E papritur, Kosova i paraqet kushte BE-së: Na jepni vizat, e vazhdojmë dialogun me Serbinë - Lajme - Kosova Sot
E papritur, Kosova i paraqet kushte BE-së: Na jepni vizat, e vazhdojmë dialogun me Serbinë

E papritur, Kosova i paraqet kushte BE-së: Na jepni vizat, e vazhdojmë dialogun me Serbinë

Kosova i ka paraqitur kushte Bashkimit Evropian. Ndonëse jo diçka e zakonshme, Enver Hoxhaj, në vizitën e tij në Strasbourg të Francës, nuk ka hezituar t'ua thotë zyrtarëve të BE-së se dialogu me Serbinë varet vetëm nga liberalizimi i vizave. Hoxhaj e ka quajtur të pakuptimtë vazhdimin e dialogut me Serbinë nëse nuk ka heqje të vizave

Enver Hoxhaj po qëndron për vizitë në Strasbourg të Francës, ku ka zhvilluar takime të shumta me deputetë të Parlamentit Evropian.

Në takimet me eurodeputetë, Hoxhaj ka deklaruar se dialogu me Serbinë varet nga liberalizimi i vizave për Kosovën.

Ai ka takuar kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme (AFET), David McAllister, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen ndaj Kosovës, sa i përket liberalizimit të vizave, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e tij që pasi që Kosova t’i kryejë detyrat e saj të brendshme të krijohet një momentum brenda Parlamentit Evropian, që liberalizimi i vizave t’u jepet qytetarëve të Kosovës brenda vitit 2018.

Për këtë temë, Hoxhaj ka diskutuar edhe me mbështetësen e madhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, eurodeputeten Tanja Fajon, si dhe eurodeputetin sllovak Eduard Kukan.

“Kam takuar mbështetësin e madh të Kosovës në Parlamentin Evropian, kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, eurodeputeten Tania Fajon si dhe eurodeputetin sllovak Eduard Kukan. U kam kërkuar mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi që një gjë e tillë nënkupton integrimin individual të çdo qytetari të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe është e drejtë fondamentale e qytetarëve të lëvizin lirshëm në Evropë”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se nëse nuk bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën, vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk do të ketë më kuptim.

“Nëse Serbia është shpërblyer shumëfish për shkak të dialogut me Kosovën, edhe Kosova duhet të shpërblehet në mënyrë të balancuar në këtë drejtim. Prandaj, nëse Kosova nuk merr liberalizimin pasi që t’i kryejë detyrat e saj brenda vitit 2018, këtij dialogu do t’i humbasë kuptimi, madje jo vetëm në planin politik, por edhe në atë të mbështetjes së qytetarëve”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka zhvilluar takim edhe me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, dhe sekretarin e përgjithshëm të këtij Komisioni, me të cilët kanë diskutuar për bashkëpunimin e Kosovës me këtë komision.

(Kosova Sot)

11 orë e 38 minuta më parë
27/05/18