Komuna e Prishtinës paguan “gabimisht” 1.8 milion euro

  • 18 June 2018 - 09:57
Komuna e Prishtinës paguan “gabimisht” 1.8 milion euro

Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin e auditimit të Komunës së Prishtinës ka tërhequr vëmendjen për faktin se shpenzimet për mallra dhe shërbime, ku përfshihen mirëmbajtja e hapësirave të gjelbëruara, dezinsektimi i objekteve, nafta për ngrohje e të ngjashme, si dhe pagesa të ekzekutuara nga thesari për shpenzime të ndryshme operative janë paguar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale.

Sipas raportit të auditimit, vlera totale e tyre është 1,823,140€, ku prej tyre 1,571,267€ kanë qenë gjithashtu të buxhetuara gabimisht.

Shpenzime të tilla kanë ndodhur edhe në vitet e mëhershme.

Sipas Komunës, këto janë pasojë e buxhetit të kufizuar për mallra dhe shërbime e të cilat janë të domosdoshme, andaj edhe janë aprovuar me Ligjin e Buxhetit.

“Pavarësisht arsyetimeve të prezantuara, sipas standardeve të kontabilitetit të sektorit publik këto konsiderohen shpenzime operative dhe do të duhej të paguhen nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Prishtinës.

(Kosova Sot)