Qeveria 'Haradinaj' e bën rrush e kumbulla rezervën shtetërore

  • 21 March 2018 - 10:12
Qeveria 'Haradinaj' e bën rrush e kumbulla rezervën shtetërore

Papërgjegjësi e madhe në trajtimin e financave publike

Fondet për emergjenca shpenzohen në mënyrë të dyshimtë 

Ndonëse ende jemi në muajin mars, që është muaji i tretë i këtij viti, për habinë e shumicës, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar gati gjysmën e rezervës shtetërore nga buxheti. Shqetësimin e ka ngritur vetë ministri i Financave, Bedri Hamza. Në Ligjin e buxhetit për këtë vit janë paraparë 4 milionë e 800 mijë euro për rezervën shtetërore. Deputetët e pozitës dhe të opozitës dhe analistët e kësaj fushe e kanë ngritur shqetësimin se si lejohet që Qeveria e Kosovës prej janarit 2018 deri më 8 mars të këtij muaji ka shpenzuar rreth 2 milionë e 77 mijë euro. Ata ndërkaq pyesin se si po shpërndahen para nga Qeveria 'Haradinaj', krejtësisht në mënyrë të parregullt edhe pa ndonjë kriter. Në përgjigjen e dhënë nga Muharrem Shahini, drejtor në Zyrën e Komunikimit Publik të Ministrisë së Financave të Kosovës për gazetën "Kosova Sot", thuhet se ministri Bedri Hamza edhe publikisht ka kërkuar që kërkesat të planifikohen me kohë dhe të futen brenda planifikimeve të rregullta të buxhetit, ndërsa rezerva shtetërore të ruhet për rastet të cilat nën asnjë rrethanë nuk kanë mundur të planifikohen apo të parashihet në buxhet të rregullt. Zëdhënësi Shahini sqaroi se rezervat sipas Ligjit vjetor të buxhetit për këtë vit janë 4.800.000 euro. 

Shpenzimi pa kriter, tregues i keqqeverisjes

Ndërsa në përgjigjen e dhënë nga Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës për gazetën "Kosova Sot" thuhej se të gjitha vendimet për shpenzimet e buxhetit rezervë kanë arsye të plotë dhe janë vendime strategjike për vendin. "Paralajmërimet e ministrit për kujdes shtesë e rrisin vlerën dhe transparencën e angazhimit shtetëror të Qeverisë. Kritikat pa alternativë mbesin kritika të thata opozitare. Përndryshe, rezerva shtetërore sipas ligjit vjetor të Buxhetit për këtë vit janë 4 milionë e 800 mijë euro", thuhet nga Qeveria. "Duke u bazuar në vendimet e marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës deri më tani janë shpenzuar rreth 2 milionë euro. Shpenzimi i çdo shume ka qenë i domosdoshëm dhe i ka shërbyer qëllimit për çka ka ekzistuar ky fond. Prandaj, Qeveria nuk po shpërndan para në mënyrë të parregullt dhe pa ndonjë kriter, siç po pretendoni mediumi juaj", thuhet më tutje në përgjigjen zyrtare qeveritare. Por, eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha, për "Kosova Sot" tha se shpenzimi i gjysmës së kësaj rezerve në vetëm më pak se tre muaj pa përfillur asnjë kriter apo procedurë juridike të përcaktuar me ligj tregon shumë. "Kjo tregon se sa lehtë individi vjen në krye të qeverisë për të ruajtur dhe rritur pasurinë e popullit dhe e shkatërron atë pamëshirshëm. Kjo tregon për ndërtimin e sistemeve të funksionimit në Kosovë, të cilat sigurojnë që pa problem dikush të vijë në majën e piramidës së shtetit pa pasur ide themelore se çka janë procedurat ligjore dhe përgjegjësia ligjore", potencoi Meha.

Harxhimi i rezervës, tregues i jostabilitetit qeverisës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma), tha për "Kosova Sot" se ministri Hamza është duke e kryer detyrën e vet si është më së miri, por megjithatë qeveria duhet që të ketë një kujdes dukshëm më të madh se si po shpenzohen këto para dhe menaxhimi i financave."Ndonëse në fillim të këtij viti janë bërë bukur disa shpenzime, shpresoj se çështja e rezervave shtetërore të Kosovës do të rregullohet", u shpreh ai. Ndërsa deputeti i opozitës nga VV-ja, Salih Salihu, për "Kosova Sot" tha se Qeveria është duke e bërë një nguti të madhe me shpërndarjen dhe shpenzimin e këtij buxheti, përfshirë edhe buxhetin e dedikuar për rezervat shtetërore. "Po krijohet një përshtypje se edhe ata vetë nuk janë të sigurt se sa do të zgjatë kjo qeveri dhe si të shfrytëzohet ky momentum që sa më shumë t'i arrijnë ato qëllime që atyku janë interesat e tyre të shfrytëzohet koha, ngase si e thashë nuk po dihet se sa do të jetë gjatë kjo qeveri", vlerë- soi ai. "Edhe unë mendoj se është një gabim, sepse ka mospërputhje në qëndrime edhe nga vetë anëtarët e këtij koalicioni që janë në qeveri dhe kjo mospërputhje e shpenzimit të parave të buxhetit e ka detyruar edhe z. Bedri Hamza që të reagojë ndaj ministrave të tjerë", potencoi Salihu. 

Kosova, pa rezerva në raste emergjencash

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot" tha se Republika e Kosovës në përgjithësi nuk ka rezerva shtetërore në rast të krizave madhore, siç janë të parapara me Ligjin për Rezerva Shtetërore."Sipas të dhënave zyrtare nga Departamenti për Rezerva Shtetërore, Republika e Kosovës ka vetëm dy javë rezerva të grurit dhe kjo mendoj se është skandaloze, Republika e Kosovës i plotëson nevojat e veta me grurë në masën deri në 70 për qind, varësisht prej vitit dhe stimulimit të bujqve kosovarë, gjithashtu vendi nuk qëndron mirë edhe me rezervat e barnave esenciale, të cilat janë parashikuar në rast të ngjarjeve madhore natyrore", potencoi ai. "Nuk mundem pa përmendur që edhe rezervat me derivate janë të mangëta, andaj mendoj që duhet një strategji dhe një bashkim i forcave nga të gjithë, në mënyrë që sadopak të jemi në gjendje t'i dalim në ndihmë qytetarëve në këto raste, fakti se ne varemi shumë nga importi, me shqetëson komoditeti i organeve shtetërore të Republikës së Kosovës, andaj ndoshta është edhe hapi i fundit të ndërmerren hapa konkretë në mbështetje të prodhimeve vendore, pako fiskale 1.0 dhe pako fiskale 2.0 janë një ndihmë shtesë për prodhuesin vendor", vijoi më tej Beqiri. "Qeveria e kryeministrit Haradinaj në kundërshtim me ligjin ndau rreth 1 milion euro nga rezervat shtetërore për KOSTT, pra për rrymën e harxhuar nga strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës, siç dihet serbet e veriut nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar dhe deri më tani këtë energji e kanë paguar qytetarët e Kosovës, apo më mirë të themi se këto para u janë plaçkitur qytetarëve, kosovarët kanë paguar rreth 8 milionë euro çdo vit", ka thënë ai. 

Rreziqe të thella për shtetin

Ndërsa analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot" thotë se mënyra se si po sillet kryeministri aktual do të sjellë Kosovën në një risk shtetëror të palakmueshëm. "Veprimi i kryeministrit në shpenzimin e rezervës shtetërore, përveçqë po e rrezikon të ardhmen financiare, njëherësh po tregon që nuk është menaxher i mirë, sepse pavarësia ekonomike rezulton në pavarësi shtetërore. Pra, me këtë qeveri Kosova çdo ditë po e humb besimin tek faktori ndërkombëtar dhe tani me prekjen e rezervës shtetërore ku çdo shtet ndan rezervë dhe me vlera shumë të mëdha, sepse nëse çdo gjë parashikohet me plane buxhetore vetëm fatkeqësitë kombëtare nuk parashikohen nga shkaktarët natyrorë, si vërshime, tërmete e të ngjashme, por edhe njerëzore, ndonjë sulm terrorist, apo ndonjë sulm nga jashtë, që çdoherë duhet të mendohet", u shpreh ai. "Ky kryeministër dhe kjo qeveri do të mbahet mend si Qeveria më e madhe për nga ministrat dhe zëvendësministrat, por edhe qeveri e shpenzimeve dhe e pagesave me një performancë prej më të dobëtave në përjashtim të ministrit të Financave, që i vetmi që vetë po e ngrit si shqetësim zbrazjen e rezervës shtetërore", vijoi më tej Kadriaj. Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" tha se që nga paslufta në vendin tonë miratimi i buxhetit bëhet në mënyra të përshpejtuara, për shkaqe të mosstabilitetit politik dhe kjo po ndikon që buxheti nuk po planifikohet si duhet dhe nuk po diskutohet sa duhet dhe të caktohen prioritetet çfarë i duhen vendit. "Shpenzimet e rezervës së shtetit duhet të bëhen vetëm për nevoja të veçanta, si në rastet e ndonjë katastrofe natyrore ose të ndonjë shpenzimi të paplanifikuar dhe që është me rëndësi për funksionimin e shtetit", theksoi Neziraj. Sipas tij, për ngjarje të ndryshme duhet të ketë planifikim të mëhershëm dhe kod të veçantë. 

(Kosova Sot)