Rritja e pagave vetëm e shton servilizmin e drejtësisë së kapur nga politika e inkriminuar

  • 14 August 2018 - 08:03
Rritja e pagave vetëm e shton servilizmin e drejtësisë së kapur nga politika e inkriminuar
Ligjin në politikë, në pushtet dhe në drejtësinë e kapur dhe të privatizuar prej tyre e bëjnë vetëm paraja, krimi, hajnia dhe korrupsioni. Nuk mund të zhvillohet as ekonomia dhe as të rritet mirëqenia në Kosovë në këto kushte mjerane, ku gjendet sistemi politik dhe ai gjyqësor në Kosovë. Askush nuk vjen për të investuar në një shtet në të cilin ligjin e bëjnë korrupsioni dhe hajnia politike e juridike e mafio-oligarkëve të veshur me pushtet dhe të pasfidueshëm nga ligji dhe nga drejtësia. Prej këtij realiteti të rëndë antiligj e antishtet janë paralizuar tërësisht drejtësia, demokracia, shteti dhe e tërë shoqëria", thotë analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot" 

E dhe pse para disa muajsh Qeveria e Kosovës mori vendim për ngritjen e pagave të zyrtarëve të lartë të shtetit, në këtë pako edhe për sektorin e drejtësisë, njohësit e kësaj fushe nuk po shohin as edhe një ndryshim të vetëm në punën e prokurorëve dhe të gjykatave, edhe pas rritjes së pagave të tyre, që u bë me rritjen e pagës së qeveritarëve. Analistët e kësaj fushe theksojnë se në fakt nuk është aspak problem në Kosovë rritja e pagave, por problemi kryesor mbetet joefikasiteti i gjyqtarëve e prokurorëve, një dobësi që vjen nga mungesa totale e etikës së tyre dhe integritetit profesional, sikur dhe që vuajnë nga trafikimi, bllokimi e shkelja e ligjit që u kërkohet detyrimisht nga shefat e politikës dhe të mafio-oligarkisë së bizneseve të pista, të lidhura me politikën, e të cilët pa kaluar nëpër një proces VETTING-u kurrë nuk do të bëhen të drejtë e të dobishëm për drejtësinë kosovare, por përkundrazi ata vetëm do të zbatojnë urdhrat e shefave që i kanë dërguar dhe emëruar në ato pozita të pamerituara fare. Burjani: Rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, vetëm për të mos i ndjekur qeveritarët e korruptuar Analisti tjetër, Blerim Burjani, po ashtu thotë se nga aq sa ai është i informuar, nuk ka ndodhur asgjë as me efikasitet të veprimit e as ndjekjes penale, edhe pse pagat janë rritur për prokurorë. "Arsyet dihen: kapja e shtetit, kapja e drejtësisë, rritja e pagave për të mos i ndjekur qeveritarët e korruptuar, këtyre njerëzve duhet ndalë angazhimet e kundërligjshme nëpër fakultete publike e private. Një numër i madh prej tyre kanë kontrata dytësore, kjo është e vërteta dhe efekti i rritjes së pagave për njerëzit e punësuar në organe të drejtësisë, por rezultati në efektivitet dhe efikasitet është zero. Nuk ka as efikasitet e as asgjë pozitive dhe aq më keq që nuk ka kush të merret me ndjekje penale të korrupsionistëve", u shpreh ai."Vetëm mjekëve do të duhej rritur pagat dhe stafit të mesëm të mjekësisë, sepse organet e drejtësisë janë shumë larg efikasitetit, janë shumë vepra të parashkruara penale, janë me qindra e qindra dosje të fshehura ose të bashkangjitura, gjoja të gabuara, të lëndëve të personave me identitet të ngjashëm. Të tilla ka dhe ka pasur shumë. Kjo ka bërë që duke manipuluar në këtë mënyrë të humbin gjurmët dhe të mos ndëshkohen persona të shumtë, qeveritarët janë kategoria e cila kryen vepra penale të ndryshme dhe ata mbeten të pandëshkuar", potencoi Burjani për "Kosova Sot". Loja politike Njohësi i fushës së drejtësisë, Hidajet Ahmeti, thotë se duhet të jemi të vetëdijshëm për gjendjen faktike në sistemin e drejtësisë, e cila dita-ditës po krijon komoditetin me pazaret që bëhen me qeveritë e njëpasnjëshme, por assesi në funksion të instalimit të një drejtësie të pavarur, funksionale dhe efektive. Ai thotë se edhe marrëveshja interne për rritje pagash të gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe stafit qeveritar, është një lojë politike, e cila, përveçqë është jashtëkushtetuese dhe e jashtëligjshme, është edhe e pamoralshme e me qëllime tendencioze."Amnistimi i njerëzve të inkriminuar, të cilët janë të politikës apo kanë lidhje me politikën, është shpërblyer me rritje pagash për gjyqtarët e prokurorët. Personalisht nuk jam kundër rritjes së pagave në sistemin e drejtësisë, por rritja e pagave nuk është garanci për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë", u shpreh ai."Në njërën ana rritja e pagave është e rrugës të bëhet me ligj të veçantë për paga, por njëkohësisht të ndodhë një reformë e substanciale në sistemin e drejtësisë, duke filluar nga procesi i Vetting-ut për gjyqtarët e prokurorët, inicimi i disa ligjeve të domosdoshme, por edhe plotësimndryshimi i disa ligjeve për t'i plotësuar boshllëqet që paraqitën gjatë proceseve administrative, të cilat vakume ligjore kanë qenë të qëllimshme gjatë hartimit të ligjeve", vlerësoi Ahmeti. "Kosova ka dy rrugë, për të vazhduar me të njëjtën logjikë të funksionimit të mekanizmave shtetërorë, e cila izolon shtetin, varfëron qytetarët e degradon institucionet dhe rrugën e anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë, por duke marrë vendime të dhimbshme për një klientelë të korruptuar politikanësh, por duke shpërblyer qytetarët me një frymë të mirëqenies qytetare e zhvillimit ekonomik", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot". Kupola e sistemit e dështuar Të paefektshëm e sheh vendimin për rritje të pagave për prokurorët dhe gjyqtarët edhe analisti dhe publicisti Naim Kelmendi."Akoma nuk kemi ndonjë raport të ri të punës, i cili do të na tregonte se çfarë niveli të efikasitet të punës në këto institucione është arritur në 6- mujorin e parë të këtij viti. Personalisht mendoj se kur janë në pyetje njerëzit e korruptuar, që kanë ndikim politik dhe klanor në këto institucione, tani për tani as që vjen në konsideratë rritja e angazhimit për të trajtuar më shumë raste dhe për të zgjidhur ato, për hetimin apo edhe gjykimin e tyre", vijoi ai."Kjo gjendje konsideroj se vazhdon të jetë e tillë për faktin se akoma po ndodh që te ne truri apo qendra drejtuese e institucioneve të drejtësisë po vazhdon të udhëhiqet nga njerëzit e dërguar pikërisht prej kastës aktuale politike, e cila iu garanton atyre privilegje akoma më të mëdha, vetëm e vetëm që t'i ketë nën kontroll, që ata të jenë servilë besnikë të kastës politike", theksoi Kelmendi."Pra, nuk kemi informata që diçka pozitive ka ndryshuar së fundi në këtë sistem, prandaj duhet të mbesim tek vlerësimet paraprake se e njëjta gjendje është akoma edhe në prokurori edhe në gjykata, në të gjitha institucionet kompetente me ligj për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në polici e në hetuesi", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, e kotë është rritja e pagave nëse nuk kërkohet llogaridhënie serioze dhe nëse politika nuk i heq duart nga ndikimi i saj në këtë sistem të kapur.

KAPITI: PROFESIONIN E GJYQTARIT DHE TË PROKURORIT E KANË BËRË BIZNES FITIMPRURËS

Analisti Skënder Kapiti thotë se ryshfeti dhe shitblerja e drejtësisë janë ato të cilat bëjnë ligjin dhe japin drejtësinë në Kosovë, pavarësisht avancimit që u bëhet atyre në të ardhurat personale - rrogat. "Sado të rriten pagat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve kosovarë, kjo nuk ua ndreq atyre profesionin dhe as nuk ua pastron 'moralin' e korrupsionit dhe as nuk ua zbut ligësinë dhe terpinë e pangimjes që tani i kanë sëmundje të pashërueshme patologjike. Ata profesionin e gjyqtarit dhe të prokurorit e kanë bërë biznes fitimprurës, ku me anë të tij ata bëjnë kontrabandë, spekulimin dhe trafikimin e ligjit dhe të drejtësisë", u shpreh ai."Fitimi i majmë që atyre u vjen nga ky biznes me ligjin dhe me drejtësinë bën atë që ata apo atyre nuk iu hyn në sy fare paga që marrin për punën në drejtësi. Si drejtësia ,po kështu sillen dhe veprojnë edhe pushteti e politika, të cilëve edhe atyre sado që t'ua rrisësh pagën, ata politikën dhe pushtetin i kanë biznese korruptive e krimi për t'u pasuruar duke abuzuar me postet politike e të pushtetit dhe me paranë publike", theksoi ai."Ligjin në politikë, në pushtet dhe në drejtësinë e kapur dhe të privatizuar prej tyre e bëjnë paraja, krimi, hajnia dhe korrupsioni. Nuk mund të zhvillohet as ekonomia dhe as të rritet mirëqenia në Kosovë në këto kushte mjerave, ku gjendet sistemi politik dhe ai gjyqësor në Kosovë. Askush nuk vjen për të investuar në një shtet në të cilin ligjin e bëjnë korrupsioni dhe hajnia politike e juridike e mafio-oligarkëve të veshur me pushtet dhe të pasfidueshëm nga ligji dhe nga drejtësia. Prej këtij realiteti të rëndë antiligj e antishtet janë paralizuar drejtësia, demokracia, shteti dhe shoqëria", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".


 SPAHIU: RROGAT E GJYKATËSVE DHE PROKURORËVE NUK JANË RRITUR PËR T'I BËRË PROKURORËT E GJYKATËSIT MË TË PAVARUR, POR PËR T'I BËRË MË TË VARUR NDAJ QEVERISË Analisti Nexhmedin Spahiu është i sigurt që vendimi për ngritjen e pagave të zyrtarëve në sistemin e drejtësisë i ka bërë ata akoma më shumë të pozicionuar dhe të servilosur ndaj politikës."Rrogat e gjykatësve dhe prokurorëve nuk janë rritur për t'i bërë prokurorët e gjykatësit më të pavarur, por për t'i bërë më të varur ndaj Qeverisë", tha Spahiu për "Kosova Sot".