Bejta:Mënyra e udhëheqjes së komunës tregon qartë qasjen e kryetarit Ahmeti

  • 24 April 2018 - 22:16
Bejta:Mënyra e udhëheqjes së komunës tregon qartë qasjen e kryetarit Ahmeti

Fiknete Bejta, nga LDK-ja, ka thënë se lejet për të ndërtuar një apartament, apo ndryshime në banesën aktuale, do të duhej të lëshoheshin në një procedurë më të thjeshtësuar. "Ndërsa për punimet e vogla nuk do të duhet të ketë taksë të ndikimit në infrastrukturë. Komuna duhet të përkujdeset të respektojë në përpikëri Ligjin për ndërtim dhe të jetë josubjektive në rastin e dhënieve të lejeve për ndërtim. Edhe pse ky ligj ka të meta, ai prapë duhet të respektohet dhe Komuna e Prishtinës duhet të punojë në bazë të tij", u shpreh ajo për "Kosova Sot". "Në këtë vit lejet e dhëna të ndërtimit janë dukshëm më pak nëse e bëjmë një krahasim me vitin 2017 apo 2016. Në vitin 2017 në të njëjtën periudhë janë dhënë 71 leje dhe shumë më shumë në vitin 2016, ndërsa në këtë vit vetëm 20 të tilla. Mënyra e menaxhimit me këtë sektor shumë të rëndësishëm për vendin tregon qartë që prioritet për këtë qeverisje nuk është zhvillimi i kryeqytetit, por vetëm shërbimi ndaj grupeve të ngushta të interesit duke e shndërruar qytetin në mjet për pasurimin e tyre. Mënyra e udhëheqjes së komunës tregon qartë qasjen e kryetarit Ahmeti ndaj kryeqytetit, ai sot është vegël e "ndërtimtarëve" që dje i ndihmuan për të blerë votat dhe mekanizmat për "fitoren" e Prishtinës", vijoi më tej ajo."Shpend Ahmeti nuk mund të ketë qeverisje të drejtë dhe të ndershme përderisa dje u zgjodh kryetar në mënyrë jo të drejtë dhe të pandershme, duke shfrytëzuar asetet publike, pastaj një parti që më vonë ia ktheu shpinën si dhe duke iu dhënë premtime boshe qytetarëve të Prishtinës. Prokuroria e shtetit mendoj që e ka për obligim t'i hulumtojë të gjitha dyshimet dhe paditë që i kanë qytetarët e Prishtinës për zyrtarët e komunës", ka potencuar Bejta.

 

(Kosova Sot)