Korrupsioni dhe krimi i organizuar po e bllokojnë zhvillimin ekonomik

  • 02 March 2018 - 08:10
Korrupsioni dhe krimi i organizuar po e bllokojnë zhvillimin ekonomik

HULUMTIMI NXJERR NË PAH SFIDAT KRYESORE TË KOSOVËS

Rrudhani: Raporti e tregon se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar në tërësi që t'i mbajë përgjegjëse këto elita shtetërore

"Në vendin tonë për vite me radhë nuk ka investime serioze të huaja në ekonominë tonë dhe kjo është duke ndodhur për arsye të mungesës së sigurisë së investitorëve të huaj, ndërsa investimet tona nga buxheti i vendit janë joadekuate dhe jokualitative. Në vendin tonë, në bazë të raporteve ndërkombëtare, korrupsioni është enorm në të gjitha nivelet e institucioneve, si në nivelin qendror edhe në atë lokal", potencoi Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot"

Bazuar në analizën e ekonomisë politike, të prodhuar për rishikim e të përgatitur nga "Management Systems International", konstatohet se Kosova përballet me tri sfida kryesore gjatë dekadës së dytë të pavarë- sisë, ndërsa në krye të saj qëndron mungesa e zhvillimit ekonomik. Analiza ndërkaq tregon se pandëshkueshmëria e elitës së vendit ndaj ndjekjes për vepra të korrupsionit dhe krim është sfida e dytë, të cilën e nxjerr ky raport. Abuzimi me pushtetin në Kosovë, sipas këtij raporti, tashmë nuk është diçka sekrete. Sistemi gjyqësor në Kosovë vlerësohet se ka dështuar që t'i mbajë përgjegjëse këto elita, për shkak se shumë prej institucioneve të rëndësishme të prokurorisë janë të komprometuara politikisht. Andaj analistët me të drejtë pyesin se si mund të kemi zhvillim ekonomik kur elita politika që udhëheq vendin, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, është tërë- sisht e kriminalizuar dhe tërësisht në duart e mafio-oligarkisë së nëntokës kriminale? Eksperti Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" tha se historia e re e Republikës së Kosovës ka kaluar nëpër ndryshime dhe transformime të veçanta politike dhe ekonomike. "Veçanërisht në 17 vitet e fundit Kosova përjetoi një transformim nga një ekonomi e centralizuar në atë të tregut. Megjithatë, ambienti ligjor, i cili është i nevojshëm për ta përkrahur zhvillimin e një ekonomie të tregut, ka qenë i paqëndrueshëm dhe i ndërlikuar. Gjatë viteve të paraluftës, Kosova ishte në një amulli të plotë juridike e ekonomike, për shkak të kontrollimit të institucioneve dhe të ekonomisë prej masave të dhunshme të ish-Jugosllavisë së mbetur", shpjegoi ai.

Plaçkitja e pronës publike

Sipas Beqirit, regjimi serb në Kosovë nuk u mjaftua me plaçkitjen e shumicës së ndërmarrjeve kosovare, duke i lënë në gjendje të mjerueshme këto biznese përgjatë viteve të 90-ta, por përmes ligjeve tendencioze, të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë u nacionalizuan si ndërmarrje të shtetit të Serbisë, çka do të thotë që edhe mbas luftës la pasoja të mëdha juridike përgjatë privatizimit."Kontribuuesit kryesorë në këtë situatë janë politikanët e Kosovës, sado që kemi ligje në harmoni me ligjet ma të zbatueshme në Bashkimin Evropian, për ne nuk vlejnë, përderisa politikanët shtyhen për interesa të tyre partiake, ekonomia e Kosovës është tashmë e dështuar. Në njërën anë është Serbia ajo që po lobon fuqishëm me të gjithë arsenalin e vet për ta paraqitur pavarësinë e Kosovës si të dështuar, e në anën tjetër politikanët tanë pa kurrfarë fytyre, duke fundosur ekonominë me veprimet e tyre të papërgjegjshme",vlerëson analisti Beqiri. Ai mendon se jemi shumë mbrapa dhe vendi ka nevojë për zhvillim, stabilitet politik për të pasur edhe zhvillim ekonomik. Edhe analisti Mustafë Kadrijaj për "Kosova Sot" tha se analiza nga USAID-i është një fakt i ditur që në vazhdimësi është ngritur si çështje nga njohësit e ekonomisë."Dallimi në mes të rritjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik qëndron që ajo rritje ekonomike nuk ka ndikuar në zhvillim ekonomik, sepse korrupsioni i shtrirë në çdo institucion dhe ndarja jo e barabartë e buxheteve komunale pra është varur në vazhdimësi cilat subjekte politike kanë qenë në pushtet qendror kanë reflektuar edhe në ato komuna ku kanë qeverisur. Kjo tregon më së miri edhe në qeverinë aktuale se të gjitha investimet i ka orientuar në komunat që qeveris AAK-ja", vlerë- soi ai."Pra, treguesit e zhvillimit ekonomik e kanë paraqitur në vazhdimësi Kosovën jo mirë, për shkak të korrupsionit, ndarjes jo të barabartë për të gjitha komunat, saqë kemi në shumë raste edhe penalizime të komunave të caktuara kemi rastin konkret me kryeqytetin e Kosovës që në vazhdimësi pushteti qendror e ka penalizuar, duke mos votuar ligjin për kryeqytetin dhe investimet i kanë stopuar vetëm për shkak të ngjyrimeve politike", potencoi Kadrijaj.

30 mijë të rinj hyjnë çdo vit në tregun e punës

Ndërsa ish-deputeti Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot" se jo vetëm ky raport i fundit nga USAID-i, por edhe raportet e tjera nga shumë institucione kredibile ndërkombëtare, Republikën e Kosovës e shohin dhe është shteti më i varfër i Evropës. Gjysma e popullsisë është e papunë, për çdo vit mbi 30.000 të rinj i shtohen tregut të punës, ndërsa jo më shumë se 5000 prej tyre gjejnë punë dhe kryesisht duke i zëvendë- suar ata që pensionohen."Në vendin tonë për vite me radhë nuk ka investime serioze të huaja në ekonominë tonë dhe kjo është duke ndodhur për arsye të mungesës së sigurisë së investitorëve të huaj, ndërsa investimet tona nga buxheti i vendit janë joadekuate dhe jokualitative. Në vendin tonë, në bazë të raporteve ndërkombëtare, korrupsioni është enorm në të gjitha nivelet e institucioneve, si në nivelin qendror dhe në atë lokal", potencoi Neziraj."Deficiti tregtar është shumë i lartë dhe është në rritje të vazhdueshme për shkak të rritjes së mëtutjeshme të importit nga vendet e huaja, përgatitja joadekuate profesionale, si dhe vendi ynë është shteti më i izoluar në Evropë, kjo tregon se në çfarë gjendje jemi", thotë më tutje ai."Qeveria 'Haradinaj' urgjentisht duhet të sigurojë mjedis institucional dhe biznesor, si dhe sundim të ligjit, me qëllim të mobilizimit maksimal të potencialit financiar të vendit dhe të thithjes së investimeve të jashtme, me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit. Nëse dëshirojmë që të ndërrojmë këtë imazh, duhet të gjitha institucionet e vendit të jenë në funksion të mbrojtjes së biznesit dhe të zhvillimit ekonomik", ka vlerësuar Neziraj.

Privatizimi, një gabim i rëndë

Analisti Florim Rrudhani për "Kosova Sot" tha se Qeveria e Kosovës duhet të marrë shumë seriozisht çdo gjetje që është bërë nga analiza e USAID-it."Janë të sakta hulumtimet e USAID-it që tregojnë se në saje të elitës politike dhe shtetërore në Kosovë po dominon mungesa e ndëshkueshmërisë ndaj bartësve të veprave të korrupsionit dhe krimit që e kapluan vendin. Veç saj, edhe abuzimi me pushtetin në Kosovë, që e tregon edhe raporti, tashmë kjo nuk përbën ndonjë lajm dhe nuk është diçka sekret", u shpreh ai. Rrudhani vlerëson se gjetja më e madhe e këtij raporti e tregon se sistemi gjyqësor në Kosovë vlerësohet se ka dështuar në tërësi që t'i mbajë përgjegjëse këto elita politike e shtetërore, për shkak se shumë prej institucioneve të rëndësishme të prokurorisë janë të komprometuara politikisht. Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot" tha se është shumë e vërtetë që Kosova vuan nga mungesa e zhvillimit ekonomik."Që nga viti 1999 e deri më sot, 70 për qind e bizneseve janë privatizuar dhe ky është një gabim fatal që e ka bërë shteti i Kosovës në fillim të viteve 2000-2001 e tutje. Kjo ngase privatizimi dha kundërefekte dhe në vend të hapjes së vendeve të reja të punës, për fatin e keq, privatizimi te ne e dha kundërefektin duke lënë papunë mbi 70 mijë veta", theksoi ai. Sipas Grapcit, edhe raporti i USAID-it e tregon se korrupsioni nuk është diçka e re në Kosovë dhe po e dëmton rëndë zhvillimin ekonomik.