Kelmendi:Lufta e okupatorit kishte për pikësynim shkatërrimin e forcave liridashëse që dilte nëpërmjet "Kosovës Sot"

  • 24 May 2018 - 19:15
Kelmendi:Lufta e okupatorit kishte për pikësynim shkatërrimin e forcave liridashëse që dilte nëpërmjet

Profesori i së drejtës dhe veprimtar i luftës për liri, Muhamet Kelmendi, thotë për "Kosova Sot" se në fushatën e djegieve dhe të shkatërrimeve barbare të pushtetit serb viktimë ka qenë edhe vetë gazeta "Kosova Sot", por edhe gazetat dhe revistat e tjera të asaj kohe në gjuhën shqipe. "Dënimi i gazetës "Kosova Sot" nga klika kriminale e Milosheviqit është vetëm një provë që tregon nivelin e gazetës dhe anën e popullit që ka pasur ndaj luftës çlirimtare. Ne e dimë se populli, si fëmijët, gratë e pleqtë, janë ndjekur, vrarë e terrorizuar, ndërsa shumë politikanë janë mbrojtur. Dua këtu të theksoj "Kohën Ditore" të Veton Surroit dhe të Baton Haxhiut, e cila u lejua edhe në ditët më të rënda. Po kështu ishte edhe me "Zërin". Pra, lufta e okupatorit kishte për pikësynim shkatërrimin e forcave liridashëse dhe të zërit të tyre që dilte nëpërmjet "Kosovës Sot". Kjo është mburrje për këtë gazetë dhe këtë duhet respektuar nga të gjitha forcat në vend. Por, për fat të keq, pushtetin e kanë njerëzit antipopullorë, ata që i kanë krijuar shumë dëme vendit dhe tash po vazhdojnë rrugën e njëjtë të nënshtrimit", u shpreh ai. "Jam i mendimit se z. Thaçi duhet ndaluar në çfarëdo bisedimesh. Ai vetëm dëme i sjell vendit. Këtë e kemi parë nga takimet dhe marrëveshjet e nënshkruara me shtetin serb. Kosova duhet të kërkojë në këto bisedime reciprocitet dhe njohje të menjëhershme të shtetit. Asgjë nuk ecet pa këtë. Kuptohet se nuk mund të falen kriminelët. Duhet të kapen dhe të dënohen të gjithë ata që kanë bërë krim dhe gjenocid. Ata jetojnë në Serbi dhe duhet dënuar. Po kaq e rëndësishme është edhe gjetja e të rënëve që gjinden nëpër varret masive në Serbi, sikundër edhe shpërblimi i dëmit, që kalon shifrën e miliarda eurove... Të gjithë duhet t'i themi jo Hashim Thaçit", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)