ZEQA: THAÇI, NË ROLIN E ZËDHËNËSIT TË VUÇIQIT, E FUTI NË AGJENDËN NDËRKOMBËTARE NDARJEN E KOSOVËS

  • 19 September 2018 - 15:08
ZEQA: THAÇI, NË ROLIN E ZËDHËNËSIT TË VUÇIQIT, E FUTI NË AGJENDËN NDËRKOMBËTARE NDARJEN E KOSOVËS
Sipas analistit Florim Zeqa, si pasojë e diplomatëve të dështuar, e kemi rënien në pikën zero të diplomacisë kosovare. Ai thotë se është pikërisht kështu për faktin se e kemi një president servil e të shantazhuar nga Serbia dhe një ministër të Jashtëm, i cili trupin e mban në Kosovë dhe mendjen në Moskë. "Përderisa presidenti Thaçi në rolin e zëdhënësit të Vuçiqit e futi në agjendën ndërkombëtare ndarjen e Kosovës, me ardhjen e Behgjet Pacollit u vulos mjerimi dhe vasaliteti i Kosovës ndaj Serbisë dhe Rusisë armike të vendit tonë. Si pasojë e dështimit të politikës së jashtme, përveç stopimit të njohjeve, kemi trendin e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së shtetit tonë. Në këto rrethana, anëtarësimi në BE dhe në OKB mbetën vetëm dëshirë e qytetarëve dhe iluzion i pushtetarëve. Lobimi personal i presidentit Thaçi për ndarje të Kosovës është duke u realizuar me paratë e taksapaguesve kosovarë dhe jo vetëm. Me paratë e qytetarëve, presidenti e nxori edhe librin vetëlavdërues pa asnjë vlerë historike dhe kombëtare", theksoi ai. "Megjithatë, fundi i dështakëve politikë po vjen. Shtetet më të fuqishme, si SHBA-ja, Gjermania, Anglia, etj., çdo ditë e më tepër janë duke ia bërë të qartë presidentit dështak të Kosovës pamundësinë e lëvizjes së kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. Në një të ardhme të afërt, edhe populli do të flasë me zë të lartë kundër vasalitetit të liderëve shtetërorë", tha Zeqa për "Kosova Sot".