Task-forcë mjekësore për Ballkanin, Kosova jashtë saj

  • 08 March 2018 - 12:35
Task-forcë mjekësore për Ballkanin, Kosova jashtë saj

Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia kanë rënë dakord të ngrenë një task-forcë mjekësore. Ajo do të jetë një njësi mjekësore shumëkombëshe, e dislokueshme, që do të mbështesë operacionet për të përballuar fatkeqësitë natyrore apo kriza me karakter human, në nivel rajonal

Marrëveshja mes gjashtë vendeve të Ballkanit për të ngritur një task-forcë mjekësore është e para e këtij lloji. Kriza e azilkërkuesve në vitet e fundit, që arrinin në vendet e BE-së duke kaluar në vendet e Ballkanit Perëndimor, tregoi domosdoshmërinë e koordinimit dhe bashkëpunimit rajonal edhe në fushën e mjekësisë. Sipas FRONTEX në vitin 2016 rreth 123,000 refugjatë kaluan përmes Ballkanit Perëndimor dhe arritën në vendet e BE-së. Numri i refugjatëve që humbën jetën në përpjekje për të arritur BE u rrit ndjeshëm në vitin 2016.

Marrëveshja synon të parandalojë episode të tilla, të ndodhura në kulmin e krizës së refugjatëve, në periudhën 2015-2016. Për këtë qëllim pritet të ngrihen ekipe të reagimit të shpejtë për të ndihmuar për situata të vështira në rajon, lehtësuar fatkeqësi natyrore apo kriza humanitare.

Ratifikim me shumicë të cilësuar

Marrëveshja ka marrë formën e një projektligji mes qeverive të gjashtë vendeve ballkanike, të cilin duhet ta ratifikojnë parlamentet përkatëse me shumicë të cilësuar ose ndryshe me 3/5 e deputetëve.

Ideja e një marrëveshjeje të tillë rajonale e ka fillesën në vitin 2015, kur kriza e refugjatëve arriti kulmin e saj. Ngritja e task-forcës mjekësore rajonale ka kosto të konsiderueshme financiare dhe logjistike, të cilat Shqipëria këtë vit është e gatshme t'i përballojë. 

(Kosova Sot)