Degradon fjalori politik

  • 28 August 2015 - 15:36
Degradon fjalori politik

Fyerjet dhe fjalori që po përdorin kohët e fundit liderët e partive dhe institucioneve në Kosovë, dëshmojnë jo vetëm papjekurinë politike por edhe mungesën e kulturës së komunikimit normal në diskursin publik, thonë analistët në Prishtinë.

Ata iu referohen konflikteve të fundit verbale që u nisën me deklaratat e disa përfaqësuesve të Vetëvendosjes ndaj kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, çka kishte nxitur më pas reagimin e kryeministrit.

Ky komunikim, po zhvillohet kryesisht përmes rrjeteve sociale.

Gjithçka nisi kur ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti kishte thënë se "djemtë e kryeministrit Isa Mustafa dhe vëllezërit e Hashim Thaçit e sollën 'Zajednicën'”, term ky që ai po e përdorë për Asociacionin e Komunave Serbe.

Isa Mustafa ishte përgjigjur në profilin e tij në Facebook: “A e di kush, çka ka ky gomari i "Zajednices" me djemt e mij?". 

Më pas, në këtë debat u përfshinë edhe aktivistë të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët adresuan fyerje nga më banalet ndaj njëri tjetrit.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se kjo "luftë verbale" pason mllefin që ka përcjellë prishjen e koalicionit pas-zgjedhor të njohur si VLAN (Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma), kur Isa Mustafa dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishin braktisur tri partitë opozitare, duke iu bashkuar koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës.

Përderisa Vetëvendosje, sipas Mushkolajt, është e njohur për fjalor e terminologji të rëndë politike në raport me qeverinë, ajo që paraqet habi, ka vijuar ai, është lëshimi i kryeministrit Mustafa në fyerje e etiketime. 

"Jam habitur shumë me mënyrën se si Mustafa i është qasur kësaj çështjeje për shkak se nuk ka arritur që ta përmbajë vetën dhe është lëshuar në banalitete të tilla. Ai duhet ta ketë parasysh, besoj se e di, por nuk është përmbajtur, se në këtë rast nuk e përfaqëson veten individualisht e as familjen e tij, por përfaqëson të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe fjalori i tij duhet të jetë më i përmbajtur", ka thënë Mushkolaj.

Fjalori që ka përdorur kryeministri Isa Mustafa dënohet edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit.

Albert Krasniqi nga ky Institut thotë se në këtë rast po abuzohet me lirinë e shprehjes.

"E dënojmë edhe si Institut Demokratik i Kosovës këtë lloj të gjuhës dhe diskursit publik që është kah zhvillohet. Sidomos atë të kryeministrit Mustafa, ngase ai është zyrtar publik dhe përfaqëson gjithë qytetarët e Kosovës. Në këtë rast, është duke u abuzuar me lirinë e shprehjes, që përçon në një gjuhë të urrejtjes është një dhunë verbale që prej zyrtarëve shtetëror po bëhet në këtë rast ndaj subjekteve tjera politike", ka thënë Krasniqi për Rel.

Analistët tërheqin vërejtjen se një diskurs i tillë publik është një paralajmërim serioz se skena politike në Kosovë mund të tensionohet dhe përshkallëzohet.

Ata rikujtojnë kërcënimet e fundit të opozitës se për masa radikale për të kundërshtuar marrëveshjen që krerët e qeverisë së Kosovës firmosën në Bruksel me Beogradin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.