Aliu: Kaherë ka qenë dashur të bëhet dekriminalizimi i politikës kosovare

  • 22 January 2018 - 12:40
Aliu: Kaherë ka qenë dashur të bëhet dekriminalizimi i politikës kosovare

Analisti Bislim Aliu për gazetën "Kosova Sot" theksoi se kaherë ka qenë dashur të bëhet dekriminalizimi i politikës kosovare dhe lustracioni, sepse pa u bërë një gjë e tillë edhe nuk ka ecje përpara."Por kjo nuk është bërë me qëllim që të mbahet një situatë e tillë në Kosovë, në mënyrë që Kosova mos të ecën përpara. Prandaj, këta politikanët tanë sa të munden do të mundohen ta heshtin këtë dekriminalizim të skenës politike dhe lustracionin, në mënyrë që t'i ruajnë pozitat e veta", është shprehur ai. "Lustracioni apo hapja e dosjeve duhet bërë sa më parë në mënyrë që të shikohet se kush ka qenë atëherë, por edhe tash kush është spiun i Serbisë, sepse këta janë e keqja e këtij vendi dhe e keqja e këtij shteti. Së këndejmi duhet bërë sa më parë lustracionin, për të mësuar se kush janë ata persona bashkëpunëtorë. Këtë duhet ta bëjë edhe Kuvendi ynë sa më parë, sepse edhe në Kuvend ka njerëz të tillë. Prandaj, duhet që më parë të bëhet dekriminalizimi i skenës politikë, se ndryshe nuk mund të ecim përpara", është shprehur ai. Analisti Aliu thotë se kjo është arsyeja se përse asnjë parti politike te ne nuk po dëshiron që ta hapë këtë temë dhe përse po hezitojnë për një gjë të tillë, kur vendi ka nevojë të dijë kush ishin e kush janë ata që e dëmtuan dhe po vazhdojnë ta dëmtojnë edhe sot Republikën e Kosovës, duke e mbajtur Kosovën të lidhur, të varur e të nënshtruar nga Serbia armike për shqiptarët e Kosovës.

(Kosova Sot)