Nëntoka kriminale, e lidhur me pushtetarët, nuk i nënshtrohet ligjit

  • 22 February 2018 - 07:33
Nëntoka kriminale, e lidhur me pushtetarët, nuk i nënshtrohet ligjit

LIGJI I XHUNGLËS SUNDON NË KOSOVË

Kapiti: Krimi po qeveris dhe po i sundon qeverinë dhe drejtësinë

Analistët politikë dhe ekspertët e fushës së sundimit të ligjit, kritikë të sistemit të tanishëm, theksojnë se pa e pastruar këtë kastë të përbërjes së institucioneve të drejtësisë nga të inkriminuarit që kanë rënë ndesh me ligjin Kosova edhe për shumë kohë do të vazhdojë të mbetet e kapur nga nëntoka kriminale, me politikanët e nivelit të lartë që do ta sundojnë e do të qëndrojnë gjithnjë "mbi ligjin", në vend që ligji të sundojë në tërë Kosovën e nëpërkëmbur. Ata potencojnë se ky sistem i brishtë i drejtësisë po krijon drejtësi të trafikuar, ngase është bërë sistem i kontrolluar nga njerëz të fortë të nëntokës, të cilët nuk pyesin më për ligje dhe nuk i frikësohen më ligjit e drejtësisë që nuk ekziston për ta realisht. Kjo situatë do të jetë kështu derisa nuk kemi një pastrim të gjeneralizuar të sistemit, sepse sa më e dobët që të jetë drejtësia kundër kriminelëve, aq më të fortë bëhen kriminelët, prandaj pastrimi duhet të ndodhë shpejt, sepse një shoqëri që aspiron Evropën nuk duhet të lejojë që njerëzit të bëhen kriminelë, por përmes masave ligjore e me dënime duhet t'ua fusë frikën se kush e shkel ligjin do të përballet me ligjin dhe drejtësinë, duke marrë edhe dënimin e merituar me ligjet e vendit!

Mungon vullneti politik

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se nuk ka shpresë të rregullohet kjo fushë derisa nuk ka vullnet politik nga ata që po e qeverisin vendin. "Inefikasiteti dhe insuficienca e prokurorive dhe gjykatave në vendin tonë, në radhë të parë, u përshtatet entiteteve fizike e juridike të korruptuara, të cilat pa reshtje abuzojnë me ligjin e aplikuar në dëmin e qytetarit, konsumatorit, institucioneve publike, tregut, kompeticionit të lirshëm dhe përfundimisht në demin e buxhetit të shtetit. Në anën tjetër, në raste jo të rralla në sistemin e drejtësisë së vendit tonë manifestohen edhe insuficienca kualitative kadrovike shkaku i sistemit arsimor që deri tani ka prodhuar në vend të specialistëve për fusha të caktuara, "specialistë për çdo gjë", përkatësisht për asgjë", u shpreh ai."Jo pak aktakuza e aktgjykime kanë rezultuar të dobëta sa për nga forma aq edhe për nga përmbajtja. Gjendja e tillë, tejet jo e mirë, do të mund të rregullohej vetëm në saje të vullnetit politik të mirë e të përcaktuar për reformime substanciale organizative, funksionale dhe kualifikuese e të mirëfillta në një anë, si dhe të krijimit të sistemit arsimor të profileve juridike të specializuara për rastet e lëndët juridike -civile, administrative, penale, ekonomike, për secilin profil veç e veç, specializim dhe përgatitje e veçantë e fushës", tha profesor Smaka për "Kosova Sot".

Koha e krimokracisë

"Në këtë rast krimi qeveris dhe i sundon qeverinë dhe drejtësinë. Kjo është gjendja më e rëndë, pasi mund të bien shteti e shoqëria dhe është e pakrahasueshme edhe me regjimet e diktaturat", u shpreh Skënder Kapiti për "Kosova Sot"

Analisti Skënder Kapiti thotë se kur drejtësia ka frikë nga krimi, kur krimi e kap drejtësinë dhe kur krimi e kap edhe politikën, atëherë kemi të bëjmë me degradim të sistemit demokratikligjor dhe realitetin mund ta quajmë vetëm krimokraci. "Drejtësia është moraliteti më i lartë për njeriun dhe për shoqërinë në një shtet dhe shteti është institucioni që i shërben shoqërisë me ligjet, të cilët nuk janë pronë dhe as e drejtë personale e askujt për të bërë çfarë dëshiron pushteti, paraja, krimi dhe korrupsioni, madje drejtësia dhe ligjet e saj e ruajnë amoralitetin njerëzor që të mos rrëshqasë në krim, korrupsion dhe në atë që është thënë nga të tjerë: për të mos sunduar ligji i xhunglës së egër, ku ligjin ta bëjë më i forti", vijoi më tutje ai. "Kur drejtësia është e frikësuar, e dobët dhe e korruptuar, ajo vendimmarrjen dhe vetë gjyqësinë ia lejon antiligjit dhe krimit, ose bëhet vetë palë dhe instrument i tyre. Kjo përbën falimentim të shtetit dhe të shoqërisë, prej së cilës burojnë pastaj të gjitha të këqijat sociale, ekonomike: pasiguria, frika, eksodi, papunësia, varfëria, moszhvillimi dhe mosintegrimi", tha Kapiti për "Kosova Sot".

"Kur flasim për sistemin tonë të drejtësisë, derisa të ndikojnë të "fortët" e politikës dhe të përdorin atë në interes të qëllimeve të tyre inkriminuese, de-fakto jemi larg standardit evropian për sundim të rendit dhe ligjit dhe me këtë edhe larg kalimit të shtegut për integrim në BE", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

Edhe analisti Naim Kelmendi i tha gazetës se me këtë mentalitet qeverisës dhe të drejtësisë së brishtë Kosova nuk mund të aspirojë për integrim në BE, e aq më pak të flasë për instalimin e shtetit ligjor."Një shoqëri si e jona, që aspiron hyrjen në Evropë, duke e theksuar atë në vazhdimësi si prioritet të dorës së parë, duhet ta ketë paraprakisht të konsoliduar dhe të stabilizuar pa asnjë luhatje edhe sistemin e drejtësisë në vend", vlerësoi ai. Sipas Kelmendit, duhet të jetë një drejtësi krejt e pavarur, e pandikuar nga politika.

MIFTARI: LIGJI NUK VLEN PËR BOSËT E KRIMIT TË ORGANIZUAR

"Këtu, te ne, duke filluar nga kryetari, kryeministri, ministrat e tutje, thyejnë ligjet çdo ditë me arrogancën e tyre, përzihen edhe në çdo tender dhe burim ku ka para, shkojnë e përzihen edhe në punë kioskash se kush kujt do t'i japë tenderët, dhe kjo tregon se tërë sistemi i shtetit është i kalbur dhe i degjeneruar dhe secila ministri është bandë politike me minibanda brenda saj, ku secila ka profitin dhe interesin e vet", tha Naim Miftari për "Kosova Sot"

Njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari, thotë se në sistemin e tanishëm të sundimit të ligjit në Kosovë deklaratat për barazi para ligjit i ngjanë vetëm një slogani të rrejshëm politik. "Slogani se ligji është i barabartë për të gjithë në Kosovë nuk ekziston, pasi ligji vlen vetëm kur janë në pyetje qytetarët e thjeshtë apo ata qytetarë që nuk kanë para ose njohshëm politikë, por kur vijnë dhe kur janë në pyetje bosët e krimit të organizuar e të lidhur me bosët politikë të korruptuar ligji dhe prokurorët përnjëmend bëjnë vetëm ciu-ciu dhe nuk u ndihet zëri fare, edhe pse në shtetet serioze sa ma i madh të jetë ligj-shkelësi, si politikisht, por edhe ekonomikisht, ai dënohet edhe më shumë, përkundër qe është në funksion politik dhe i pasur", ka theksuar ai."Mos të harrojmë shtetin gjerman, shtetin ma të fortë politikisht dhe ekonomikisht, kur kryetari i u detyrua të japë dorëheqje vetëm se kishte thirrur personalisht një bankë ku kishte kërkuar për gruan e vet një kredit me kamatë më të butë. Kjo tregon më së miri si funksionon ligji në një shtet serioz. Ndryshe këtu, te ne, duke filluar nga kryetari, kryeministri, ministrat e tutje, thyejnë ligjet çdo ditë me arrogancën e tyre, përzihen edhe në çdo tender dhe burim ku ka para, shkojnë e përzihen edhe në punë kioskash, se kush kujt do t'i japë tenderët, dhe kjo tregon se tërë sistemi i shtetit është i kalbur dhe i degjeneruar dhe se secila ministri është bandë politike me mini-banda brenda saj, ku secila ka profitin dhe interesin e vet. Kjo tregon se te ne nuk ka politikanë të mirëfilltë dhe atdhetarë largpamës, por kemi politikanë zhvatës, piratë modernë, me kollare, ku grabitin edhe tenderë varresh kur u jepet mundësia. Pra, pa një ndryshim radikal në politikë nuk ka shpresë për drejtësi dhe ardhmëri", tha Naim Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, nuk ka parime politike kur është në pyetje të vijë në pushtet, sado që dikush deri dje e ka quajt vetë hajn, vrasës, haraçegji dhe çka jo tjetër rivalin politik, kurse sot bashkëqeverisin.

(Kosova Sot)