Pazaret e Thaçit plotësojnë orekset grabitqare të Serbisë ndaj Kosovës

  • 23 July 2018 - 07:41
Pazaret e Thaçit plotësojnë orekset grabitqare të Serbisë ndaj Kosovës
Kelmendi: Thaçi e ka krahun e fortë të mbrojtjes edhe nga Specialja nëpërmes agjentëve të tij 

"Thaçit duhet t'i merret mandati i presidentit derisa nuk ka mbërri deri te sakatimi i territorit të Kosovës. Thaçit duhet t'i merret mandati i presidentit, pasi mund ta sakatojë e ta tradhtojë territorin për ambiciet e tij dhe frikën nga Specialja. Edhe pyetja ime për Thaçin do të ishte: pse po ngutesh Hashim Thaçi kaq shumë për të bërë pazar territorin e shtetit të Kosovës, a është arsyeja e vetme për t'i ikur e për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale", thotë analisti Ragip Guraziu për gazetën "Kosova Sot"

Analistët politikë dhe qytetarët e anketuar nga gazeta po e shohin me shumë shqetësim vrapimin e zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës, në krye me presidentin Hashim Thaçi, të cilëve aq shumë po u ngutet për të rifilluar procesin e ri të bisedimeve me Serbinë, edhe për të bërë pazar me territorin e shtetit të Kosovës, duke e parë këtë se është arsyeja vetëm për t'i ikur e për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale, duke e caktuar tanimë edhe takimin e radhës me Aleksandër Vuçiqin në Bruksel në fillim të shtatorit. Shqetësimi ,sipas analistëve, mbetet akoma më i madh derisa edhe opozita po tregohet tërësisht indiferente, ndërkaq që edhe populli është shumë i habitur e nuk po reagon, pasi spekulimet për gjoja rrezikun për ndarjen e Kosovës, e për çka flitej prej kohësh, pra për pazaret në kurriz të sovranitetit të vendit dhe integritetit territorial, tanimë janë më evidente se kurrë më parë. Analistët thonë se mbetet shqetësues fakti se si dhe pse po lejohet të përpiqet Hashim Thaçi për interesa personale, të lërë në harresë historinë e negociatave vërtet të dhimbshme që u kurorëzuan me planin 'Ahtisari', prej të cilit erdhi edhe pavarësia, me kushtëzime dhe privilegje të jashtëzakonshme për pakicën serbe, e cila, edhe pse përbën vetëm më pak se pesë për qind të popullsisë, gëzon të drejta edhe më të shumta edhe se shumica dërrmuese që është shqiptare, dhe tani të ndodhin koncesione dhe pazare akoma më të thella në raport me Serbinë dhe në dëm të shtetit të Kosovës. Sipas analistëve dhe njohësve të botës akademike, mbetet shqetësues fakti se si po përpiqet ky lidership politik qeverisës në krye me presidentin Thaçi që t'ia sigurojë pakicës serbe edhe territorin për akomodimin e mekanizmit puroantikushtetues "Zajednicës" dhe si po i bën pazaret trafikuese e tradhtare territoriale Hashim Thaçi, vetëm në këmbim të shpëtimit të vetes së tij nga Gjykata Speciale, të cilën ndoshta edhe e meriton si një sfidë për pastrimin e figurës së tij të dyshimtë më herët në luftë dhe tani në paqe.

Burjani:Është fatkeqësi e madhe se si ndodhi që Hashim Thaçi të bëhet aksidentalisht pjesë e politikës! Analisti Blerim Burjani u shpreh për "Kosova Sot" se është fatkeqësi e madhe se si ndodhi që Hashim Thaçi të bëhet aksidentalisht pjesë e politikës dhe tani Kosova t'i vuajë pasojat e kësaj figure të së kaluarës dhe të së tashmes me shumë të panjohura. "Është plotësisht e papranueshme se si ky njeri, që aksidentalisht është politikan në saje të luftës dhe diti e s'diti ka bërë probleme të mëdha në dialog me Serbinë. Rreth 30% e përkrahin atë si politikan, përderisa 70% janë të painteresuar fare për të. Ky, pra Hashim Thaçi, pas luftës është mbajtur në skenë politike duke krijuar pa ndalë favore për bashkëmendimtarët dhe servilët. Vetëm hutimi dhe nxitimi i pamatur i mendimit popullor dhe euforia e asaj kohe e ka mbajtur dhe e mban në pushtet një njeri të tillë", theksoi analisti Blerim Burjani për "Kosova Sot". Sipas tij, për ta ruajtur pushtetin, z. Thaçi me kohë ka punuar në krijimin e infrastrukturës kapëse dhe kjo ka qenë dhe do të jetë një infrastrukturë e instaluar në shtet pa dinjitet dhe pa përgjegjshmëri në të gjitha nivelet. Sipas tij, Thaçi është një injorant i madh ndaj aftësisë dhe diturisë akademike të tjetrit. "Përfundimisht duhet ta themi qartë që kompromisi me Serbinë nuk duhet të jetë as ndarja e as shkëmbimi territorial, por vetëm ruajtja dhe forcimi i të drejtave të pakicave sipas standardeve demokratike. Kosova nuk duhet të pranojë kurrfarë dialogu për ndarje apo shkëmbim territorial me asnjë kusht", theksoi Burjani për "Kosova Sot".


ZEQA: PARTITË DUHET TA NDALIN SA MË PARË KËTË "AZGIN" NË NDËRMARRJEN E VEPRIMEVE TË RREZIKSHME PRESIDENCIALE NË DËM TË INTEGRITETIT DHE SOVRANITETIT SHTETËROR!

Analisti politik, Florim Zeqa konsideron se për ta shpëtuar vendin nga rreziku i ri i pazareve me territore, në procesin e tanishëm të bisedimeve, duhet ndërprerë këto bisedime dhe duhet marrë mandatin e presidentit, presidentit të tanishëm Hashim Thaçit. "Ndërprerja e dialogut me Serbinë në Bruksel dhe heqja e mandatit të presidentit Hashim Thaçi, janë detyrë urgjente e Kuvendit të Kosovës, gjegjësisht partive politike kosovare, të cilat duhet ta ndalin sa më parë këtë "Azgin" në ndërmarrjen e veprimeve të rrezikshme presidenciale në dëm të integritetit dhe sovranitetit shtetëror. Çdo vonesë dhe çdo lëshim në këtë drejtim do të jetë me pasoja afatgjate për vendin. Për shkak se Kosova nuk guxon të bëjë lëshime të tjera, të cilat do ta vënin pikëpyetje stabilitetin fatal kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial si shtet i pavarur. Me të gjitha mjetet duhet të ndalen aventurat e Hashim Thaçit për interesat e tij personale, i cili e ka lënë në harresë historinë e negociatave vërtet të dhimbshme që u kurorëzuan me planin 'Ahtisari', prej të cilit erdhi edhe pavarësia, me kushtëzime dhe privilegje të jashtëzakonshme për pakicën serbe, me më pak se pesë për qind të popullsisë, e cila gëzon të drejta edhe më të shumta edhe se shumica dërrmuese e popullatës shqiptare në Kosovë, precedent ky i paparë dhe padëgjuar në botën demokratike", është shprehur analisti Zeqa për "Kosova Sot". Ai shton se Serbisë i ngutet të marrë shpërblimin dhe benefitet nga BE-ja nga frytet e dialogut në Bruksel, prandaj Kosova nuk e ka asnjë arsye të ngutet me marrëveshjet e dëmshme për vendin. "Pasi Kosova, pa u njohur paraprakisht nga BE-ja, nuk mund të ndodhet fare në agjendat e saj për anëtarësim në këtë organizatë. Nuk dua të flas në mënyrë hipotetike, pse i ngutet Hashim Thaçit kaq shume për ta vënë në pazar territorin e shtetit të Kosovës me Aleksandër Vuçiqin në Bruksel në fillim të shtatorit, por me përgjegjësi e them se, duhet të jenë arsye tepër të forta që e shtyjnë presidentin e një shteti sovran t'i qet në "pazar" asetet kryesore të vendit për të kënaqur orekset grabitqare të armiqve shekullor!", është shprehur ai për gazetën. " Deshi apo s'deshi ta pranojë Hashim Thaçi, legalizimi i mekanizmit puro-antikushtetues i "Zajednicës" në veri dhe shtrirjen e saj gjeografike në brendi të vendit, është produkt i pazareve trafikuese të përmasave tradhtare! Në anën tjetër, opozita shkaku i pafuqisë së saj po tregohet tërësisht indiferente ndaj akteve të tradhtisë kombëtare dhe shtetërore, në disa raste duke u bërë edhe vetë pjesëmarrëse (in)direkt në trafikimin e territorit të vendit (Demarkacioni me Malin e Zi), ndërkaq popullata e hutuar nga veprimet e politikës, hesht e nuk reagon, edhe pse pazaret në kurriz të sovranitetit të vendit dhe integritetit territorial tanimë janë aktuale dhe pjesë e përditshmërisë tonë!", theksoi analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".


GURAZIU:THAÇIT DUHET T'I MERRET MANDATI I PRESIDENTIT, DERISA NUK KA MBËRRI DERI TE SAKATIMI I TERRITORIT TË KOSOVËS!

Shpëtimin nga sakatosja dhe defunksionalizimi i plotë i shtetit të Kosovës, përmes veprimit urgjent të Kuvendit të Kosovës që t'i merret mandati presidentit Thaçi, e sheh edhe analisti Ragip Guraziu. "Thaçit duhet t'i merret mandati i presidentit, derisa nuk ka mbërri deri te sakatimi i territorit të Kosovës. Thaçit duhet t'i merret mandati i presidentit pasi mund ta sakatojë e ta tradhtojë territorin për ambiciet e tij dhe frikën nga Specialja. Edhe pyetja ime për Thaçin do të ishte: pse po ngutesh Hashim Thaçi kaq shumë për të bërë pazar territorin e shtetit të Kosovës, a është arsyeja e vetme për t'i ikur e për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale , duke e caktuar tanimë takimin e radhës me Aleksandar Vuçiqin në Bruksel në fillim të shtatorit? Mirëpo, për mua është shqetësues fakti se si edhe opozita akoma po tregohet tërësisht indiferente, ndërkaq që edhe populli po duket se është shumë i habitur e nuk po reagon për rrezikun për ndarjen e Kosovës, e për çka flitej prej kohësh, pra për pazaret në kurriz të sovranitetit të vendit dhe integritetit territorial", është shprehur Guraziu. Ai tutje ka shtuar: "Përfundimisht e ndaj mendimin se nuk duhet t'i lejohet Hashim Thaçit për interesa personale, të lërë në harresë historinë e negociatave vërtet të dhimbshme që u kurorëzuan me planin 'Ahtisari', prej të cilit erdhi edhe pavarësia, me kushtëzime dhe privilegje të jashtëzakonshme për pakicën serbe, e cila, edhe pse përbën vetëm më pak se pesë për qind të popullsisë, gëzon të drejta edhe më të shumta edhe se shumica dërrmuese që është shqiptare. Kalimi përtej kësaj kornize është më shumë se tradhti kombëtare dhe për mua është tepër e habitshme se si po përpiqet që me mish e shpirt z. Thaçi t'ia sigurojë edhe territorin për akomodimin e mekanizmit puro-antikushtetues "Zajednicës", vetëm në këmbim të shpëtimit të vetes së tij nga Gjykata Speciale. Pavarësisht kësaj, unë mendoj që Kosovës nuk duhet t'i ngutet aspak për një marrëveshje të tillë të dëmshme, ndërsa Serbia vërtet e ka me ngut, sepse Serbia po merr e shpërblehet dhe pret benefitet e papara nga BE-ja,", theksoi analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

Sipas analistit Shefik Skodra, ky nxitim për bisedime do përgjigje në disa pyetje: "Çka bëmë deri më tash? Kush dhe cilat pjesë po mbeten me Serbi sërish? E kush dhe cilat pjesë do të çlirohen definitivisht? Po flitet se askush nuk e ka të qartë finalizimin e kësaj marrëveshjeje? Cilat janë arsyet për ta shpejtuar dialogun për një 'marrëveshje' që nuk e kemi të qartë çfarë është ajo marrëveshje dhe as për çfarë bëhet fjalë? " Kemi thënë, që partitë OJQt, qytetarët, inteligjenca të mos heshtin. Në Parlament është thënë të shqyrtohen të gjitha ato çështje për të cilat nuk ka askush njohuri. Është dashur më në fund që të pengohet Hashim Thaçi që mos të tregtojë ashtu i vetëm e në mënyrë sekrete. Përse kjo ngutje? Sigurisht, me sjellje që po i bën, po merret vesh se fjala është për "shpëtimin" e tij nga Gjykata Speciale. Po kjo nuk ia vlen barra qiranë. Kemi thënë se Parlamenti, partitë që të gjitha të jenë me një zë në këtë rast. Kjo ngutje do të shërbejë vetëm për çështje personale të Hashim Thaçit, por jo edhe për Kosovën. Kosova është pranuar ndërkombëtarisht, përveç të tjerëve edhe prej SHBAsë", është shprehur analisti Shefik Shkodra për gazetën "Kosova Sot" 

E kaluara e dyshimtë e Thaçit, Mustafës... Sipas Prof. Muhamet Kelmendit, zanafilla e këtyre pazareve që tanimë po dalin në sipërfaqe, e ka gjenezën, për më shumë se dy dekada, që në konferencën e Rambujesë. "Çështja e ndarjes së Kosovës fillon me Konferencën e Rambujesë dhe ka vazhduar me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Fillimi i tillë nga faktori ndërkombëtar, i përkrahur nga faktori i brendshëm, respektivisht nga Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi, ka vazhduar edhe me Kornizën kushtetuese të Kosovës, sepse në nenet e saj u përcaktua ndarja e pushtetit në fushat kryesore, si në territor, në qeveri, në komuna dhe në Kuvend. Pushteti i tillë ishte caktuar në Rambuje dhe tash me UNMIK-un u realizua ndarja totale e Kosovës në vende serbe dhe shqiptare, ku u ndërtua pushteti i njëjtë. Kjo ndarje u përforcua shumë pas shpalljes së Republikës së Kosovës. Me gjoja marrëveshjet u vunë edhe thonjëzat në shtet dhe u ndërtuan komunat dhe veriu i vendit mori kompetenca të gjera. Krye veprues i kësaj pune ishte Lutfi Haziri kur e kryesoi delegacionin e Kosovës në Vjenë dhe kur u ndërtuan komunat dhe veriu serb. Tani kjo nismë e përbashkët vazhdoj më tutje kryesisht me Hashim Thaçin. Z. Thaçi nënshkroi marrëveshjen për gjykatat dhe për prokurorinë serbe në Veri", është shprehur Kelmendi për gazetën "Kosova Sot". Ai tha se këtë e vazhdoi edhe Isa Mustafa me Asociacion, respektivisht me sistem të ri serb në Kosovë. Ai në vazhdim përmend shumë pika që, sipas tij, janë fakte të pamohueshme. "Ka shumë fakte, por unë dua këtu t'i përmend disa që kanë ndikuar jo vetëm te Hashim Thaçi, por edhe te Isa Mustafa e të tjerët, pse u lejua kjo ndarje e vendit: 1. E kaluara e tyre e dyshimtë në raport me pushtuesin serbomadh dhe të tjerë, 2. Pasuria marramendëse e krijuar nga ata para dhe pas luftës, nga fondet shqiptare dhe 3. Pozita e rëndë dhe e egër pas luftës, në fushën politike, në ekonomi dhe në çështjet tjera korruptive. Kam mendim se këto janë faktet kryesore pse ka ardhur gjendja në Kosovë deri këtu. Por, nuk dua dhe nuk duhet të përjashtohen edhe interesat gjeostrategjike, ushtarake dhe ekonomike të Lindjes dhe të Perëndimit kundruall Ballkanit. Në këto interesa, për fat të keq, Kosova është në mes dhe subjekt për kënaqje të orekseve të ndryshme territoriale dhe të raporteve ndërshtetërore", është shprehur Kelmendi.

Analisti politik, magjistër i shkencave politike, Ali Hertica theksoi për "Kosova Sot" se që nga fillimi i dialogut KosovëSerbi, që nuk po i dihet fundi, nuk janë të pakët zërat, të cilët shprehen në dobi të shkëmbimit të territorit në mes Kosovës dhe Serbisë, respektivisht Kosovën Veriore me Luginën e Preshevës. "Ide nga më të ndryshmet janë hedhur në "pazar" në shumicën e rasteve, rreth humbjeve dhe përfitimeve që sjell ky shkëmbim territoresh. Një takim i përbashkët i qeverisë së Serbisë dhe asaj të Shqipërisë, në praninë e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Kosovës, pritet të mbahet nga burime të afërta me qeverinë në Beograd. Hollësitë e takimit nuk janë saktësuar, por mendohet se në këtë takim nuk do të marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Delegacionin e Shqipërisë do ta udhëheqë Edi Rama. Takimin në Nish është në fazën e planifikimit, e inicioi Beogradi dhe koncepti i tij që të mos jetë dialog ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij serb, por dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon. Konsideroj që vetëm një opozitë e bashkuar dhe e fuqishme do të arrijë që ta ndërrojë çdo kurs të politikës së gabuar për humbjen e madhe territoriale", është shprehur analisti Ali Hertica për "Kosova Sot".

Qytetarët, të gatshëm për ta mbrojtur vendin dhe duke protestuar Kundër këtij nxitimi në bisedime nga ana e presidentit Thaçi, me rrezik për të bërë pazare dhe koncesione në dëm të shtetit të Kosovës me Serbinë, për interesat personale, vazhdojnë të jenë edhe qytetarët, të cilët madje vetëm presin se kush do t'u bëjë ftesë që me protesta masive të dalin dhe të kundërshtojnë këto bisedime e këto pazare në dëm të shtetit të Kosovës. Xhevat Kuleta thotë se asnjë proces i bisedimeve me Serbinë nuk duhet të rifillohet derisa nuk përmbushen paraprakisht marrëveshjet e nënshkruara në fazën e bisedimeve të ashtuquajtura teknike, aq më tepër tani kur flitet edhe për kompromise në dëm të Kosovës, që në asnjë mënyrë këto kompromise nuk duhet të lejohen. "Ne nuk kemi nevojë të futemi në bisedime të reja me Serbinë. Serbia duhet paraprakisht të na kërkojë falje për krimet që i ka bërë gjatë luftës në Kosovë, nëse vërtet politika e atjeshme dëshiron të lëvizë drejt BE-së dhe të ketë fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet që e rrethojnë. Kurrsesi nuk duhet të lejojmë që të bëhen pazare me të. Shteti serb patjetër duhet të na kërkojë falje dhe të pranojë që t'i kompensojë të gjitha dëmet e luftës, duhet të pranojë që të ndahet e gjithë trashëgimia e pasurisë që e kemi pasur nga ish- Jugosllavia si trashëgimi e veçantë dhe e përbashkët. Nëse këta vendosin dhe bëjnë këso pazaresh, për të cilat po flitet, ky do të jetë një dëm i madh historik i pariparueshëm për Kosovën", është shprehur Kuleta për "Kosova Sot". Qytetari Hysen Morina tha se herët apo vonë një marrëveshje me Serbinë duhet të bëhet, por kurrsesi në dëm të shtetit të Kosovës, prandaj në këtë drejtim duhet lëvizur me kujdes, me platformë nacionale dhe duke pasur konsensus të gjerë politik për temat që mund të shtrohen për bisedime, me kushte shumë serioze. "Unë mendoj që në bisedimet me Serbinë Kosova nuk ka se çfarë të bëjë kompromise, kurse në bisedime duhet patjetër që garantues i zbatimit të marrëveshjes të jenë SHBA-ja dhe fuqitë e tjera të mëdha mbështetëse të deritanishme të shtetit të Kosovës, sepse përndryshe të gjitha marrëveshjet që kanë qenë dhe po mbeten të dështuara. Edhe marrëveshjet që janë bërë para luftës, edhe ato gjatë luftës, por edhe këto pas luftës kanë qenë të dështuara, sepse Serbia kurrë nuk i ka respektuar as zbatuar ato", theksoi Hysen Morina për "Kosova Sot"