Gabimi në Atlasin gjeografik: Rritet sipërfaqja e Kosovës për rreth 10 mijë kilometra katror

  • 21 September 2018 - 17:53
Gabimi në Atlasin gjeografik: Rritet sipërfaqja e Kosovës për rreth 10 mijë kilometra katror

Me qindra mijëra nxënës shqiptarë do të mund të kenë mësuar gabimisht për sipërfaqen e Republikës së Kosovës. E gjithë kjo për faktin se në Atlasin gjeografik, ku ata mësojnë për gjeografinë e shteteve, sipërfaqja e Kosovës është e shkruar gabimisht. Në Ministrinë e Arsimit duket se as nuk kanë njohuri për një gabim të tillë. Derisa në Ministrinë e Arsimit në Maqedoni deklarojnë se ata mbajnë përgjegjësi edhe për problemet e trashëguara, si në rastin e Atlasit gjeografik, i cili është lëshuar për përdorim rreth 14 vite më parë.

Arti është nxënës i klasës së gjashtë, në një nga shkollat fillore në Podujevë. Prej të gjitha lëndëve që mëson në shkollë, ai më së shumti e do gjeografinë.

E me fillimin e vitit shkollor, atij dhe nxënësve të tjerë në klasë, arsimtari i kësaj lënde u kishte kërkuar që të kishin me vete atlaset e gjeografisë. Të gjithë kishin vepruar ashtu siç iu kishte kërkuar arsimtari, dhe i kishin marrë me vete.

E Arti sapo kishte marrë atlasin në dorë, menjëherë kishte nisur të lexonte për sipërfaqen e shteteve nga kureshtja.

Por, kur kishte ardhur tek sipërfaqja e Kosovës, ai kishte vërejtur se kishte një gabim.

Në atlasin që ai përdorte, thuhej se sipërfaqja e Kosovës ishte 20 mijë e 887 kilometra katrorë, e jo 10 mijë e 908 kilometra katrorë, siç e kishte mësuar ai nga arsimtari i tij.

Tani, kushdo që e pyet për sipërfaqen e Kosovës, ai ka një pyetje interesante.

“A me ta tregu qysh na e ka shpjegu arsimtari, apo qysh është në atlasin e gjeografisë?”,pyet ai duke qeshur.

Të njëjtën dilemë sikurse Arti, e kanë të gjithë shokët e shoqet e tij.

Për sipërfaqen e Republikës së Kosovës do të mund të kenë mësuar gabimisht me mijëra nxënës nëpër shkollat fillore dhe të mesme në vendet shqipfolëse.

E gjithë kjo për faktin se në Atlasin gjeografik të botuar nga TRIMAKS, i cili është lëshuar për përdorim me vendim të Ministrisë së Arsimit në Maqedoni, ku ata mësojnë për gjeografinë e shteteve, sipërfaqja e Republikës së Kosovës është e shkruar gabimisht. Në këtë Atlas, sipërfaqja e vendit është rritur për rreth 10 mijë kilometra katrorë më shumë.

Sipas Portalit Shtetëror, sipërfaqja e Republikës së Kosovës është 10 mijë e 908 kilometra katrorë, derisa në këtë atlas figuron se sipërfaqja e vendit është 20 mijë e 887 kilometra katrorë.

 

(Kosova Sot)