Myslimanët sot festojnë Kurban Bajramin

  • 21 August 2018 - 08:01
Myslimanët sot festojnë Kurban Bajramin

Myslimanët në mbarë botën sot po festojnë Kurban Bajramin, i cili tek shqiptarët njihet ndryshe edhe si Bajrami i Vogël.

Kurban Bajrami është njëra nga dy festat më të mëdha islame. Për nder të kësaj feste theren kurbane, ndërsa besimtarët e kryejnë njërin nga pesë kushtet e fesë islame, shkuarjen në Haxh.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban – Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Manifestimi ka filluar në ora 5:10, me faljen e namazit të sabahut nga Hfz.Xhelal Kaloshi, pas të cilit kanë vazhduar ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilat i ka mbajtur Bahri Sejdiu ligjërues në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Namazi i Kurban–Bajramit u fal në ora 06:25 të cilit do i priu Hfz.Xhelal Kaloshi, ndërsa Hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit e mbajti kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.

Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, Ditën e parë, Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

Kurban Bajrami është një nga festat më të shënuara për botën islame që shënon dhe fundin e ritit të haxhillëkut i konsideruar si proces bindjeje, paqeje dhe sakrifice.

 

Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka uruar që Festa e Kurban Bajramit të sjellë paqe, shëndet, mirëqenie, harmoni dhe begati në familje.

“Në prag të festës së Kurban Bajramit, të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj këtë festë të rëndësishme dhe të veçantë. Uroj që kjo festë të sjellë paqe, shëndet, mirëqenie, harmoni dhe begati në familje. Festa e Kurban Bajramit ngërthen në vete mesazhin për paqe, solidaritet e mirëkuptim mes njerëzve.

Në këtë ditë të veçantë ne kujtojmë me mburrje të madhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e vendit tonë. Dëshmorët dhe martirët e të gjithë brezave janë gurthemeli i lirisë sonë”, thuhet në urimin e Limajt.

 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në urimin e tij për Kurban Bajramin. ka theksuar se “kjo festë në thelb e ka flijimin dhe kjo e bën këtë ditë më të veçantë për ne shqiptarët”.

“Në prag të festës së Kurban Bajramit ua përcjell urimet më të përzemërta besimtarëve muslimanë në mbarë vendin. Kurban Bajrami në thelb e ka flijimin dhe kjo e bën këtë ditë më të veçantë për ne shqiptarët. Sakrifica jonë, si popull, për vlerat e lirisë dhe humanizmit, na mbajti bashkë ndër shekuj. 

Dhe tani, duhet të jemi pranë njëri-tjetrit, e veçanërisht t’ua shtrijmë dorën atyre në nevojë. Uroj që në Ditën e Sakrificës, ta ngrisim ndjenjën e respektit e zemërgjerësisë ndërmjet nesh dhe, së bashku, të jemi në shërbim të të mirës së përgjithshme!” ka shkruar Haradinaj në Facebook.


 

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi me rastin e festës së Kurban Bajramit i ka uruar besimtarët myslimanë.

Postimi i Bytyqit në Facebook:

Të dashur qytetarë të besimit islam,

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, uroj që kjo festë të sjellë lumturi në familjet tuaja dhe të jetë motiv për forcimin e besimit, sepse kjo ditë është ditë e mirësisë, mirëkuptimit dhe paqes.

Uroj që përherë të mbretërojnë gëzimi, paqja dhe harmonia në mesin tonë. Kosova dhe qytetarët e saj krenohen me tolerancën ndërfetare dhe gatishmërinë për solidaritet dhe zemërgjerësi.

Urime festa e Kurban Bajramit, mëshira dhe begatia qofshin me ju dhe familjet tuaja!


 

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema ka uruar të gjithë qytetarët e besimit islam.

Veçanërisht, në këtë ditë të rëndësishme për pjesëtarët e këtij besimi, Dema uron studentët, stafin akademik dhe administrativ të UP-së.

Urimi pa ndërhyrje i rektorit:

Të dashur studentë, staf akademik dhe administrativ i Universitetit të Prishtinës,

Në emër të menaxhmentit dhe organeve drejtuese të Universitetit të Prishtinës, Ju uroj nga zemra, Gëzuar Kurban Bajramin! Në këtë ditë feste, gëzohuni për të mirat e përbashkëta dhe festoni se bashku me më të dashurit tuaj, me mirëkuptim, harmoni dhe shtrirje të dorës së solidaritetit.

Njëherësh, në këtë ditë të madhe, uroj që të gjithë ne të reflektojmë për punën dhe angazhimet tona, për obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, miqve dhe shoqërisë, për të kontribuuar edhe më tepër në të mirën e përbashkët.

Le te mbizotëroje toleranca ndërfetare, respekti, solidariteti dhe paqja gjithkund në mesin tuaj.

Gëzuar.

 

Ministri i jashtëm dhe zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli ka uruar besimtarët myslimanë në ditën që në Kosovë po festohet Kurban Bajrami.

“Urime festën e madhe të Besimit Islam. Urime për Kurban Bajramin, paqja, shëndeti dhe mirëqenia qofshin me ju dhe të dashurit tuaj”, ka shkruar Pacolli në urimin e tij në rrjetin social Facebook.

Sot është dita e parë e Kurban Bajramit, festë kjo që shoqërohet me therjen e kurbaneve.

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

“Të gjithë besimtarëve të besimit islam ua uroj festën e Kurban Bajramit. Uroj që mirësia, urtësia, harmonia, paqja dhe uniteti përherë të mbretërojnë në familjet tona dhe më gjerë, si vlera universale të njerëzimit”, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.



(Kosova Sot)