Mafia politike e rrënoi arsimin - Lajme - Kosova Sot
Mafia politike e rrënoi arsimin

Mafia politike e rrënoi arsimin

ABUZIMI I PUSHTETIT ME DIJEN

Hyseni: Është momenti i fundit që këtë popull dhe arsimin e tij ta nxjerrim nga kjo situatë tepër e rëndë

"Fatkeqësisht, mafia politike kosovare, duke e shkatërruar arsimin në Kosovë, e ka shkatërruar shtetin dhe shoqërinë kosovare. Atë që për dekada nuk mundi ta bëjë Serbia me hekur e me barot, e bëri klasa jonë politike për interesa të ngushta karrieriste dhe të pasurimit, duke shkatërruar arsimin në Kosovë", ka thënë Ymret Reshiti për "Kosova Sot"

Në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, Kosova nën okupimin serb përjetoi gjatë ngulfatjen e arsimit, pasi logjika e okupuesit serb ishte që më lehtë është ta sundosh popullin analfabet ose gjysmë-analfabet. Por, si të shpjegohet tani kur jemi 19 vjet pas luftës, dhe të gjitha qeveritë, pa asnjë dallim, e ngulfatën arsimin, duke e shndërrua në makinë prodhimi analfabetësh me diploma? Analistët tregojnë se si u bënë me këtë model shkatërrimtar qeverisës politikanët mafiozë- profesorë, shkencëtarë, akademikë, doktorë shkencash, pa kurrfarë merite, pa asnjë lloj baze, duke korruptuar komisionet, duke blerë titujt, duke shantazhuar e duke abuzuar me ligjin e Kushtetutën e vendit.

Eksperti i arsimit, Halim Hyseni, për "Kosova Sot", tha se është momenti i fundit kur intelektualët tanë, institucionet tona arsimore, nëse vërtet i kemi ato, duke filluar nga Akademia e Shkencave, që këtë popull dhe arsimin e tij ta nxjerrim nga kjo situatë tepër e rëndë. "Asnjëherë ky popull nuk ka qenë në një rrezik më të madh kombëtar sesa që është sot", u shpreh ai. "Është momenti i fundit, që intelektualët tanë ta ngrenë zërin dhe që për fat të keq janë shpërndarë në partitë politike dhe po heshtin dhe që janë duke punuar vetëm për interesa të tyre meskine", vijoi më tutje Hyseni. Sipas tij, është harruar edukimi. "I kam analizuar ligjet që janë nja dhjetë sish dhe me të cilat rregullohet sistemi i arsimit, por është për keqardhje që nuk përmendet askund në këto ligje dhe Kushtetutë fare edukimi, ngase nuk bëhet njeriu njeri dhe nuk mund të mbrohen interesat tona kombëtare me arsimim, sepse të arsimosh e mos të edukosh do të thotë të krijosh demonë, të krijosh satana dhe të krijosh djaj", shpjegoi më tutje ai. 

Politizimi i skajshëm

"Universitetet private, për mendimin tim, janë të dështuara. Aty studentët po paguajnë shuma të larta, dhe thuhet se "nuk guxon askush të përsëritë vitin", pikërisht për këtë punë. Ku të presim pastaj arsim cilësor dhe të kemi kuadro të reja tamam të nivelit profesional", tha Skënder Mulliqi për "Kosova Sot"

 Analisti Skënder Mulliqi, për gazetën "Kosova Sot", tha se edhe arsimi si një ndër shtyllat kryesore të mbajtjes gjallë të një shteti nuk mbeti imun nga mosreformimi, nga mospuna e sinqertë dhe nga marifetet e tjera "Kemi arsim të dobët, kuadro të dobëta për mbarëvajtjen e mirë të procesit të arsimit. Në shkollat tona nuk kemi as disiplinë të duhur, po punojnë kuadro të cilat po dërgohen të papërgatitur sa duhet profesionalisht, më shumë sipas çelësit partiak, me direktiva të partive në pushtet", u shpreh ai. "Kemi një arsim bukur shumë të politizuar nga partitë në pushtet, të cilat po i kontrollojnë duke filluar nga nivelet më të ulëta deri te universitetet shtetërore e private. Po i dërgojnë njerëzit e vet në vendet udhëheqëse, të cilët shkollimet superiore dhe doktoratat i kanë marrë shkel e shko, dhe nuk kemi çka presim nga njerëzit e profilit të tillë se do të kemi arsim cilësor", vlerësoi Mulliqi. "E kam thënë disa herë se arsimi është bërë vendi ku po prodhohen analfabetë potencialë, të cilët po zënë vend edhe në administratën shtetërore, kuadrot e dobëta i kanë uzurpuar pozitat, ku nevojitet profesionalizëm i lartë", ka thënë më tej ai. Analisti Mulliqi thotë se Ministria e Arsimit duhet t'i bëjë politikat konform kërkesave të tregut dhe nevojave të tjera ekonomike të vendit, siç veprohet në secilin shtet të zhvilluar.

Komercializimi kriminal

"Në universitetet publike falen notat, blihen diplomat, ku me plagjiatura merren titujt akademikë, ku punojnë profesorë plagjiatë. Çka mund të pritet më mirë nga mafia politike që udhëheq shtetin dhe nuk kanë përfunduar as shkollat e mesme. Me analfabetë nuk ndërtohet shteti" , tha Reshiti për "Kosova Sot"

 Analisti politik Ymret Reshiti tha për " Kosova Sot", se kjo klasë politike më shumë se okupimi serb e ka ngulfatur dhe e ka degraduar arsimin në Kosovë. "Mafia politike, që udhëheq me pushtetin e Kosovës, për të kapur tërë shtetin në duar e veta ka krijuar leva të ndryshme të pushtetit. Një levë e tillë është edhe arsimi. Kjo mafi politike së pari ka krijuar pa kontroll universitete publike anekënd Kosovës gjatë fushatës elektorale, duke kërkuar vota për partitë e tyre. Pastaj kanë licencuar pa kontroll mbi 40 universitete private, që nuk e kanë plotësuar asnjë kriter serioz për cilësi të arsimit", potencoi ai. "Nëpër universitetet publike mafia politike ka punësuar si staf të universitetit militantët e saj, dhe kështu duke shtrirë propagandën dhe ndikimin e saj politik thellë te pjesa më vitale e shoqërisë- studentët. Universiteteve publike jo veçse u ka rënë cilësia dhe kriteri i studimeve, ato janë politizuar tej mase, ngase aty bëhet propaganda partiake dhe aty janë të punësuar militantët e partive në pushtet", vijoi më tej Reshiti. "Sa u përket universiteteve private, mafia politike ka bërë biznes me pronarët e tyre, për të lejuar operimin e tyre pa asnjë standard minimal", vlerësoi ai. Reshiti citon një filozof të njohur që ka thënë se ka tri mënyra për ta shkatërruar një shtet ose popull -E para, nëse ia shkatërron familjen; e dyta, nëse ia shkatërron arsimin; dhe e treta , nëse ia shkatërron elitën intelektuale. "Fatkeqësisht, mafia politike kosovare, duke e shkatërruar arsimin në Kosovë, e ka shkatërruar shtetin dhe shoqërinë kosovare. Atë që për dekada nuk mundi ta bëjë Serbia me hekur e me barot, e bëri klasa jonë politike për interesa të ngushta karrieriste dhe të pasurimit, duke shkatërruar arsimin në Kosovë", ka thënë Ymret Reshiti. 

(Kosova Sot)

 

11 orë e 47 minuta më parë
22/06/18