Ali Ahmeti me eurodeputetët: Orientimi ynë i duhur është Perëndimi

  • 19 September 2018 - 15:08
Ali Ahmeti me eurodeputetët: Orientimi ynë i duhur është Perëndimi

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në Shkup u takua me deputetët e Parlamentit evropian, Alojz Peterle, EPP, Slloveni, Biljana Borzan S-D, Kroaci, Mihail Kramer Verts/ALE, Gjermani, Xhon Hauart S-D, Britani e Madhe, Tune Kelam EPP, Estoni, Ivana Maletiq EPP, Kroaci, Dhimitrios Papadimoulis GUE/NGL, Greqi, Marijana Petit EPP, Kroaci, Maria Spyraki EPP, Greqi, si dhe ambasadorin e BE në Maqedoni, Samuel Zhbogar. 

Ahmeti falënderoi mysafirët që vijnë në përkrahje në këto momente të rëndësishme për vendin tonë dhe që rreshtohen në përkrahje të së ardhmes euroatlantike të Maqedonisë.

Këto vizita vijnë pas sukseseve, si marrëveshja me Bulgarinë, reformat urgjente, rrumbullakësimin e marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjes me Greqinë, në prag të referendumit. 

Në referendum vendoset edhe për paqen, sigurinë, stabilitetin, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike, si dhe integrimin EuroAtlantik. 

Ahmeti nënvizoi se nga Marrëveshja e Prespës nuk ka të humbur, por ka vetëm fitimtar, sepse fitojnë qytetarët, fiton Maqedonia, Greqia, rajoni dhe Evropa. 

Eurodeputët njëzëri shprehën përkrahje për aspiratat EuroAtlantike të Maqedonisë dhe inkurajuan forcat vendore që të vijojnë në rrugën drejt Brukselit. 

Në përfundim, Ahmeti theksoi që historia në disa akte shpesh përsëritet dhe lufta e parë botërore, ndryshe nga ajo e dyta, akoma nuk ka përfunduar sepse pasojat e sotme në Evropën juglindore vijnë si rezultat i vendimeve në konferencën e Versajës, por edhe më herët nga Konferenca e Berlinit. 

Prandaj, në këto momente vendimtare, kur ne gjendemi në udhëkryq, duhet të orientohemi në drejtimin e duhur, në perendim. 

 

(Kosova Sot)