Miftari:Në fushën e sundimit të ligjit dështimet janë të qëllimshme

  • 24 May 2018 - 19:18
Miftari:Në fushën e sundimit të ligjit dështimet janë të qëllimshme

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se në fushën e sundimit të ligjit dështimet janë të qëllimshme që nga paslufta e deri më sot, sepse ky ka qenë dhe është akoma interes i lidhjeve të politikës me krimin. "Dështimi i sundimit të ligjit dhe lufta ligjore kundër krimit të organizuar kanë disa arsye për dështim, e para është se qysh menjëherë pas luftës në fillim janë bërë devijime dhe pos ish-UÇK-së nuk mbaj mend se pushtetet e pasluftës kanë ndjekur apo kanë luftuar me ligj askënd tjetër përveç neve, luftëtarëve. Pastaj partitë, sidomos PDK-ja, por edhe LDK-ja, kanë bërë luftë kundër njëratjetrës, i kanë hasmuar qëllimisht herë-herë deri në ekstremitet elektoratin e vet, edhe pse para-sistemi i sigurisë së këtyre dy partive politike kanë bashkëpunuar ngushtë ndërmjet veti", u shpreh ai."Kjo lloj lufte edhe ka ndikuar në ndarjen e zyrtarëve shtetërorë, por edhe te policët, hetuesit, prokurorët, gjyqtarët janë ndarë jo në nivelin arsimor, por a është X prokurori i PDK-së apo i LDK-së e më vonë ka hyrë në këtë sistem edhe AAK-ja, në garë për kontrollin e gjyqësisë, prokurorisë, e deri diku edhe policisë dhe sidomos firmave të mëdha shoqërore televizionit etj. Dhe, pikërisht kjo ndarje, ku edhe ndërkombëtarët kanë kontribuar për të keq, i ka dhënë fuqi krimit të organizuar, pasi në Kosovë krimi i organizuar është krimi politik. Prandaj, gjërat kanë ardhur aty ku jemi sot, kur krimi i organizuar politik ka gëlltitur shtetin, pasurinë e shtetit dhe sidomos organet e rendit dhe ligjvënies që janë plotësisht nën kontroll të mafisë politike në Kosovë", theksoi Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, sabotimi i sundimit të ligjit është i koordinuar mirë dhe secili pjesëtar i krimit të organizuar ka rolin dhe pjesën e vet të profitit nga krimi i organizuar . "Edhe ata prokurorë e policë hetues që nuk janë pjesë e mafisë nuk kanë as guxim, por as mundësi të veprojnë kundër mafisë, pasi do të mbetshin pa punë, të etiketuar, por ndoshta do humbnin edhe jetën e tyre nëse provojnë të luftojnë të vetëm mafinë, pasi janë pikërisht shefat e këtyre policëve apo prokurorëve të pakorruptuar pjesë e mafisë politike dhe nëntokës", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)