Haradinaj merr rrogën si kryeministër, shefi i vërtetë është Thaçi - Lajme - Kosova Sot
Haradinaj merr rrogën si kryeministër, shefi i vërtetë është Thaçi

Haradinaj merr rrogën si kryeministër, shefi i vërtetë është Thaçi

Zeqa: Presidenti Hashim Thaçi, në fakt, e udhëheq Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës, me adresë të vendimmarrjes në Presidencë

"Dosja kriminale e këtij koalicioni qeverisës sa vjen dhe trashet, e cila për vetëm një vit keqqeverisje po dëshmon se vendim pas vendimi dhe hap pas hapi, pavarësisht asaj se një parti minore mban formalisht pozitën kryeministrore, ai që qëndron mbi çdo gjë dhe vendos për gjithçka sërish është Hashim Thaçi dhe partia e tij, PDK-ja. Qeveri kukull, të cilën Hashim Thaçi e krijoi ashtu siç deshi, përmes të deleguarit e bashkë -ortakut të tij në shumë biznese, Behgjet Pacollit, të cilën edhe tash e keqpërdor dhe instrumentalizon sikur vetë Thaçi të ishte kryeministër i parë i saj. Për aq më tepër, edhe njëvjetori i kabinetit "Haradinaj" u shënua në frymën e dështimit, skandaleve dhe keqpërdorimeve", thotë analisti Gani Qarri për "Kosova Sot"

Analistët politikë dhe qytetarët, kanë krijuar bindje të plotë se gjithë Qeverinë e Kosovës, madje edhe Zyrën e kryeministrit, po e udhëheq në fakt vetë presidenti Hashim Thaçi, kurse gjithë udhëheqja e kësaj Qeverie, me adresë të vendimmarrjes është kryesisht në Presidencë, atje ku u ndërmor fillimisht edhe nisma aventureske për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe më pas erdhi pazari për territoret si dhe shumëçka tjetër e keqe për vendin. Kjo gjendje, sipas mendimit të analistëve dhe qytetarëve, tregon se sa shumë është trashur dosja kriminale e këtij koalicioni qeverisës për vetëm një vit keqqeverisje, vendim pas vendimi, hap pas hapi, ku pavarësisht se një parti minore e ka pozitën kryeministrore, sërish është një parti aty që dirigjon gjithçka-PDK-ja. 

Kryeministri, sa për sy e faqe
Edhe analisti politik, Reshat Badallaj vlerëson se pa më të voglin dyshim, klani më i rrezikshëm në Ballkan, që quhet "PRONTO" dhe kapo i saj, Hashim Thaçi, nën hije e drejtojnë Qeverinë e Ramush Haradinajt. "Ramushi është aty sa për sy e faqe dhe do të mbahet mend në historinë e njerëzimit vetëm për një gjë, që ia rriti rrogën vetes dhe që bëri një grumbull huliganësh i thënçin, ministra e zëvendësministra e dreq i mallkuar. Me fjalë të tjera, këta janë një brumë dhe bashkërisht kanë bërë një bjeshkë veprash për t'u ndjekur penalisht. Por, kush t´i ndjekë se?! Këto klane mafioze e kanë kapur për fyti shtetin dhe sistemin e kalbur gjyqësor dhe kontrollojnë çdo dikaster që vepron në vend. Thjesht e shkurt, klani famëzi 'PRONTO' këto banda politike që e kanë marrë vendin me anë të pazareve të kanaleve të nëntokës kriminale, i ngre për veshi dhe kur të dojë i shtrëngon, kur të dojë i lëshon", u shpreh ai. "U pa dhe u vërtetua se Ramush Haradinaj për poste jep çdo gjë, edhe pse ai dalldiset dhe hallakatet kot kur e prekin në tel. Merreni me mend si hyri edhe në pazar me prorusin dhe proserbin Behgjet Pacolli për interesa përfitimesh dhe e keqja më e madhe është që askund në asnjë cep të botës nuk ka ndodhur, bëhet kryeministër Ramushi i një bande që në zgjedhje doli e pesta... dhe ku ka ndodhur kjo? Kjo ndodh vetëm te ne, te bandat e kanaleve të krimeve të nëntokës kriminale. Këtë krim, këtë poshtërsi e ka lejuar banda e PDK-së, ALIAS 'PRONTO', që shkelin ligje, Kushtetutë dhe që nuk njohin as shtet", theksoi Badallaj për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas prof. Muhamet Kelmendit, pothuajse nga viti 2007 është Hashim Thaçi në udhëheqje të pushtetit në Kosovë dhe tërë çështjet janë varur nga ky njeri dhe grupimi politik i mbledhur rreth grupit tashmë të njohur "PRONTO". "Jo vetëm në fushën e brendshme, si në Polici, në AKI, në Prokurori, nëpër gjykata, por e tërë Qeveria është lidhur me ekonominë private dhe tërësisht e ka futur nën sundim të mafiozëve kriminelë, si 'Devolli', 'ETC', 'HIB', 'LESNA' etj., ashtu edhe në politikën e jashtme ka udhëhequr ky grup informal. Natyrisht se kësaj udhëheqjeje iu kanë përshtatur të gjitha subjektet politike që u futën në koalicionin e PDK-së të udhëhequr nga Hashim Thaçi. U fut dhe u nënshtrua LDK-ja. Erdhi Aleanca Kosova e Re dhe veproi sipas këtij grupimi. Përsëri u futë Isa Mustafa dhe bëri atë që e komandoi Hashim Thaçi. Ndërsa, në këtë legjislacion, i mori disa parti, AAK-në, NISMËN, AKR-në, dhe tash po udhëheq. Nëse jo në politikën e brendshme, në politikën e jashtme është personi kryesor dhe fare nuk po i respekton as subjektet politike, as politikanët qeveritarë dhe as institucionet legjitime të Kosovës", shpjegon Kelmendi për "Kosova Sot".

ZEQA: QEVERIA 'HARADINAJ', NËN DIRIGJIMIN E THAÇIT, ËSHTË VDEKJA E SHPRESËS SË QYTETARËVE
Analisti politik, Florim Zeqa vlerëson se përvjetori i parë i Qeverisë më megalomane në rruzullin tokësor, përkatësisht i kabinetit "Haradinaj" u përcjell në frymën e dështimit, skandaleve dhe keqpërdorimeve të panumërta. "Nuk ka si të jetë ndryshe veçse një kryeministër skandaloz, që vendimin e parë që e merr ia shumëfishon rrogën vetes dhe shantazhon sistemin e drejtësisë me dyfishim të pagave, jo vetëm që nuk të lë shumë për të shpresuar për ndryshim pozitive, por të humbë të gjitha shpresat për një të nesërme më të mirë! Për me keq se kaq, një kryeministër, që është i gatshëm edhe fizikisht të ballafaqohet me rivalët politikë, nuk është i gatshëm të ulet në tavolinën e bisedimeve ndërkombëtare ku vendoset fati i Kosovës, ndërsa sa herë flet i fyen të gjithë, pa përjashtuar gazetarët, është treguesi më bindës i një ekzekutivi pa lider të përgjegjshëm", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". "Kryeministrit Ramush Haradinaj jo vetëm që nuk i pëlqen të "përzihet" në punët e politikës së jashtme, por ai përkujdeset vetëm për të emëruar apo për të miratuar ndonjë ambasador dhe çdo vendim që e merr Thaçi, pasi për këtë kujdeset tash ministri i Thaçit në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli. Presidenti aktual, Hashim Thaçi, në fakt e udhëheq Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës, me adresë të vendimmarrjes në Presidencë, në zyrën e tij, atje ku u ndërmor fillimisht edhe nisma aventureske për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe më pas erdhi pazari për territoret si dhe shumëçka tjetër e keqe për vendin. Pavarësisht faktit se një parti minore e ka pozitën kryeministrore, sërish është PDK-ja që dirigjon gjithçka, duke e instrumentalizuar deri në fund Qeverinë sikur të ishte kryeministër dhe kryediplomat i parë në vend. Qeveria 'Haradinaj' s'është për asgjë tjetër, përveçse për paga, tenderë, asfalte e zhvatje të pandalshme, me një fjalë është shndërruar në dinozaurë të buxhetit të shtetit. Qeveria 'Haradinaj', nën dirigjimin e Thaçit, është vdekja e shpresës së qytetareve, është goditja më e rëndë", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

ZINXHIRI SHTETËROR, I VARUR NGA NJË NJERI
"Është tërësisht duke u sjellë si mbret në këtë vend të varfër dhe të nënshtruar ndaj krimit dhe korrupsionit. Nuk ka fare rëndësi se sa ambasadorë apo konsuj vendosen nga ky apo ai subjekt politike a politikanë, kundruall përcaktimeve të qarta në raport me jashtë, e sidomos me shtetin okupues serb. Edhe brenda vendit kemi një varshmëri totale ndaj Hashim Thaçit. Të marrim psh. vetëm largimin e turqve nga Kosova. Shkarkohet ministri që nuk është i PDK-së së Thaçit e nuk shkarkohet drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni që është i Thaçit, dhe që kryesisht e bart barrën e kapjes dhe të ekstradimit në Turqi. Ky është një fakt domethënës. Po aq i rëndësishëm është fakti se si erdhi edhe Aleksandër Lumezi. Ky njeri ka kryer shumë vepra penale dhe mbahet në pushtet. Për fat të keq të Kosovës, është ekzistenca e këtyre njerëzve të degjeneruar dhe shumë të rrezikshëm për shtetin. Me këta shteti nuk ndërtohet", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova

QARRI: QEVERINË KUKULL, HASHIM THAÇI E KRIJOI ASHTU SIÇ DESHI, PËRMES TË DELEGUARIT E BASHKË -ORTAKUT TË TIJ NË SHUMË BIZNESE, BEHGJET PACOLLIT
Sipas analistit politik Gani Qarri, është fakt që Hashim Thaçi e udhëheq edhe Qeverinë e Kosovës, ndërsa udhëheqja e kësaj Qeverie, adresë të vendimmarrjes ka Presidencën, në zyrën ku Hashim Thaçit ndërmori fillimisht edhe nismën aventureske për shfuqizimin e Gjykatës Speciale,pas dështimit të të cilës, ai nisi pazaret me përmasa tragjike për territoret e vendit si dhe shumëçka tjetër të keqe për Kosovën. "Dosja kriminale e këtij koalicioni qeverisës sa vjen dhe trashet, e cila për vetëm një vit keqqeverisje po dëshmon se vendim pas vendimi dhe hap pas hapi, pavarësisht asaj se një parti minore mban formalisht pozitën kryeministrore, ai që qëndron mbi çdo gjë dhe vendos për gjithçka sërish është Hashim Thaçi dhe partia e tij, PDK-ja. Qeveri kukull, të cilën Hashim Thaçi e krijoi ashtu siç deshi, përmes të deleguarit e bashkë -ortakut të tij në shumë biznese, Behgjet Pacollit, të cilën edhe tash e keqpërdor dhe instrumentalizon sikur vetë Thaçi të ishte kryeministër i parë i saj. Për aq më tepër edhe njëvjetori i kabinetit "Haradinaj" u shënua në frymën e dështimit, skandaleve dhe keqpërdorimeve", u shpreh ai. "Qeveria, kryeministri formal i të cilës, pa marrë fare parasysh gjendjen e rëndë ekonomike, papunësinë galopante dhe varfërimin gjithnjë e më të madh të popullsisë, vendimin e parë që e mori ishte ai i shumëfishimit të rrogës së vet, duke mos lënë vend për shpresë as ndryshime pozitive", vlerësoi Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, Kosova ka një kryeministër sharlatan, që është i gatshëm jo vetëm të kërcënojë çdo ditë rivalët politikë, por edhe të ndërhyjë fizikisht, sidomos kur është në pyetje ndonjë diskutuese grua e moçme, siç veproi pa fije turpi as ndërgjegje njerëzore, duke lëshuar rrafsh përtokë edhe funksionin shtetëror të "kryeministrit" mu në ditën e 106- vjetorit historik të Lidhjes, në Prizren. "Po ky kryeministër, presidenti dhe kryeparlamentari, ulën kokat si pula të lagura, sapo në Kosovë hyri presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili mbajti fjalime në Ujman dhe Mitrovicë, ku u drejtohet me pyetje të rëndë provokuese pikërisht kësaj treshe të musketarëve; "Ku janë këtu kufijtë !?"-përderisa flet me krekosje,nën valimin e qindra flamujve të Serbisë në qytetin e minatorëve! Ky është treguesi më bindës i një ekzekutivi pa lider", ka potencuar Qarri."Papërgjegjësia totale e tyre dëshmohet edhe me deklaratat e Ramush Haradinajt, se kinse ai vetë paska vendosur të mos përzihet në punët e politikës së jashtme, përveç kur i vjen radha të emërojë ndonjë ambasador, ndërsa çdo vendim e merr Thaçi dhe për këtë kujdeset tash ministri i Thaçit në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli. Mbytja e çdo shprese për qytetarët, nga politikëbërësit e kriminalizuar, se edhe në Kosovë, një ditë do të bëhet më mirë, vërtetojnë hapur që kjo Qeveri dhe gjithë udhëheqja e degjeneruar e vendit, nuk janë këtu,për asgjë tjetër, përveçse për paga, tenderë, asfalte e zhvatje të pandalshme, të cilët me gjendjen kaotike që kanë shkaktuar në vend, po detyrojnë mijëra të rinj të emigrojnë, dhe ikin sa më larg Kosovës ku sundojnë pushtetarët më mafiozë në rajon,të cilët, siç duket, përfundimisht, po i japin goditjen më të rëndë perspektivës së shtetit tonë të pavarur dhe Republikës së Kosovës", tha Gani Qarri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)

20 orë e 46 minuta më parë
23/09/18