Kosova, e sunduar nga krimi, SI NË KOHËN E AL CAPONES

  • 21 May 2018 - 07:40
Kosova, e sunduar nga krimi, SI NË KOHËN E AL CAPONES

MAFIA BLEN ÇDO GJË NË VENDIN TONË

Njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë vazhdojnë ta vlerësojnë me notë negative funksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, sundimin e rendit dhe ligjit, sidomos në këtë periudhë, pas shpalljes së pavarësisë e tutje. Madje sipas analistëve Kosova gjatë dhjetëvjetëshit të fundit (nga 2008) është duke përjetuar periudhën e tmerrshme, që dikur e përjetonte Çikago nga Al Capone, nga ish-kreu e mafisë së Çikagos, kur blinte pandalshëm gjyqtarë, prokurorë e policë, blinte çfarë të donte. Duke qenë një shtet i kapur nga krimi e korrupsioni i lidhur me politikën, tani edhe në Kosovë për shumë vite po tolerohet që kriminelët të mbeten e të jenë "mbi ligjin" dhe të mbesin të pandëshkuar nga drejtësia e korruptuar. Kosova është bërë një emblemë e keqe në mes Evropës dhe në Ballkan, ku vetëm këtu mund të vjedhësh, plaçkitësh dhe të bësh lloj-lloj të këqijash, por kur je i veshur me pushtet politik dhe je pjesë e klaneve të nëntokës kriminale, nuk të prekë dhe as nuk të shqetëson askush.

Zeqa: Prokuroria aktuale, e kontrolluar dhe e ngulfatur nga politika

Analisti politik Florim Zeqa thotë për gazetën "Kosova Sot" se nuk ka asnjë dyshim që Kosova e sotme është në duart e kriminelëve dhe vagabondëve, mafiozëve dhe hajdutëve dhe ngjason në Çikago-n e Al Capones dhe në Sicilinë e "Cosa Nostra-s", ku kriminelët janë mbi ligjin, janë të paprekshëm nga ligji dhe drejtësia vendore. "Sikurse ishkreu i mafisë së Çikagos, Al Capone, që blinte gjyqtarë, prokurorë e policë, edhe shefat e mafisë kosovare blejnë dhe përvetësojnë çdo gjë në këtë vend. Prokurorët dhe gjykatësit i blejnë më lirë dhe më lehtë se në asnjë vend tjetër, kurse policia e shtetit detyrohet t'i mbyllë sy e vesh para akteve kriminale. Pra, Kosova është duke përjetuar periudhën më të tmerrshme në historikun e saj. Njerëzit e veshur me pushtet politik vjedhin, plaçkitin pamëshirshëm çdo gjë që u del përpara, bëjnë lloj-lloj të këqijash dhe prapë mbesin të paprekur nga drejtësia! Ndodh kështu pasi janë pjesë e klaneve të nëntokës kriminale, mafio-politikës dhe mafiooligarkisë kriminale. Me këtë gjyqësor dhe këtë prokurori aktuale të super kontrolluar e ngulfatur nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve të lidhur me mafiopolitikanë e pushtetarë mafiozë, jo vetëm se nuk do të këtë sundim të ligjit, do të rrezikohet ekzistenca e shtetit dhe jeta e qytetarëve në Republikën e Kosovës", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Sipas analistit Ymret Reshiti, lufta kundër korrupsionit është betejë e humbur e Kosovës përderisa drejtësia është e kapur nga mafia politike që qeveris me pushtetin."Prandaj, plotësimi i kushtit të BE-së për liberalizimin e vizave, që është luftimi i korrupsionit, është i parealizueshëm. Pikërisht udhëheqësit më të lartë të shtetit janë të përfshirë në afera korruptive, ata nuk guxon kush t'i hetojë e lëre më që t'i gjykojë. Spektaklet e orkestruara nga mediet e paguara nga pushteti dhe oligarkia kriminale e Kosovës duke prangosur zyrtarë të thjeshtë të shtetit, kinse për korrupsion, p.sh. zyrtari ka hëngër një drekë nga ndonjë palë, janë tentativa për të mashtruar popullin dhe Brukselin se kinse po luftohet korrupsioni. Po të shikosh pasuritë milionëshe të politikanëve kosovarë, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat, kryetari i Kuvendit, deputetët, kryetarët e komunave dhe disa drejtorë dhe kryeshefa të agjencive të pavarura, shumë lehtë do të bindesh se kush janë "peshkaqenët e mëdhenj" të korrupsionit në Kosovë, të cilët duhet të hetohen. Rasti 'Toka' tregon më së miri dështimin e drejtësisë në ndëshkimin e 'peshqve të mëdhenj të korrupsionit', të cilët janë pjesë e kupolës së mafisë politike", është shprehur Reshiti për gazetën "Kosova Sot". Ai shtron pyetjen se si është e mundur që me një pagë mujore një politikan për tre-katër vjet bëhet milioner. "Nuk do të duhej që Brukseli të mbyllë sytë dhe të bëjë liberalizimin e vizave për Kosovën pa u hetuar dhe ndëshkuar për korrupsion udhëheqësit më të lartë të shtetit me funksionarët e tjerë publikë që konsiderohen 'peshqit e mëdhenj'. Nuk besoj se BE-ja do ta pranojë në familjen e saj një shtet me kancer korrupsioni siç është Kosova. Nëse BE-ja do të liberalizojë vizat pa u ndëshkuar për korrupsion dhe krim të organizuar figurat më të larta shtetërore, atëherë duhet ta dimë se kemi humbur rastin historik për ta shkatërruar korrupsionin dhe krimin në Kosovë dhe fajin do ta ketë Brukseli. Bindja se një reformë në drejtësi do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar është i gabuar", ka theksuar Reshiti. Sipas tij, pikërisht reformën në drejtësi po e drejtojnë funksionarët që e kanë kapur drejtësinë dhe janë kupola e mafisë politike që pushtetin e përdorin për korrupsion dhe shtim të kapitaleve të tyre të paligjshme dhe në kurriz të popullit.

E mbytën shpresën e qytetarëve

Profesori i së drejtës, Blerim Burjani, thotë se është e vërtetë që Kosova ka devijuar shumë në rrugën e vet të shtetndërtimit. "Nuk është ajo Kosova të cilën e kanë pritur qytetarët e saj. Kosova si shtet është menduar ndryshe, si faktor i stabilitetit, shtet për të zhvilluar ekonominë dhe ndal varfërinë shekullore që nga shekulli XIX, ndërtimin e një shteti demokratik për qytetarët që tërë energjinë politike pa menduar për privilegje, politikëbërësit do ta orientonin në dobinë qytetare. Mirëpo, kjo nuk ndodhi dhe nuk po ndodh, prandaj absurdi më i madh është se nuk po shkon aspak përpara, s'ka progres fare në zhvillim ekonomik dhe mirëqenien sociale, edhe pa asnjë mbrojtje, pa mbrojte shëndetësore. Shteti është në një degradim të plotë në zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit dhe në trajtimin e shëndetit publik", është shprehur Burjani për "Kosova Sot". Ai ka shtuar se për këtë shkak në Kosovë ka rënë nataliteti, kanë humbur solidariteti dhe shpirti i qytetarëve, të cilët dikur kanë pasur edhe vullnet më të madh për zhvillim, më shumë shpresë të madhe për mirëqenie sociale e ekonomike. Sidoqoftë, edhe eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, konstaton se për fatin e keq të qytetarëve të Kosovës, Kosova gjendet sot madje edhe më keq sesa ishte Çikago në kohën e Al Capones, sindikatave të mafisë, pasi Çikago, por edhe mbarë SHBA-të kishin megjithatë zhvillim të madh industrial, por edhe ekonomiko-shoqëror, çka sot nuk përket fare me gjendjen në Kosovë, pasi zhvillimi ekonomik dhe standardi social i familjes po shkon mbrapa dhe tani jemi më të varfër dhe më të injoruar çdo ditë e më shumë.

 

(Kosova Sot)