Deputeti i VV-së: Qytetarët u mashtruan për liberalizim, Mali i Zi përfitoi tokë nga Kosova

  • 23 March 2018 - 12:03
Deputeti i VV-së: Qytetarët u mashtruan për liberalizim, Mali i Zi përfitoi tokë nga Kosova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj ka akuzuar për tradhëti ndaj vendit, deputetët që votuan “pro” ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas Rexhajt, ata mashtruan qytetarët se demarkacioni do të sjell lëvizjen e lirë të tyre drejtë vendeve të Bashkimit Evropian, pasi që siç u shpreh ai ekziston edhe një kusht tjetër për ta përmbushur, duke aluduar tek lufta ndaj korrupsionit si kriter shtesë i vendosur nga BE.

“Qytetarët i gënjyen duke iu thënë se demarkacioni është liberalizim. Qytetarët i gënjyen se pas demarkacionit do të jetë çështje javësh kur do të marrim liberalizimin e vizave. Qytetarët i gënjyen duke i thënë se VETËVENDOSJE! ishte kundër liberalizimit. Dhe menjëherë pas aktit të turpshëm të tradhëtisë, gjakut të derdhur ndër breza për mbrojtjen dhe formimin e Republikës së Kosovës sot po thonë se ka kushte të tjera për të përmbushur”, tha Rexhaj.

Ai ka thënë se Mali i Zi përfitoi tokë nga Kosova në vlerë sa dy shtete të Vatikanit ndërsa qytetarët sipas tij do të binden se liberalizimi do të jetë çështje shumë e gjatë sa do të mjaftonte që të korigjohej në plotni ky lloj demarkimi.

Që nga muaji maj i vitit 2016, Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit.

Nga ajo kohë, Kosova i kishte vetëm edhe dy kritere për t’i përmbushur: atë të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Që nga ajo kohë vetëm demarkacioni është plotësuar, ndërsa luftimi i korrupsionit mbetët në plotësim e sipër, para se Kosova të marrë miratimin përfundimtar të vendeve anëtare të BE-së për liberalizim të vizave.

Organizata ndërkombëtare Transparency International në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017, radhiti Kosovën në vendin e 85-ta, me 39 pikë, që do të thotë se ka bërë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak kur ka qenë në vendin e 95-të me 36 pikë.

Sundimi i ligjit, rendi ligjor, ekonomia e tregut dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit, mbeten kritere për secilin vend që aspiron integrimet evropiane duhet t’i plotësojë.

Image

 

(Kosova Sot)