Ministrat e PDK-së nuk e ndjekin shembullin e Hamzës, s’e refuzojnë dyfishimin e pagës

  • 23 June 2018 - 16:18
Ministrat e PDK-së nuk e ndjekin shembullin e Hamzës, s’e refuzojnë dyfishimin e pagës

Shembullin e Ministrit të Financave, Bedri Hamza për refuzimin e pagës me rritje duket se nuk do ta ndjekin kolegët e tij partiak që udhëheqin dikastere tjera në Qeverinë Haradinaj. Nuk dihet nëse, Abelard Tahiri, Dhurata Hoxha, Uran Ismaili, Kujtim Gashi e Besim Beqaj do t’i bashkohen vendimit të Hamzës apo do ta pranojnë dyfishimin e pagës. Asnjëri nga ta nuk ka qenë i gatshëm të flasë për këtë çështje gjatë ditës së shtunë.

Ministrat pasi u pyetën nëse do ta refuzojnë apo pranojnë pagën me rritje, thanë se do të përgjigjen më vonë. Por, të njëjtit nuk u deklaruan më. Nuk dihet as qëndirmi i Enver Hoxhajt (zëvendëkryeministër), nëse do ta pranojë dyfishimin e pagës ose jo.

Gjatë ditës së djeshme Bedri Hamza bashkë me këshilltarët e tij u bë ministri i parë që doli kundër vendimit të Ramush Haradinajt, duke hequr dorë që të marrë pagën me rritje. Vendimi në fjalë u pa nga shoqëria civile si vendim partiak për poena politike.

Por, këshilltari politik i Hamzës, Lulzim Rafuna, tha se Ministri po heq dorë nga paga me rritje për t’i që ndruar besnik parimit të tij dhe se rritja e pagës e dëmton buxhetin e Kosovës.

"Ministri ka kërkuar nga Departamenti i Thesarit që paga e tij të mos rritet, meqë do t'i qëndrojë besnik parimit të tij që e ka thënë edhe në mbledhjen e Qeverisë", tha Rafuna për Gazetën Express.

Analisti, Astri Gashi gjatë ditës së djeshme ka shkruar në Facebook se vendimi i ministrit Bedri Hamza që të refuzojë marrjen e rrogës me rritje, është përpjekje për ta ndrequr imazhin e PDK-së dhe është një hipokrizi. Gashi vlerëson se po ta kishte njëmend Hamza, atëherë ai do të refuzonte zbatimin e vendimit.

Sidoqoftë, vendimi për rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë nga kryeministri, Ramush Haradinaj, është parë i dëmshëm për buxhetin dhe është quajtuar skandal nga qytetarët e Kosovës.

Në 100 ditëshin e qeverisjes së tij, Haradinaj kishte marrë vendimin për rritjen e pagave duke filluar prej tij e deri te zyrtarët që mbajnë pozita më të ulëta. Ky vendim e radhiti atë si njëri prej kryeministrave më të paguar.

Javën e Kaluar Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se vendimi në fjalë nuk përbën ndonjë shkelje.

Pavarësisht situatës së re të krijuar pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Hasan Preteni thotë se Agjencia Antikorrupsion duhet të bëjë Kallëzim Penal në momentin kur kryhet vepra penale e konfliktit të interesit.


(Kosova Sot)