FBI-ja ua kishte dhënë prindërve beben e tjetërkujt

  • 24 June 2018 - 19:08
FBI-ja ua kishte dhënë prindërve beben e tjetërkujt

Paul thotë se gjithmonë kishte dyshime se Dora dhe Chester ishin me të vërtetë prindërit e tij biologjikë

Paul Fronczak ishte rritur në Çikago me prindërit, Dora dhe Chester Fronczak, si dhe me vëllain, Dave Fronczak. Kur Paul kishte pasur vetëm dhjetë vjet, ai kishte mësuar lajmin e keq se, derisa ishte bebe, ishte rrëmbyer. Dora dhe Chester i kishin thënë Paulit në vitin 1964 se, kur ai kishte vetëm një ditë pas lindjes, ishte rrëmbyer nga një spital i Çikagos. Ata i kishin thënë atij se ishin ribashkuar dy vjet më pas, pasi që policia gjeti një djalë dyvjeçar, i cili ngjante me djalin e tyre. Djali në fjalë ishte lënë në një qendër tregtare. Meqë asokohe nuk bëhej testi i ADN-së dhe për shkak se ekzistonte vetëm një fotografi e Paulit, e bërë menjëherë pas lindjes, nuk kishte asnjë mënyrë që Dora dhe Chester ta dinin saktësisht se ai me të vërtetë ishte djali i tyre i rrëmbyer. 

Në vitin 2015, Moore zbuloi identitetin e vërtetë të Paulit

Paul, 54 vjeç, tani edhe vet prind i një fëmije, thotë se, meqë ngjante me beben e zhdukur, prindërit e morën dhe u munduan që çështjen e rrëmbimit ta harronin sa më shpejt. Megjithatë, Paul thotë se gjithmonë kishte dyshime se Dora dhe Chester ishin me të vërtetë prindërit e tij biologjikë, prandaj në vitin 2012, ai ua kishte thënë këtë atyre. Ata në fillim ishin pajtuar që ta bënin testin e ADN-së dhe kishin dhënë mostrat e tyre, por më pas i kishin rënë pishman dhe kishin kërkuar nga ai që të mos i dërgonte mostrat për analizë. Por, Paul thotë se, megjithatë i dërgoi mostrat, me ç'rast më pas zbuloi se Dora dhe Chester nuk ishin prindërit e tij. MPaul thotë se prindërit që e kishin rritur, më pas nuk folën me të për një vit, meqë nuk kishte respektuar dëshirën e tyre, por ai tani thotë se dëshiron ta dijë se kush janë prindërit e tij biologjikë, prandaj ka angazhuar një gjenealog gjenetik, për t'ia gjetur ata. CeCe Moore, ekspertja e gjenealogjisë, e angazhuar nga Paul, thotë se, pas një pune të lodhshme, më në fund ishte në gjendje t'ia ofronte një përgjigje Paulit. Në vitin 2015, Moore zbuloi identitetin e vërtetë të Paulit - emri i tij është Jack Rosenthal. Paul tregon se si shkoi në familjen Rosenthal dhe mësoi disa sekrete të errëta rreth prindërve të tij biologjikë. Sipas Paulit, nëna e tij biologjike ishte alkoolike, derisa i ati i tij ishte një veteran 'me probleme mendore'. Që të dy tanimë kanë vdekur. Të afërmit i kanë treguar Paulit se ai kishte një motër binjake, të quajtur Jill, e cila u zhduk, pasi që supozohet se u la pas dore nga prindërit. Familja Rosenthal kurrë nuk mori vesh se çka u bë me Jillin, prandaj ajo mbetet e zhdukur, transmeton "Kosova Sot Online".

Paul Fronczaku i vërtetë ende nuk është gjetur

Paul ka marrë vesh nga një kushëri i tij se, derisa ishin të vegjël, atë dhe motrën e tij binjake prindërit i mbanin në një kafaz dhe ata vazhdimisht qanin. Paul ende nuk di si erdhi puna që të braktisej në një qendër tregtare, por mendon se diçka tragjike i kishte ndodhur motrës së tij, Jill, prandaj prindërit e kishin braktisur, me qëllim që të humbnin gjurmët. "Mendoja se, pasi që ta merrja vesh identitetin tim të vërtetë, do të ndjeja lehtësim, por këtë nuk jam duke e përjetuar tani, sidomos për shkak se mësova se kisha një motër binjake, e cila konsiderohet e zhdukur", thotë ai. Paul shton se, në fakt, ai e kishte filluar këtë mesele për ta gjetur djalin e rrëmbyer të prindërve që e kishin rritur, por nëse përgjatë këtij procesi, zbuloi identitetin e vet, atëherë ky është një bonus. Paul Fronczak i vërtetë ende nuk është gjetur. Paul thotë se hetuesit privatë besojnë të kenë gjetur mbetjet mortore të motrës së tij, Jill, si dhe të djalit të çiftit Dora dhe Chester. Paul thotë se planifikon që të zhvarrosë ato mbetje mortore, për ta kuptuar realitetin. Paul thotë se, për momentin, do ta mbajë emrin me të cilin është rritur, por shpreson që, një ditë, do ta ndryshojë atë në Jack Rosenthal.

(Kosova Sot)