A është e gatshme Kosova për fluks të refugjatëve sirianë? (Video)

  • 30 August 2015 - 23:41
A është e gatshme Kosova për fluks të refugjatëve sirianë? (Video)

Vala e refugjatëve nga Lindja e Mesme ka gjasa me zbarku edhe në Kosovë. Për këtë, nga Ministria e Brendshme e UNHCR thonë se janë të gatshëm me u dalë në ndihmë.

Nga MPB është bërë e ditur se këtë vit janë pranuar vetëm 52 kërkesa për azil, 40 nga të cilat janë prej Sirisë.

Derisa para do ditëve në Samitin e Vjenës u dhanë tetë milionë euro që Ballkani ta përballojë këtë krizë, nuk dihet ende a ka me përfitu edhe Kosova nga kjo shumë.

MPB përmes postës elektronike ka treguar se deri tash Kosova nuk është prekur nga vala e emigrantëve, për faktin se nuk është destinacion i kësaj kategorie.

“Megjithatë, jemi duke u bërë gati për ta menaxhuar ndonjë fluks më të madh në të ardhmen. Sipas Ligjit për Azil, çdo i huaj që kërkon azil në Kosovë, jemi të obliguar me e pranu dhe akomodu në Qendrën e Azilit”, thuhet në përgjigje.

Ngjashëm mendon edhe shefi për Kosovën i UNHCR-së, Narasimha Rao: “Nuk mundemi me thënë se në Kosovë nuk ka me pasë refugjatë, por për këtë arsye jemi të përgatitur nëse këtu ndodh ndonjë valë emigrantësh”.

Ai ka shtuar se është në dijeni të planit emergjent të përgatitur nga MPB.

Qytetarët mendojnë se shumë shpejt edhe rrugët e Kosovës kanë me u mbushë me refugjatë. Shumë nga ata kanë bërë të ditur se kanë me ua hapë dyert atyre, raporton RrokumTV.