Shtëpia-muze e koleksionistit prizrenas (Foto)

  • 08 February 2018 - 18:02
Shtëpia-muze e koleksionistit prizrenas (Foto)

MASAR BERISHA RUAN ME PASION VISARET E MOÇME TË TRADITËS SONË 

Deri më tani ka arritur të grumbullojë mbi 500 monedha të vjetra metalike

Një shtëpi në rrugën "Lekë Dukagjini" në Prizren nuk është e zakonshme. Po e hape derën e shtëpisë së Masar Berishës, një burrë rreth të 60-tave, në oborr do të shohësh qindra e qindra visare të kombit dhe trashëgimi të ruajtur ndër shekuj, nga monedhat e vjetra, unazat e deri tek veku e gjësendet tepër të çmuara që ndoshta këto i mungojnë edhe ndonjë muze me nam. Duke bashkëbiseduar me Masar Berishën, mësuam se ky që nga mosha 10- vjeçare, pati një dëshirë për gjërat e vjetra dhe me vlerë. Ai me këtë rast është shprehur për "Kosova Sot" se ka një përkushtim të madh ndaj gjësendeve apo siç ai i quan visare. Ai tregon, se tashmë ka arritur të grumbullojë shumë gjësende e artefakte të vjetra dhe shton se e do shumë punën e koleksionit të gjërave të vjetra.

Image

"I bëj këto gjëra nga dashuria e madhe për gjërat e vjetra"

Masar Berisha tregon se ndër vite ka mbledhur të gjitha këto artefakte që kanë vlera të mëdha të trashëgimisë. Ai, duke folur për "Kosova Sot", tregon se jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera ka shkuar edhe ka gjetur shumë mjete teknike të vjetra, të cilat edhe me një përkushtim pastaj i kam ruajtur. Kam një dashuri të veçantë për gjësendet e vjetra. Deri më tani kam arritur të grumbulloj mbi 500 monedha të vjetra metalike". Tregon se me pasion të madh ka mbledhur edhe pjesë të vjetra, si radio, pastaj vekun e shumë e shumë gjëra të tjera. "Këtë e bëj nga dashuria e madhe që ndjej për gjësendet që dikur vetëm i kam ëndërruar. Unë jam nga Rogova e Hasit dhe atje kisha dëgjuar shumë për sende të vjetra dhe që i vegël më lindi dashuria për këto", është shprehur ai. 

Image

Monedhat e argjendta

Në shtëpinë e tij ka harkun, shigjetën, e cila kishte një majë të mprehtë e ishte e çdo lloj forme e madhësie. Pastaj ka disa lloje shpatash, shtiza e topuza. Pastaj mjete të vjetra, si monedha të argjendit, unaza të gishtit dhe shumë e shumë gjësende të tjera. Është me interes të përmendim se në shtëpinë e tij ka qindra dekorime, përveç dy vijave rrethore që aludojnë për një kohë të hershme, ka edhe shumë gjësende të tjera të ruajtura me një përkushtim deri te mjete të vjetra muzikore me harqe. Në dobi këtyre gjësendeve të vjetra është edhe përmbajtja që paraqitet në një pllakë të praruar nga periudha helene që kërkohet të hulumtohet. Berisha flet me dashuri për secilën, por thotë se jo të gjithave ua di historinë dhe lashtësinë. "Interesimi im i hershëm më është shpaguar. Ka edhe raste kur njerëzit vijnë dhe blejnë këtu gjësende të vjetra. Prandaj, edhe mund të them se ky hobi im është shndërruar në profitabil. Por, edhe po të mos ishte profitabil mjafton që kjo zeje është e dashur dhe të plotë- son shpirtin e zbrazur", është shprehur ai për gazetën "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)