Kur e pyesin për Molliqajn, Kurti s’ja përmend as emrin

  • 23 January 2018 - 13:15
Kur e pyesin për Molliqajn, Kurti s’ja përmend as emrin

Kryetari i ri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që mbajti konferencën e parë me gazetarë foli për ndodhitë e fundit në parti, duke mohuar tërë kohën se ka ndarje.

Kurti tha se nuk ka ndarje, por ka dorëheqje.

“Nuk ka ndarje në Vetëvendosje, funksionojnë të gjitha organet, ka pasur disa dorëheqje, jo nga anëtarësia”.

E kur u pyet për ish-sekretarin e partisë, Dardan Molliqajn, Kurti e shpërfilli fort, saqë u përgjigj shumë shkurt.

“Ne jemi të dytë deputet në Kuvendin e Kosovës”, tha Kurti, pa ia përmendur fare emrin.

Kurti insistoi se nuk do të hakmerret ndaj askujt.

Në konferencën e parë pas zgjedhjes kryetar, Kurti ka thënë se dorëheqjet e disa anëtarëve të kryesisë së partisë nuk tregojnë ndarje në parti.

“Zgjidhja është pjesëmarrja aktive në organet tona. Nuk ka ndarje, por dorëheqje nga struktura të caktuara dhe jo dorëheqje nga anëtarësia dhe rrjedhimisht jo dorëheqje nga programi ynë që e kemi shkruar bashkë. Ne nuk jemi sekt formal unanim që do të ishim identik. Këtu lejohet mendimi ndryshe dhe diskutimi, kjo është vlerë dhe pasuri e lëvizjes”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se nuk mban inat ndaj askujt dhe nuk do hakmerret ndaj askujt.
“Unë e kam vullnetin e hekurt por jo dorën e hekurt. Duam organizatë që inkurajohet kritika dhe vetëkritika dhe jo një organizatë që do të ketë sharje e fyerje dhe jo keqpërdorim të atyre që kanë pozita më të larta”, ka thënë ai.

(Kosova Sot)