Politikanët injorantë e varrosën arsimin

  • 23 September 2018 - 07:50
Politikanët injorantë e varrosën arsimin

TË PADIJSHMIT PO UDHËHEQIN SEKTORIN KRYESOR NË VEND

Të gjitha qeveritë e pasluftës, pa asnjë dallim, e ngulfatën arsimin, duke e shndërruar në makinë prodhimi analfabetësh, duke e degraduar arsimin në këtë gjendje të rëndë. Sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, kjo edhe është njëra prej arsyeve se kjo klasë politike, që po na udhëheq për 19 vjet me radhë, realisht vetë janë gjysmë-analfabetë, të cilët kanë edhe probleme bazike me drejtshkrimin. Njohësit e arsimit thonë se gjysmë-analfabetët e klasës politike në Kosovë, kryesisht u fokusuan në tenderë për ndërtimin e shkollave, duke zhvatur buxhetin rëndë dhe qëllimshëm e degraduan arsimin në Kosovë. Me këtë model shkatërrimtar qeverisës, politikanët mafiozë- profesorë, u bënë shkencëtarë, akademikë, doktorë shkencash, pa kurrfarë merite, pa asnjë lloj baze, duke korruptuar komisionet, duke blerë titujt, duke shantazhuar e duke abuzuar me ligjin. mEksperti i arsimit Halim Hyseni, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Kosova nuk ka një sistem të integruar të arsimit. "Në Kosovë veprojnë dy sisteme të edukimit dhe të arsimit të bazuara në identitete etnike. Fjalën e kam për sistemin e edukimit dhe të arsimit të Kosovës dhe të Serbisë. Ky është një problem i madh që paraqet rrezik të madh për paqen dhe stabilitetin në rajon. E dyta, Kosova nuk ka sistem të edukimit, por ka vetëm sistem të arsimit, një segment të sistemit të arsimit", u shpreh ai. 

Pasoja fatale nga degradimi

Sipas Hysenit, problemi është më i thellë, sepse liderët e kaluar nga viti 2000 e deri më sot jo vetëm që kanë qenë vetë inkopetentë, por ata për t'i realizuar qëllimet e tyre fisnore, familjare e personale kanë mbështetur gjatë gjithë kohës forca inkompetente të ndryshimit, të cilat zhvillimit të sistemi të arsimit i kanë dhënë drejtim të gabuar. "Përfaqësuesja e BE-së, zonja Apostollova pati të drejtë kur tha se sistemi i arsimit nga Kosova duhet të fillojë nga zeroja. Këtë e tha me të drejtë,por propozimi i saj për drejtimin e ndryshimeve ishte tërësisht i gabuar, sepse ajo metodologji, të cilën ajo e propozoi, na çon në të njëjtin rezultat. Asaj në Komisionin Parlamentar për Arsim të Kuvendit të Kosovës askush nuk i kundërshtoi. Ndërsa në një mbledhje po të këtij komisioni, unë e pata dhënë po të njëjtin vlerësim. Por, e keqja është se mua m'u vërsul një patriot injorant duke, shitur patriotizëm të rrejshëm, duke e lavdëruar arsimin e Kosovës", vijoi më tej ai. "Pasojat e këtij arsimit do të jenë apokaliptike për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj, sepse ky arsim nuk i përgatit gjeneratat e reja që të mësojnë gjatë gjithë jetës dhe të prodhojnë dijet të reja - t'i fitojnë shkathtësitë jetësore të shekullit XXI - që të jenë në gjendje që të konkurrojnë në tregun lokal, vendor dhe global të punës - që të jenë potentë dhe të zotët që me kreativitet dhe produktivitet të ndërveprojnë në natyrë dhe në shoqëri - që të kenë aftësitë dhe shpejtësinë që të ndryshojnë veten dhe mjedisin e tyre - që të duan vendin dhe të jenë krenarë me vendin dhe kombin të cilit i takojnë- cilësia e dobët e edukimit dhe arsimit i ka dhënë godite të rënda identitetit kombëtar - ngase janë shifrat prej 78 për qind të nxënësve që në Testin e PISA-s kanë qenë analfabetë funksionalë, më keq se gjysmëanalfabetë, sepse këta lexim- shkrimin nuk mund ta përdorin për t'u integruar me sukses në shoqëri", shpjegoi Hyseni.

Po blihen titujt dhe diplomat

Analisti Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se krahas gropës që shkaktoi në arsim keqmenaxhimi i tij, u instalua një sistem nepotik. "Arsimi ka një lidhje të ngushtë me prioritetet ekonomike, pasi përcaktimi i degëve si shtylla të ekonomisë dhe zhvillimin e tyre do të përcaktonte në të njëjtën kohë edhe degët e arsimit që duhen zhvilluar, rritur apo dhënë prioritet", u shpreh ai. "Problem tjetër është cilësia e studentëve dhe e diplomave, që merren titujt shkencorë të falsifikuar apo të blerë nga tenderomania, ku si bazik e kanë drejtshkrimin, tani kjo kastë e gjysmë- analfabetëve po e dirigjon shtetin duke e abuzuar tmerrësisht dhe duke e degraduar arsimin. Vetëm shikoni se çfarë zëvendësministrash kemi në MASHT dhe këshilltarë që është një dhembje e madhe për shoqërinë", vlerësoi Hertica. Veç analistëve të kësaj fushe, edhe qytetarët tanë janë tejet të zhgënjyer me cilësinë e dobët në arsimin e pasluftës në Kosovë. Jetullah Krasniqi nga Prishtina, dikur mësimdhënës në këtë komunë dhe tash pensionist, për gazetën " Kosova Sot" tha se arsimi pas lufte nuk shkoi përpara, por degradoi. "Në universitetet publike dhe kolegjet private në opinion flitet se shumicë nga studentët po i mbarojnë provimet pa hyrë fare në provim dhe duke i blerë diplomat dhe titujt me para, ndonëse unë nuk kam prova. Veçanërisht po flitet se kjo po bëhet në Shqipëri dhe e them lirshëm se ato nuk janë kuadro, andaj edhe kemi nevojë imediate për reforma arsimore autoktone", vlerësoi ai. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina Hetem Maqedonci, për gazetën "Kosova Sot', tha se fajtorë për këtë gjendje të mjerë janë të gjithë ish-ministrat e deritashëm të Arsimit. "Kosova ka nevoja për reforma imediate në arsim", theksoi ai. Sipas Maqedoncit, në Universitete publike dhe Kolegje private po blihen diplomat dhe titujt shkencorë.

 

(Kosova Sot)