Haradinaj: Gratë kosovare që shkuan në Siri, mund të kenë bërë fëmijë me komandantët e ISIS-it

  • 08 February 2018 - 13:37
Haradinaj: Gratë kosovare që shkuan në Siri, mund të kenë bërë fëmijë me komandantët e ISIS-it

Kryeministri, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Daily Beast, gazetë amerikane online, ka folur rreth vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka thënë se gjatë qëndrimit atje planifikon të flasë më zyrtarë të Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit për rreziqet që po i kanosen Kosovës.

Kryeministri ka bërë një deklaratë interesante për kosovarët që kanë përfunduar në zonat e konfliktit duke thënë se gratë kosovare mund të kenë bërë fëmijë me komandantë të ISIS-it.

Rreziqet kryesore me të cilat përballet Kosova, sipas Haradinajt, kanë të bëjnë me Serbinë e cila po mbështetet nga Moska, kosovarët e rekrutuar për të luftuar në forcat e ISIS si dhe grupet mafioze që udhëheqin në pjesën veriore të Kosovës, ku ditë më parë u vra politikani serb Oliver Ivanoviq.

Daily Beast ka rikujtuar se gjatë tre viteve të fundit 300 kosovarë myslimanë i janë bashkuar grupeve militante në Siri dhe Irak.

“Policia e Kosovës dhe prokurorët i kanë riatdhesuar me kujdes të madhe qytetarët që vijnë nga Lindja e Mesme. Sic e ka thënë Anne Speckhard nga Qendra për Studime të Ekstremizmit të Dhunshëm ‘Kosova dallon në mënyrë të veçantë duke pasur numrin më të madh për kokë banori në Evropë të qytetarëve që kanë shkuar në Siri dhe Irak që nga viti 2011. 44 gra dhe 29 fëmijë nga Kosova besohet se kanë udhëtuar në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak’” shkruan Daily Beast.

E kryeministri Haradinaj ka ngritur një shqetësim tjetër duke alarmuar si rrezik për të ardhmen.

“Një çështje që na preokupon ka të bëjë me gratë të cilat kanë bërë fëmijë me të huaj jo kosovarë” ka thënë Haradinaj për Daily Beast.

“Nganjëherë ne nuk e dimë se kush se me kë i kanë fëmijët këto gra. Ata mund të jenë fëmijë të komandantëve të ISIS-it. OJQ-të radikale dhe imamët lokalë kanë bërë propagandë sistematike për më shumë se një dekadë duke e bërë atraktive idenë e shkuarjes në Siri nëpërmjet ofrimit të të ardhurave për fëmijët e paarsimuar” ka thënë Haradinaj.

(Kosova Sot)