A mund ta dijë 'Google' KUR DO TË VDESIM?

  • 19 June 2018 - 18:22
A mund ta dijë 'Google' KUR DO TË VDESIM?

Ka mundësi që, një ditë, "Google" mund ta dijë se kur do të vdisni, vite të tëra para se të ndodhë një gjë e tillë. Në fakt, kjo kompani është në krijim e sipër të një inteligjence artificiale, e cila, me një saktësi prej 95%, mund ta dijë se a do të vdesë filan pacienti, 24 orë pasi të pranohet në spital. Kjo saktësi paraqet përmirësim prej rreth 10%, krahasuar me modelet tradicionale. Për të bërë parashikimet e veta, softueri në fjalë përdor të dhënat, sikur që janë përkatësia etnik e pacientit, mosha, gjinia, diagnozat paraprake, rezultatet e analizave laboratorike, si dhe shenjat vitale të pacientit. Por, ajo që e bën atë veçanërisht të fuqishëm, është fakti se softueri në fjalë përfshinë të dhënat të cilat më parë konsideroheshin jashtë qasjes së makinave, sikur që janë shënimet e mjekut, të bëra në dokumente, apo në formatin PDF. Përpos vdekjes, ky softuer i inteligjencës artificiale mund të parashikojë edhe hospitalizimet e paplanifikuara brenda 30 ditësh, si dhe gjatësinë e qëndrimit në spital. 

Testimi i sistemit

Ky sistem vazhdon që të gjendet në fillet e tij, por "Google" beson se, në të ardhmen, ai do të mund të përdoret për ta parashikuar vdekjen shumë kohë më përpara. Ky softuer është zhvilluar në bashkëpunim me kolegët nga Klinika universitare "UC San Francisco", "Stanford Medicine" dhe Universiteti "Chicago Medicine". Me qëllim të testimit të sistemit, "Google" mori të dhëna të de-identifikuara nga 216,221 të rritur, me më shumë se 46 miliardë 'pikash të të dhënave' midis tyre. Pasi kishte studiuar të dhënat, inteligjenca artificiale (AI) ishte në gjendje që të identifikonte cilat fjalë shoqëroheshin nga rezultatet më të mundshme. Edhe pse të dhënat nuk janë vlerësuar, "Google" pretendon për një përparësi të madhe krahasuar me modelet tradicionale. Ata thonë se, përparësia më e madhe, është aftësia e sistemit që të përdorë të gjitha llojet e të dhënave. Nigam Shah, profesor në Universitetin "Stanford", ka deklaruar se, deri në 80% të kohës, shpenzohet për modelet e parashikueshme, me qëllim që të dhënat të bëhen të prezantueshme. "Me "Google"-n është një gjë krejtësisht tjetër, shumë më e lehtë", thotë ai. Në një deklaratë të bërë me shkrim, shkencëtari hulumtues i kompanisë "Google", që është edhe doktor i mjekësisë, Alvin Rajkomar, thotë: 'Kur pacientët pranohen në spital, ata kanë shumë pyetje se çka do të bëhet më pas. Kur do të lëshohen në shtëpi, a do të bëjnë më mirë, a do t'ju duhet që përsëri të shtrihen në spital, etj. Parashikimi se çka do të ndodhë në të ardhmen, është një aplikacion natyror i të mësuarit nga makinat. Softueri i "Google"-s mund të parashikojë një varg gjërash, duke përfshirë edhe gjatësinë e qëndrimit të pacientit në spital, si dhe gjasat për pranim të sërishëm të tij. Për çdo parashikim, një model i thellë i të mësuarit lexon të gjitha të dhënat në dosjet elektronike, nga më të vjetrat, deri më të rejat, e më pas mëson se cilat të dhëna ndihmojnë në parashikimin e së ardhmes. Rezultatet përfundimtare tregojnë një saktësi mahnitëse". Gjetjet e plota të këtij studimi janë publikuar në revistën profesionale "Digital Medicine", transmeton "Kosova Sot Online".

Si mëson inteligjenca artificiale?

Sistemet e inteligjencës artificiale mbështeten te rrjetet e neuroneve artificiale (ANN), të cilat simulojnë mënyrën sesi funksionon truri, me qëllim që të mësojnë. ANN mund të bëhet që ta njohë një tipar në informatë, duke përfshirë edhe të folurit, të dhënat me shkrim, apo pamjet vizuale. Inteligjenca artificiale (AI) konvencionale përdorë të dhënat për ta 'mësuar' një algoritëm rreth një subjekti të veçantë, duke e 'ushqyer' atë me sasi masive të informatave. Aplikacionet praktike përfshijnë shërbimet përkthyese të "Google"-s, njohjen e fytyrës nga softueri i "Facebook"-ut, si dhe filtrat e ndryshimit të pamjes të "Snapchat"- it. Procesi i marrjes së këtyre të dhënave mund të marrë shumë kohë. Një lloj i ri i rrjeteve ANN, të quajtura Rrjetet kundërshtuese të neuroneve, krahason dy 'bot' të AI, duke ua mundësuar atyre që të mësojnë nga njëri-tjetri. Kjo e përshpejton procesin e mësimit.  

 

(Kosova Sot)