Thaçi vjen me një përgjigje direkte ndaj VV’së për Luginën e Preshevës

  • 20 September 2018 - 17:55
Thaçi vjen me një përgjigje direkte ndaj VV’së për Luginën e Preshevës

Thaçi i kthen përgjigje Vetëvendosjes që kërkoi marrëveshje me shkrim për çështjen e Luginës së Preshevës.

Presidenti, Hashim Thaçi, i është përgjigjur Vetëvendosjes, e cila sot përmes Liburn Aliut kërkoi që ta nënshkruaj marrëveshjen me përfaqësuesit e Luginës.

“Kosova duhet t’i mbështesë me veprime konkrete kërkesat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Unë i përgjigjem pozitivisht çdo mundësie për nënshkrimin e një marrëveshjeje me shkrim me përfaqësuesit politikë e legjitimë të Luginës së Preshevës, për bashkim me Kosovën. Gjatë tërë kësaj kohe kam kërkuar unitet politik në Kosovë për përkrahjen e kërkesës së tyre dhe dëshiroj që pas nënshkrimit tim, të gjitha subjektet politike parlamentare që u ka shkuar ajo kërkesë, t’i radhisin nënshkrimet si zotim për miratimin e rezolutës së iniciuar prej përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës, për bashkim me Kosovën”, ka shkruar Thaçi.

Liburn Aliu në profilin e tij në Facebook, kishte shkruar se Thaçi duhet të bëjë një marrëveshje me shkrim e të nënshkruar me përfaqësuesit politikë e legjitim të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën.

“Hashim Thaçi si president i Republikës së Kosovës duhet të bëjë marrëveshje me shkrim e të nënshkruar me përfaqësuesit politikë e legjitim të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën. Presidenti Thaçi ka bërë marrëveshje me Serbinë në të kaluarën dhe ka shprehur gatishmëri për marrëveshje të reja me të në të ardhmen”, ka shkruar Aliu.

Ai ka thënë se pas marrëveshjes me Serbinë në të kaluarën, radha është ta bëjë këtë marrëveshje me Luginën.

 

(Kosova Sot)