”Njeri i keq ky Safeti!” Një kriminel shqiptar bëhet shkas për ‘luftë’ në politikën belge

  • 20 July 2018 - 21:28
”Njeri i keq ky Safeti!” Një kriminel shqiptar bëhet shkas për ‘luftë’ në politikën belge

“ Njeri i keq ky Safeti... I nisur nga Shkodra bashkë me vëllezërit dhe kushërinjtë e tij, donte të kontrollonte tregun e drogës dhe prostitucionit në Bruksel dhe për kete arsye, ka përdorur të gjitha mjetet: shkatërrim pronash, përdorim të armëve të zjarrit, tentative vrasje, raketa, zhvatje, trafik të qenieve njerëzore...”

Fjalët e mësipërme janë publikuar në një shkrim të gazetës belge “La Derniere Heure” e cila u pasua me një tjetër shkrim (18 korrik) ku shpjegohej se trafikanti shqiptar Safet Rustemi zotëronte një biznes të madh në plazhin e Velipojës, e se madje ai u pa në kohën kur Shkodra u trondit nga vrasja e dyfishtë e Boran Bërçamës e bashkëshortes së tij Silvi Ndoci.

Por duket se shkrimet e medias për shqiptarin e rrezikshëm, të dënuar me 22 vite burg në Belgjikë, kanë sjellë gjithashtu dhe një përplasje në politikën e shtetit evropian.  Opozita ka kritikuar Ministrin e Emigracionit Theo Francken për mënyrën sesi qeveria e ka “hequr qafe” Rustemin përmes depërtimit. Deputeti i opozitës Uter de Vriend deklaroi se qeveria është kthyer në rrezik për vendin pasi në vend të arrestimit ka shkuar të deportojë shqiptarin e dënuar me burg në Belgjikë. Rezultati? Safet Rustemi ende i lirë sipas të gjitha gjasave në qarkun e Shkodrës edhe pse është njëri ndër më të kërkuarit në Belgjikë.

Madje, për ta bërë edhe më kontroverse situatën, në rastin e depërtimeve, ashtu si dhe me Safet Rustemin, ka qenë shteti belg që i ka paguar “udhëtimin” trafikantit.

 ‘Kjo mënyrë deportimi me shpejtësi për emigrantët sjell rreziqe. Obsesioni për t’i hequr qafe me nxitim është rrezik për sigurinë tonë” do të deklaronte deputeti opozitar në debat me Ministrin belg Francken.

Kujtojmë se media belge ka shkruar më 18 korrik se Safet Rustemi po shfrytëzon një biznes në plazhin e Velipojës, ku ka rreth 620 shtretër e shezlongë.

 “5 familjet e më të fortëve të Shkodrës shfrytëzojnë Velipojën. Safet Rustemi shfrytëzon 620 shtretër plazhi dhe shezlongë. Safet Bajri zë një vend qëndror në Plazhin e Velipojës. 5 familjet e më të fortëve të shkodrës shfrytëzojnë Velipojë.”-shkruan  “La Derniere Heure”.

Me publikimin e këtyre artikujve, të parët që kanë reaguar kanë qenë eksponentë të opozitës. Ish kryeministri Sali Berisha do të shkruante rreth një javë më parë se krimineli është sponsorizues i PS-së në Shkodër dhe mik i Edi Ramës e deputetit socialist Luan Harusha.

Ky i fundit do të reagonte në lidhje me akuzat duke thënë se familjen Rustemi (Bajri) e kishte thjesht komshie dhe se ai nuk kishte lidhje me Safet Rustemin.

 

(Kosova Sot)