MIFTARI: SHTETI DHE POLITIKA JANË KAPUR NGA KRIMI I ORGANIZUAR

  • 25 June 2018 - 12:49
MIFTARI: SHTETI DHE POLITIKA JANË KAPUR NGA KRIMI I ORGANIZUAR
 Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se Kosovës i është bërë e padrejtë me ekstra kushte të shtuara në BE sa i takon të drejtës së lëvizjes së lirë pa viza."Në rastin e Kosovës BE-ja ka dështuar totalisht dhe nuk ka qenë korrekte aspak me popullin e Kosovës, duke i qitur kushte të veçanta, si demarkacioni i dhimbshëm në dëm të Kosovës, kushte që nuk i ka pasur asnjë shtet tjetër, por tani edhe mospranimi i shtetësisë së Kosovës nga 5 shtete evropiane është tregim në vete. Por kushti për sundim të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit është kusht dyfytyrësh pasi BE-ja e di shumë mirë se politikanët Kosovës këtë kusht nuk do ta zbatojnë kurrë në masën 100%, pasi askush nga politika dhe pushteti aktual në Kosovë nuk do ta arrestojë vetveten. Po e them dyfytyrësh, pasi është pikërisht EULEX-i evropian si mision special që kishte mundësi ta përmbushte këtë kusht, por dështoi edhe vetë EULEX-i dhe në një mënyrë u bë protagonist i aferave korruptive, i lojnave politike negative, sepse nga shtete të ndryshme evropiane ishte edhe mbështetja e politikanëve vendorë të korruptuar, ku kemi me dhjetëra e qindra afera kriminale nga korrupsioni, e deri në akuza për vrasje politike, dhe prapë mbështeten politikisht dhe përkrahen sipërfaqësisht nga BE-ja, por edhe nga SHBA-ja", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas tij, shteti dhe politika janë kapur nga krimi i organizuar i brendshëm, por edhe i jashtëm ndërkombëtar, prandaj VETING-u është i padëshirueshëm sot për sot, si për vendorët, ashtu edhe për një pjesë të madhe të stafit diplomatik ndërkombëtar."Nëse nuk i kemi luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin vendor e ndërkombëtar për 10 vjet, si do ta luftojmë tani për ca muaj apo javë. Pra, derisa ne po e tallim vetveten, pastaj edhe të tjerët pse mos të luajnë e të tallen me ne", tha Naim Miftari për "Kosova Sot"