Ahmeti:Sistemi i kapur nga mafio-oligarkët

  • 21 June 2018 - 15:46
Ahmeti:Sistemi i kapur nga mafio-oligarkët
"Me çlirimin dhe pastrimin e këtij sistemi, drejtësia e mohuar dhe selektive do të kthehet për qytetarët në mënyrë të barabartë e të paanshme, kurse të kriminalizuarit dhe të korruptuarit do të përfundojnë në burg dhe do t'u konfiskohet pasuria e pajustifikueshme, e cila do t'u kthehet qytetarëve", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot" 

 Analisti dhe njohësi i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, thotë se korrupsioni në një shtet është kancer për shoqërinë dhe vrasje e të ardhmes së asaj shoqërie, prandaj edhe luftohet me ngulm kudo që ka shtet të fuqishëm ligjor, por kjo nuk ndodh në shtetin akoma të brishtë të Kosovës, pasi i kemi në krye të vendit janë njerëzit e korruptuar. "Mbijetesa e njerëzve të korruptuar e të kriminalizuar në një shoqëri tranzicionale është falë kapjes së sistemit nga mafio-oligarkët dhe strukturat kriminale të nëntokës. Është fakt i pamohueshëm se korrupsioni e krimi nuk luftohen nga të korruptuarit e të kriminalizuarit, është shumë logjikë e thjeshtë, pasi ata nuk e luftojnë veten. Për të luftuar krimin e korrupsionin duhen të plotësohen disa parakushte të cilat e determinojnë rrjedhën e proceseve të pastra drejt pastrimit e verifikimit të zyrtarëve publikë, të cilët janë të përfshirë në krim e korrupsion", vlerësoi ai."Në situatën aktuale në Kosovë, gjithherë duke marrë për bazë konstelacionin politik qeverisës, shtetit të Kosovës i duhet një presion nga jashtë për të futur drejtësinë në binarë të duhur e të domosdoshëm, pasi konstelacioni qeverisës nuk ka vullnetin minimal për t'i shtyrë këto procese përpara. Ligji për Vetting-un është imperativ i kohës që të iniciohet, qoftë nga pozita, opozita, por se jo edhe nga shoqëria civile, pasi është shpresa dhe mundësia më e mirë që sistemi i drejtësisë të pastrohet nga njerëz të korruptuar e kriminalizuar dhe njëkohësisht të largohet sistemi i drejtësisë nga kthetrat e politikës", potencoi Ahmeti. Sipas tij, çlirimi dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë nga politika është shpëtimi më i nevojshëm që duhet t'i ndodhë shtetit të Kosovës. 

(Kosova Sot)