaktari i sherrit

Edhe analisti Reshat Badallaj vlerëson se pastrimit të VV-së nga të inkriminuarit e mbështetur dhe financuar prej Devollëve po u vjen koha. Përtej këtyre zhvillimeve, pas kësaj ndarjeje, ju vjen edhe fundi. "Gjithë ketë sherr në klubin 'Vetëvendosje' e ka krijuar matrapazi dhe përçarësi Shpend Ahmeti, që ndryshe quhet Shpend Jahti. Kjo është ditur se Shpend Jahti është dërguar aty si emisar i bandës serbiane 'Devolli' dhe klanit banditesk 'Pronto', për të futur pyka dhe përçarje që të mos i dihet fundi. Këto përçarje që dihen në popull nuk janë të tëra, përçarjet janë më të mëdha dhe ndarjes faktike nuk mund t´i shpëtojë assesi VV-ja, edhe pse dikush mundohet t´i qetësojë ujërat. E kanë të kotë, sepse këto dallgë dhe ky cunam epiqendrën e kanë te banda serbiane 'Devolli' dhe klani mafioz-oligark 'Pronto'", ka theksuar ai."Bota tashmë i ka kuptuar lidhjet tinëzare të Shpend Ahmetit, që natën iki në ujërat e thella, larg syve të popullit në jahtin e bandës serbiane 'Devolli', sepse ishin të pajtuar dhe të lidhur në rrjetin e krimit të organizuar të nëntokës kriminale. Shpend Jahti u kap me pelë për dore", u shpreh Badallaj. Sipas tij, ai ia ktheu shpinën popullit fukara në Prishtinë, që ia kishte blerë votat dhe mashtruar deri në skajshmëri. "Shpendi atje ishte për punën e pazareve personale se e dini se shumë toka në zemër të Prishtinës i dha kësaj bande mafioze", potencoi analisti Badallaj për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)