Modeli 'Llalla", edhe për prokurorët DHE GJYQTARËT E KORRUPTUAR KOSOVARË

  • 19 February 2018 - 15:01
Modeli 'Llalla

 

ISH-KRYEPROKURORIT TË SHQIPËRISË DHE FAMILJES SË TIJ U NDALOHET HYRJA NË SHBA, NJËJTË KËRKOHET EDHE TE NE

KAPITI:"Peshqve të mëdhenj" të krimit dhe të korrupsionit duhet t'u ndalohet hyrja në SHBA

"Duhet t'u ndalohet hyrja në SHBA të gjithë zyrtarëve kosovarë, prokurorët dhe gjyqtarët, të dyshuar për afera korruptive e kriminale. Në Kosovë askush nuk jep përgjegjësi për dështimin e drejtësisë për 10 vjet të pavarësisë, ku si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë kanë degraduar tërësisht të gjitha segmentet shtetërore. Kjo kastë e prokurorëve nuk ka shanse të hetojnë dhe as të hapin raste penale të krimit të organizuar të pushtetarëve të nivelit të lartë, qoftë në nivelin qendror apo atë komunal, për faktin se e kanë në dorë tërë sistemin e drejtësisë parapolitika, pushtetarët e nivelit të lartë të lidhur me mafiooligarkët e nëntokës kriminale", është shprehur analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot"

Duke parë nivelin alarmant të krimit dhe të korrupsionit, që ka kapur të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës, nga niveli lokal deri në majat e nivelit qendror, dhe duke përfshirë në këtë piramidë edhe sistemin e sundimit të ligjit, prokurorinë, gjykatat dhe policinë, analistët politikë dhe ekspertët e kësaj fushe konsiderojnë se për të pastruar më shpejt shtetin nga këto klane kriminale, përveç zbatimit të Ligjit të VETTING-ut, do të duhej pa vonesë që edhe në Kosovë të ndiqet modeli i izolimit ndërkombëtar të të korruptuarve të jakave të bardha, si në Shqipëri, ku SHBA- të ia ndaluan hyrjen ish- kryeprokurorit të akuzuar për korrupsion! Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi publikisht në faqen zyrtare të sekretarit të Shtetit se u ndalon hyrjen në SHBA ish- prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe familjes së tij, bazuar në informacionin se ish-zyrtari është përfshirë në korrupsion të përmasave domethënëse.

Opinionistët e gazetës mendojnë se i njëjti model duhet t'i imponohet edhe kastës kriminale të Kosovës, të ndalen të gjithë zyrtarët kosovarë, prokurorët dhe gjyqtarët, të dyshuar për afera korruptive e kriminale dhe të mos lejohet udhëtimi i tyre jashtë vendit. Një kërkesë të tillë e shtron edhe analisti Florim Zeqa."Patjetër se duhet ndjekur shembullin e Shqipërisë për ndërmarrjen e masave konkrete, ku SHBA-ja ua ndaloi hyrjen ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe familjes së tij, të akuzuar për korrupsion! Mirëpo, për dallim nga Shqipëria, duhet të ndalen të gjithë zyrtarët kosovarë, prokurorët dhe gjyqtarët, të dyshuar për afera korruptive e kriminale. Pasi në Kosovë askush nuk jep përgjegjësi për dështimin e drejtësisë për 10 vjet të pavarësisë, ku si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë kanë degraduar tërësisht të gjitha segmentet shtetërore. Kjo kastë e prokurorëve nuk ka shanse të hetojnë dhe as të hapin raste penale të krimit të organizuar të pushtetarëve të nivelit të lartë, qoftë në nivelin qendror apo atë komunal, për faktin se e kanë në dorë tërë sistemin e drejtësisë parapolitika, pushtetarët e nivelit të lartë të lidhur me mafio-oligarkët e nëntokës kriminale. Është pikërisht kjo arsyeja pse politikanët kosovarë preferojnë që nëse kanë punë me drejtësinë të gjykohen nga prokurorët dhe gjyqtarët vendorë, të cilët i mbajnë në grusht dhe diktojnë tërësisht çdo veprim të tyre, e assesi nuk e preferojnë të gjykohen nga gjykatat ndërkombëtare", është shprehur analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

Kjo garniturë e prokurorëve të korruptuar, sipas tij, as që mund ta marrin me mend që të sjellin në bankën e të akuzuarve politikanët e kalibrit të lartë, si: president, kryeministër, ministra, kryetarë komunash, kryeparlamentar, apo mafio-oligarkë të inkriminuar."Sa më parë të ndodhë ndërhyrja ndërkombëtare në sistemin e drejtësisë së vendit më të varur në rajon, aq më parë qytetarët do të lirohen nga prangat e uzurpatorëve të lirisë dhe izolimit ndërkombëtar', theksoi analisti politik Florim Zeqa për "Kosova Sot". 

Politika, prokurorët dhe gjyqtarët po ua nxijnë jetën qytetarëve të Republikës sonë Analisti Azem Osmani është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se për të përmirësuar gjendjen e degraduar në sistemin e drejtësisë duhet ndërmarrë hapa radikalë dhe të gjithanshëm."Shembulli më i mirë është rasti i ndalimit të hyrjes në SHBA të ish-kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla, i akuzuar për korrupsion në përmasa domethënëse. Ndalesa të tilla duhet të ketë edhe në Kosovë për zyrtarët e akuzuar apo edhe të dyshuar për korrupsion. Kjo gjë duhet të ndodhë patjetër, jo ndalesa vetëm të një individi, por të gjithë strukturës së përfshirë në kriminalitet e korrupsion. Po të ndodhte ky hap nga SHBA dhe BE, do të ishte një presion i madh ndaj tyre dhe lehtësim për hapat e mëtutjeshëm në largimin e kësaj strukture nga institucionet, qofshin të drejtësisë, por edhe të institucioneve tjera. Tani kemi një shembull praktik e të freskët se në momentin kur krerëve më të lartë të Kosovës nuk iu dha viza për hyrje në SHBA dhe Britani të Madhe, ata u zmbrapsën nga përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale", është shprehur ai.

PRETENI: ME PROKURORË TË KORRUPTUAR, ME GJYQTARË TË PAGUXIMSHËM, ME HETUES POLICORË TË PADIJSHËM DHE TË PADINJITETSHËM NUK KA PROGRES

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë për "Kosova Sot" se pa Amerikën, pa miqtë evropianë, nuk do të kishim as lirinë e as pavarësinë. "Nuk jemi në nivel detyre, me prokurorë të korruptuar, me gjyqtarë të paguximshëm, me hetues policorë të padijshëm dhe të padinjitetshëm nuk ka progres. Do të dëshiroja shumë që liberalizimit të vizave t'u gëzohen qytetarët e vendit dhe të sanksionohen atë që janë përgjegjës për vonesat dhe për dështimin e sundimit të ligjit. Liri për qytetarët e bllokada për politikanët, prokurorët, gjyqtarët, hetuesit policorë dhe gjithë keqbërësit, zhvatësit, hajnat dhe të padinjitetshmit. Shteti ka nevojë për patriotë dhe jo për mercenarë", theksoi analisti Hasan Preteni për gazetën "Kosova Sot" 

MIFTARI:ME NJË KLASË TË TILLË PROKURORËSH DHE GJYQTARËSH KURRË NUK DO DËNOHET NDONJË KRIMINEL I PROFILIT TË LARTË POLITIK APO I NËNTOKËS POLITIKE!

Njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari, theksoi për "Kosova Sot" se në fakt problemi nuk është te individi, por është te tërë sistemi që është kalbur nga brenda dhe nga jashtë si shoqëri, si Kosovë, prandaj do të duhej gjetur edhe në Kosovë një model të imponimit të pastrimit të sistemit. "Shembulli më i ri është ai i DASH-it amerikan, i cili u ndalon ish-kryeprokurorit të përgjithshëm shqiptar, Adriatik Llallës, dhe familjarëve të tij qasjen në territorin amerikan. Por, kjo nuk është ndëshkim aq i madh kur të kesh parasysh se keqpërdoruesit multimilionerë sot nuk e kanë fort dert ta vizitojnë Amerikën apo jo, pasi atyre u interesojnë vetëm vendet ekzotike, ku mund të jetojnë dhe harxhojnë paratë e shumta që i kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme, sidomos me korrupsion", është shprehur ai. Shton se dënimi i merituar i kryeprokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, si Kosovë si në Shqipëri do të ishte konfiskimi i pasurisë jo të justifikueshme dhe dënimi me burg për tradhti ndaj vendit. Miftari thekson se me një klasë të tillë prokurorësh dhe gjyqtarësh ne nuk mund të presim kurrë se do dënohet ndonjë kriminel i profilit të lartë politik apo i nëntokës politike."Zyrtarët e politikanët e korruptuar duhet të trajtohen si tradhtarë dhe duhet ta marrin dënimin si tradhtarë. Derisa nuk bëhet kjo gjithmonë do jemi shtet kukull, i izoluar i etiketuar, i vjedhur, i varfër dhe shtet pa perspektivë, shtet ku përveç banorëve të Kosovës të tjerët janë bosë të pasur në kurriz të banorëve të varfër, që përbëjnë 90% të totalit të banorëve", theksoi Naim Miftari për "Kosova Sot".

KAPITI: PRITET PUBLIKIM I LISTIMIT ZINXHIR I LISTËS SË TË KRIMINALIZUARVE TË TJERË,TË CILËVE DO T'U NDALOHET HYRJA NË SHBA

Sipas analistit Skënder Kapiti, degradimi i sistemit politikojuridik, si në Shqipëri dhe në Kosovë, është shembulli më i keq dhe i paparë për botën demokratike, prandaj pa drejtimin e miratimin e një Ligji VETTING-u të iniciuar nga SHBA-ja nuk ka ndërtim të shtetit ligjor në Kosovë dhe as dekriminalizim të politikës së inkriminuar kosovare."Duhet patjetër shembulli në Shqipëri edhe në Kosovë, ku Ambasada amerikane ishte promotori i miratimit të ligjit për dekriminalizimin e politikës shqiptare, si dhe për miratimin e VETTING-ut, ngritjen e strukturave të tij, dëbimin fillimisht nga detyra të ish- kryeprokurorit Adriatik Llalla, i mbushur plot me rekorde krimi e korrupsioni. Pavarësisht kësaj, SHBA-në duhet falënderuar edhe për më tej, për faktin se ajo ndërmori edhe hapin tjetër të madh, atë të ndalimit të hyrjes së ish-kryeprokurorit Llalla dhe të familjes se tij në SHBA, pas informacioneve se ai është përfshirë në afera të rënda korrupsioni. Kjo nuk do të ndalet me kaq, pasi pritet publikim i listimit zinxhir i listës së të kriminalizuarve dhe të të korruptuarve të tjerë, të atyre që quhen "peshq të mëdhenj" të krimit dhe të korrupsionit, të cilëve do t'u ndalohet hyrja në SHBA", është shprehur Kapiti për "Kosova Sot". "Edhe Kosovën ashtu si Shqipërinë e sundon mafio-oligarkia juridiko-politike e kriminalizuar, si një korporatokraci e tillë që ka kapur tërë sistemin, shoqërinë, drejtësinë dhe shtetin. Pra, aq rëndë janë degraduar politika dhe drejtësia në Kosovë saqë nuk do të mjaftonte as atje vetëm miratimi i një ligji VETTING-u, por duhet që akoma më tej të shkojnë si SHBA, ashtu edhe BE, që të ndërmarrin vendimin e ndalimit të hyrjes së politikanëve, pushtetarëve dhe të gjyqtarëve e funksionarëve të tjerë të lartë të shtetit të Kosovës që ata të mos kenë të drejtë që të hyjnë në SHBA dhe në BE", theksoi analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

Profesor universitar, Nexhmedin Spahiu, konsideron se vendosje e embargos ndaj zyrtarëve të korruptuar të Kosovës nga faktori ndërkombëtar do të ishte një ndihmë shumë e mirë për drejtësinë kosovare."Po, natyrisht, një veprim i tillë do të ndihmonte shumë sistemin gjyqësor të Kosovës. Dhe Kosova do të duhej t'i jetë shumë mirënjohjes faktorit ndërkombëtar, SHBA-së dhe BE-së, për një mbështetje të tillë në fushën e pastrimit të segmenteve të sundimit të ligjit", theksoi analisti Nexhmedin Spahiu për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)