Pastori amerikan, Shtëpia e Bardhë refuzoi ofertën e Turqisë

  • 20 August 2018 - 23:40
Pastori amerikan, Shtëpia e Bardhë refuzoi ofertën e Turqisë

Në një kohë kur Amerika po kërkon me ngulm lirimin e pastorit të saj në Turqi, gazeta “Wall Street Journal” bën të ditur se Uashingtoni ka refuzuar një ofertë të Ankarasë, që në këmbim të lirimit të sigurojë faljen nga sanksionet miliardere. Refuzimi i ofertës mund të çojë në vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Turqisë më vonë gjatë kësaj jave.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, deklaroi të enjten e kaluar se Shtetet e Bashkuara do ta ndërmarrin këtë hap nëse pastori Andrew Brunson nuk lirohet.

Pastori amerikan u arrestua në vitin 2016, nën akuzën se kishte ndihmuar në grushtin e shtetit kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan.

“Një aleat i vërtetë nuk do ta kishte arrestuar Brunson”, ka thënë burimi i “Wall Street Journal”, duke iu referuar këtu anëtarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë në NATO

Çështja e tij bëri që tensionet mes dy vendeve të rriteshin, duke shkëmbyer retorika të ashpra me njëri-tjetrin.

Ditën e premte, Gjykata e lartë turke refuzoi apelin e Brunson për t’u liruar nga arresti i shtëpisë. Të njëjtën ditë, presidenti Trump deklaroi se Turqia ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara për shumë vite. “

Ne nuk do të paguajmë asgjë për lirimin e një njeriu të pafajshëm”, tha Trump.

 

(Kosova Sot)