Zeqa: Hashim Thaçi drejt përfundimit të karrierës politike,duke i shkaktuar edhe humbje fatale shtetit të Kosovës

  • 22 September 2018 - 13:19
Zeqa: Hashim Thaçi drejt përfundimit të karrierës politike,duke i shkaktuar edhe humbje fatale shtetit të Kosovës
Sipas analistit Florim Zeqa, është bërë për keqardhje degradimi i institucionit të presidentit të shtetit."Duke e parë si të pamundur votimin në Kuvend të marrëveshjeve me Vuçiqin, Hashim Thaçi i është vërsulur Gjykatës Kushtetuese, duke e provokuar rendin kushtetues në vend me pyetje djallëzore, duke i kërkuar këtij institucioni që t`ia heqë qafe Kuvendin për marrëveshjet që ai do t'i bëjë me Brukselin dhe Serbinë. Po ashtu, është për keqardhje qasja e partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, që nuk po i marrin të gjitha masat për ta ruajtur sistemin demokratik të Republikës Parlamentare nga çdo formë e autoritarizmit e despotizmit të individit të papërgjegjshëm, siç po manifestohet pandërprerë nga presidenti Thaçi", vlerësoi ai. Sipas Zeqës, nga aventurat e presidentit Thaçi dhe papërgjegjësia e skenës politike në përgjithësi Kosova po rrezikon të hyjë në një cikël të ri dhune e tensionesh, protestash e trazirash, vetëm e vetëm që Thaçi të shfaqet sërish si "shpëtimtari" i kombit, siç di ai të inskenojë dhe mashtrojë popullin, edhe pse është kalbur në miliarda e tash mendon si të dalë i palagur nga vorbulla e korrupsionit, pa u përballur me drejtësinë për krimet e veta sa ishte kryeministër e tani president i katapultuar nga një marrëveshje private."Megjithatë, kësaj radhe Hashim Thaçi do të tradhtohet keq në parashikimet e tij, për shkak se dita-ditës është duke mbetur më i vetmuar në skenën politike, duke rënë teposhtë në stilin e "rënies së lirë" drejt përfundimit të karrierës politike, duke i shkaktuar edhe humbjen fatale shtetit të Kosovës", tha Zeqa për "Kosova Sot".