Beqiri: Prapaskenat kriminale të industrisë

  • 01 February 2018 - 12:18
Beqiri: Prapaskenat kriminale të industrisë

 Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot", se që nga pas lufta naftëtarët e kanë pasur lirinë absolute për të sjellë derivate të llojeve tëndryshme, pa shikuar cilësinë dhe efektin e tij në shëndetin e qytetarëve. "Asnjë nga qeveritë e kaluara nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për kontrolle të cilësisë, dhe efektin e tij në jetën e qytetarëve të vet", u shpreh ai. "Edhe pse kishim një skandal në vitin 2013/2014, në Komunën e Prishtinës lidhur me ndotjen e ajrit në shkolla, prapë nuk ka hapa konkretë, andaj edhe shtrohet pyetja se deri kur për interesa biznesi rrezikohet jeta e fëmijëve tanë, deri kur ky vend ka për të dhënë përgjegjësi për gjithë këto sëmundje që në realitet janë alarmante", theksoi Beqiri. "Gjatë vitit 2017 janë importuar 30 milionë e 720 mijë litra vaj për ngrohje, dhe nuk ka ende zyrtarisht matje të sakta të ndotjes, andaj janë urgjente veprimet të cilat duhet të dihen saktë se ku qëndron problemi, sipas informatave Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka filluar një inspektim për cilësinë e derivateve dhe jam optimist se ministri i ri ka vullnetin për të stopuar një veprim të tillë", vijoi më tej ai. "Kompanitë që tregtojnë derivate janë shtet në vete, ata shpesh e kanë kundërshtuar edhe Administratën Tatimore, duke mos iu bindur ligjeve në fuqi për fiskalizim dhe raportim tek ATK-ja, prandaj mendoj se ka një grusht të fortë brenda kësaj industrie, e cila ka privilegjin të sjellë edhe naftë jocilësore edhe askush deri më tani nuk ka përfunduar prapa grilave e që në vendet normale me një mini- demokraci ata ka qenë dashur që dikush të ishin të burgosur për këtë lloj biznesi", tha Beqiri.

(Kosova Sot)