Bislimi: Hashim Thaçi, prej vitit 2011 deri më sot ka bërë negociata duke vënë në pikëpyetje statusin e Kosovës

  • 16 August 2018 - 13:05
Bislimi: Hashim Thaçi, prej vitit 2011 deri më sot ka bërë negociata duke vënë në pikëpyetje statusin e Kosovës
Negociatat e dëmshme rihapën statusin Politologia Liridona Bislimi, për gazetën "Kosova Sot', tha se ish- lideri i PDK-së, e tash president, Hashim Thaçi, prej vitit 2011 deri më sot ka bërë negociata duke vënë në pikëpyetje statusin e Kosovës, e në dy vjetët e kaluar këto negociata kanë vënë në pyetje edhe tërësinë tokësore të Kosovës, e sa vite zhvillohen bisedime në Bruksel dhe mezi janë arritur ca marrëveshje të mjera praktike, për shkak të refuzimit arrogant dhe të vazhdueshëm të Serbisë. "Presidenti në personalitetin e tij nuk shquhet për sinqeritet, besnikëri, por përkundrazi shquhet si përçarës, dinak, i cili nuk ka zgjedhur mjete për ta arritur qëllimin, duke kaluar të gjitha normat morale, të cilat duhet ekzistuar edhe në politikë. Thaçi asnjëherë nuk mund të jetë përfaqësues i unitetit politik e qytetar, pasi vetë zgjedhja e tij nën masa represioni, shantazhi e kërcënimi të lë shumë për të dyshuar që në të ardhmen ai do vazhdojë ta përdorë kombin për pushtet, për prestigj të rrejshëm, për përfitime politike, për përfitime materiale etj.", vlerësoi ajo. "Thaçi po shfrytëzon rolin e tij si president, për interesa personale duke shitur patriotizëm për Kosovën ditën si krah i luftës, kurse gjithë natën duke bërë tregti dhe kontrabandë me Serbinë. Një Kosovë e këtillë nuk është për mburrje dhe, natyrisht, nuk mund t'i bëjë karshillëk askujt, që domethënë se pozita negociuese e Kosovës dhe e atyre që i bëjnë negociatat është krejt përtokë", potencoi më tej Bislimi.