Presidenti Thaçi akuzohet si urdhërdhënës i vrasjeve të pasluftës

  • 24 September 2018 - 07:24
Presidenti Thaçi akuzohet si urdhërdhënës i vrasjeve të pasluftës
Zeqa:Hashim Thaçi po i shpërndan dhjetëra miliona euro të popullit tek kompanitë lobuese për të ndarë Kosovën, e si kundërshpërblim të shpëtojë nga Gjykata Speciale

"Vetë ideja e Thaçit për shkëmbim territoresh erdhi pasi që Thaçin e ka kapur paniku se emri i tij mund të jetë në listën e të akuzuarve të Speciales, e me korrigjimin e kufijve po mundohet ta tërheqë vëmendjen nga ata. Idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh populli i Kosovës mund ta shikojë si episod të dytë të asaj që ndodhi në fund të vitit 2017, me tentimin për zhbërjen e Gjykatës Speciale, dhe gjithë këtë presidenti Thaçi po e bën për shkak se ndihet i rrezikuar nga kjo gjykatë dhe kjo gjë e bën të qartë faktin se përse deri tani presidenti ka pritur 20 vjet që të nxisë çështjen e Luginës", thotë politologia Liridonë Bislimi për gazetën "Kosova Sot".

Analistët politikë dhe qytetarët e anketuar nga gazeta kanë reaguar pas akuzave të fundit publike që janë adresuar në drejtim të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, të cilin e përfshijnë në disa vrasje politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Sipas analistëve, këto akuza po ia rrënojnë akoma më shumë autoritetin dhe personalitetin e Hashim Thaçit, derisa ato janë publike dhe nuk ka reagim ndaj tyre nga ana e presidentit, kurse gishtin kah presidenti e ka drejtuar vetë ishdeputeti i LDK-së, Gani Geci, dhe djali i ish-zyrtarit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj. Madje ata kanë thënë hapur se Thaçi ka dhënë urdhra për vrasjet e pasluftës dhe se me të do të takohen në Gjykatën Speciale. Analistët theksojnë se në opinion po forcohet akoma më shumë dyshimi se janë pikërisht këto raste dhe shumë të tjera si këto, që janë në Gjykatën Speciale, arsyet që po e shtyjnë Thaçin me çdo kusht t`ia mundësojë Aleksandër Vuçiqit ndarjen e Kosovës, të cilën ai po e quan "shkëmbim të territoreve" dhe "korrigjim të kufijve", është arsyeja se pse Hashim Thaçi po e implementon me shumë zell projektin serb për korrigjim kufijsh, gjegjësisht ndarje të Kosovës, pasi që Thaçin e ka kapur paniku se emri i tij mund të jetë në listën e të akuzuarve të Speciales për krime. 

Kelmendi: Drejtësia e pavarur të nisë hetimet
Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se është koha që drejtësia e pavarur të nisë hetimet dhe të mos lërë hapësirë abuzimi e manipulimi me këto raste. "Lidhur me çështjen e paraqitur, duke u mbështetur në pamundësinë e gjetjes së të vërtetës, pasi që nuk ka hetime dhe as prova të domosdoshme është çështje e hetimeve zyrtare dhe e gjykatës. Tema për nga natyra bart me vete shumë rreziqe jo vetëm në kuptimin e përgjegjësisë penale, por edhe të së drejtës zakonore, dhe kjo tregon peshën e madhe që ka. Ajo mund të shkojë edhe deri te vetë gjakmarrja. Prandaj, u takon organeve kompetente të merren me këtë dhe ta thonë fjalën e tyre. Ajo që duhet theksuar është fakti se askush nuk duhet të jetë i pakapshëm për gjykatën. Këtu nuk kanë rëndësi pozita në shtet, baza familjare dhe gjendja ekonomike. Për krimet e tilla nuk ka pardon", theksoi Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

ZEQA: THAÇI U KA DHËNË MILIONA EURO AGJENTËVE TË UBD-SË, TË CILËT KANË EDHE TELEVIZIONE NË KOSOVË
Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se këto akuza publike që po i bëhen tani presidentit Thaçi, duke ngritur dyshime se ai është drejtpërdrejt i involvuar në vrasjet politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë, në cilësinë e urdhërdhënësit, do ta zbehin akoma më shumë kredibilitetin e tij personal prej politikanit dhe liderit shtetëror, por gjithsesi kërkohet që ai vetë të deklarohet kurse drejtësia të mos hesht, por të merret seriozisht me këto të thëna publike - akuza. "Sigurisht se do ta rrënojnë akoma më shumë autoritetin dhe personalitetin e presidentit Hashim Thaçi akuzat publike të ditëve të fundit për vrasjet e pasluftës, siç ishte akuza e Gani Gecit për urdhrin e dhënies së vrasjeve të pasluftës dhe akuza e djalit të zyrtarit të vrarë të LDK-së, Shpëtim Hajdaraj, ndaj Hashim Thaçit. Sikurse njëri, Gani Geci, ashtu edhe tjetri, Shpëtim Hajdaraj, deklaruan publikisht se Thaçi ka dhënë urdhra për vrasjet e pasluftës dhe se me të do të takohen në Gjykatën Speciale. Nga pafuqia e përballjes ndaj akuzave të sipërpërmendura, Hashim Thaçi ka zgjedhur heshtjen si shpëtim, edhe pse Gani Geci po e akuzon Hashim Thaçin se është urdhërdhënës për vrasjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit, gjatë luftës në Tiranë dhe se duke u munduar t'i ikë Gjykatës Speciale po mundohet kinse t'i nderojë heronjtë! Akuza tjetër publike vjen nga djali i Smajl Hajdarajt, Shpëtimi, i cili si të dyshuar kryesor për urdhër dhënien e vrasjes së babait të tij, ish-deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, i vrarë para hyrjes së banesës së tij në Pejë, në vitin 2002, e akuzon drejtpërdrejt Hashim Thaçin. Edhe po të mos ketë akuza të tjera ndaj Hashim Thaçit, këto do të jenë barrë e rëndë dhe sfida të papërballueshme të presidentit për t'u përballur në Gjykatën Speciale. Mbase këto dhe shumë raste të tjera si këto, që janë të deponuara në Gjykatën Speciale, janë arsyet që po e shtyjnë Thaçin me çdo kusht t`ia mundësojë Aleksandër Vuçiqit ndarjen e Kosovës, të cilën ai po e quan "shkëmbim të territoreve" dhe "korrigjim të kufijve. Për t'i ikur kësaj përballje, Hashim Thaçi ka dhënë miliona euro dhe do t'ua dhurojë edhe qindra miliona të tjerë agjentëve të UBD-së, të cilët kanë edhe televizione në Kosovë, e që po propagandojnë fuqishëm në kundërshtim me kushtetutën pro ndarjes së Kosovës, për ta shpëtuar Hashimin e tyre nga Specialja, por edhe duke mbushur kontot e tyre me miliona të buxhetit të shtetit. Në këtë rast, përgjegjësia bie dhe mbi Kuvendin, përkatësisht deputetët e kësaj legjislature, që nuk po kërkojnë llogari për dhjetëra miliona euro të popullit që Hashim Thaçi po i shpërndan tek kompanitë lobuese për të ndarë Kosovën në shkelje të Kushtetutës, e si kundërshpërblim të shpëtojë nga Gjykata Speciale", theksoi analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

GURAZIU: THAÇI PO AKUZOHET SE KA DHËNË URDHRA PËR VRASJET E PASLUFTËS
Analisti Ragip Guraziu thotë se tani, kur akuzuesit po dalin hapur para opinionit dhe po denoncojnë për vrasjet e pasluftës, del që gishti i madh i Hashim Thaçit po del shumë problematik. "Tani në shesh na dolën edhe disa gishtërinj të tjerë, si ai i ish-deputetit nga radhët e LDK-së, Gani Gecit, që thuhet se po e drejton gishtin ndaj Hashim Thaçit për vrasjet e pasluftës dhe po e akuzon të parin e vendit edhe djali i ish-zyrtarit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj. Por kur filluan të tjerët me gishta,Thaçi mbeti në heshtje totale. Kjo do ta rrënojnë akoma më shumë autoritetin dhe personalitetin e Hashim Thaçit, akuzat publike për vrasjet e pasluftës. Tani po e drejton gishtin Gani Geci ndaj Hashim Thaçit për vrasjet e pasluftës dhe po e akuzon po ashtu të parin e vendit edhe djali i ish-zyrtarit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj, dhe si po deklarojnë të dy këta Thaçi ka dhënë urdhra për vrasjet e pasluftës dhe se me të do të takohen në Gjykatën Speciale. Edhe pse po drejtohen akuza të rënda ndaj tij, vetë Thaçi ka zgjedhur të heshtë, megjithëse iu ndërpre fjalimi nga njëri prej pjesëmarrësve, i cili e pyeti presidentin se kush ishte personi që e vrau heroin Ahmet Krasniqi. Kjo heshtje flet shumë dhe krijon shumë bazë për të dyshuar derisa Geci dhe të tjerët akuzojnë hapur para medieve Hashim Thaçin se është urdhërdhënës për vrasjen e ish-ministrit të mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, gjatë luftës në Tiranë dhe se duke u munduar t'i ikë Gjykatës Speciale po mundohet kinse t'i nderojë heronjtë. Pesha e dyshimit bëhet akoma më e rëndë kur presidenti akuzohet si i dyshuari kryesor edhe për vrasjen e ish-deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, i cili ishte vrarë para hyrjes së banesës së tij në Pejë, në vitin 2002, e që gishtin drejt presidentit për vrasjen e zyrtarit të LDK-së, e ka drejtuar vetë djali i Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj.Tani me të drejtë po krijohet një bindje edhe në opinion se mund të jenë pikërisht këto raste dhe shumë të tjera si këto, që janë në Gjykatën Speciale, arsyet që po e shtyjnë Thaçin me çdo kusht t`ia mundësojë Aleksandër Vuçiqit ndarjen e Kosovës, të cilën ai po e quan 'shkëmbim të territoreve' dhe 'korrigjim të kufijve'", theksoi analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

BISLIMI: IDEJA E THAÇIT PËR SHKËMBIM TERRITORESH ERDHI NGA PANIKU SE DO TË JETË I AKUZUAR NGA GJYKATA SPECIALE Sipas politologes Liridona Bislimi, presidenti duhet të flasë, të sqarohet, sepse me të vërtetë akuzat janë serioze, të cilat akoma më shumë po e ngjallin disponimin kundër tij tani, në prag të protestave që pritet të organizohen në fund të javës."Pjesëmarrja e Hashim Thaçit në ceremoninë e rivarrimit të kolonel Ahmet Krasniqit bëri që të drejtohen shumë akuza të rënda drejt tij. Madje, atij edhe iu ndërpre fjalimi nga njëri prej pjesëmarrësve, i cili e pyeti presidentin se kush ishte personi që vrau heroin Ahmet Krasniqi, e ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, ishte ai që kësaj pyetje zgjodhi t'i përgjigjej. Presidenti Thaçi ka marrë disa akuza publike shumë të rënda nga Gani Geci, i cili ka thënë se Hashim Thaçi është urdhërdhënës për vrasjen e Ahmet Krasniqit, duke u munduar t'i ikë Gjykatës Speciale po mundohet t'i nderojë heronjtë, e për këtë ish-deputeti ka thënë se do të takohet me Thaçin në Gjykatën Speciale. Akuzat drejtuar presidentit vazhduan jo vetëm nga Gani Geci. Djali i Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj, ka akuzuar të parin e vendit, Hashim Thaçin, për vrasjen e babait të tij dhe jo vetëm. Hajdaraj ka deklaruar se Thaçi është i dyshuari kryesor për vrasjen e shumë kundërshtarëve politikë, ku e ka përmendur edhe rastin e babait të tij. Përveç kësaj, Hajdaraj i ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e thirrur nga Lëvizja 'Vetëvendosje' kundër presidentit Thaçi. Pjesës së atyre që po e akuzojnë presidentin Thaçi si vrasës iu bashkua edhe Esat Geci, vëllai i Gani Gecit, i cili ka thënë se Hashim Thaçi është përgjegjës për të gjitha vrasjet politike që ndodhën pasluftës. Përkundër këtij fakti që presidenti është i rrethuar me akuza të shumta, ai ka zgjedhur heshtjen para përgjigjes për këto akuza. Ai po vazhdon që të lobojë për idenë e tij, që Presheva t'i bashkohet Kosovës, derisa për Gjykatën Speciale që nga iniciativa për shfuqizimin e saj nuk e ka thënë as edhe një fjalë. Ndërsa vetë ideja e Thaçit për shkëmbim territoresh erdhi pasi që Thaçin e ka kapur paniku se emri i tij mund të jetë në listën e të akuzuarve të Speciales, e me korrigjimin e kufijve po mundohet ta tërheqë vëmendjen nga to. Idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh populli i Kosovës mund ta shikojë si episod të dytë të asaj që ndodhi në fund të vitit 2017 me tentimin për zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe gjithë këtë presidenti Thaçi po e bën për shkak se ndihet i rrezikuar nga kjo gjykatë dhe kjo gjë e bën të qartë faktin se përse deri tani presidenti ka pritur 20 vjet që të nxisë çështjen e Luginës. Përfundimisht Republikës së Kosovës nuk i mjafton vetëm rezistenca parlamentare, por duhet edhe mobilizim popullor për të ndaluar presidentin që të negociojë kufijtë me Serbinë, si dhe të japin mesazhin që populli nuk pranon të negociohen territori dhe fati i mbarë kombit, e aq më shumë jo nga Thaçi", theksoi Liridonë Bislimi për "Kosova Sot".

BADALLAJ: THAÇI DO TË PËRBALLET EDHE ME NJË BJESHKË VRASJESH GJATË DHE PAS LUFTËS

Analisti politik Reshat Badallaj thekson se Hashim Thaçi pa më të voglin dyshim do të përballet edhe me një bjeshkë vrasjesh gjatë luftës dhe pas luftës. "Personaliteti i Hashim Thaçit është në buzë të vdekjes, këtë tashmë e ka kuptuar edhe vetë ai, të jeni të bindur, por ky ka turbulluar ujin diku tjetër për të larguar vëmendjen qëllimisht. Për të gjitha këto vrasje është e pamundur të mos ketë dijeni kreu i atëhershëm i SHIK-ut, natyrisht edhe Hashim Thaçi, që pritet të zbardhen, por është vështirë të zbardhen, sepse më besoni se edhe këtu është e përzier dhe atë thellë politika. Mos harroni se ca gjëra nuk do të zbardhen qëllimisht, sepse hesapi do të dalë gjizë... Përse e them këtë se vërtet ka pasur tradhtarë, por do të ndikojë shumë keq në popullatën tonë. Këtë e them se publikisht kam thënë se do të vjen koha që do të dëgjohen lidhjet me 'tokivoki', duke biseduar me ushtarakët serbo-çetnikë duke pyetur: "zdravo baxho...kako je raxho..." dhe shumë gjëra të tjera se dikush merret vetëm me fjale dhe jo me fakte", theksoi analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot".

SALIHAJ: HASHIM THAÇI ËSHTË FRYMËZUESI, IDEATORI DHE URDHËRDHËNËSI I VRASJEVE TË FIGURAVE TË SHQUARA
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, thekson se edhe në akademinë e organizuar me rastin e rivarrimit të kolonel Ahmet Krasniqit, Hashim Thaçi nuk ka pasur aspak sjellje serioze prej burrështetasit në nderim të Ahmet Krasniqit, madje nuk është dashur as të lejohet të marrë pjesë e të flasë aty, sepse sipas Salihajt ai është ideatori i atyre vrasjeve. "Është cinike dhe e patolerueshme që Hashim Thaçi të flasë në akademinë përkujtimore me rastin e rivarrimit të eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit. Kjo ishte fyerja më e madhe që iu bë personalitetit dhe figurës së Ahmet Krasniqit. Hashim Thaçi është frymëzuesi, ideatori dhe urdhërdhënësi i vrasjeve të figurave të shquara të LDKsë në Kosovë. Ai duhet të dalë para gjykatës dhe të përgjigjet për krimet që ka bërë, e jo të lejohet të flasë nëpër akademi përkujtimore të viktimave të tij. Ishte tepër gabim që iu dha mundësia të dalë e të flasë dhe të ndajë medalje për viktimën, për të cilën është përgjegjësi kryesor ai vetë. Kushdo që ia krijoi atij këtë mundësi ka bërë një gabim të madh e të pafalshëm", theksoi ish-deputeti Adem Salihaj për "Kosova Sot".

 Qytetarët e anketuar nga gazeta kanë deklaruar se me këtë heshtje të presidentit po thellohen akoma më shumë dyshimet lidhur me akuzat publike
. Qytetari Adnan Mehmeti dëshiron të besojë se sado e vonuar drejtësia lidhur me këtë temë serioze një ditë ta thotë fjalën e vet, por e mira e së mirës është që edhe presidenti Thaçi tani të mos heshtë, të deklarohet për atë që i ngarkohet si akuza publike."Sipas asaj që thuhet se drejtësia vonon por nuk harron, do të duhej që të zbardheshin këto çështje, mirëpo se sa ka vullnet dhe gatishmëri që këto të zbardhen varet nga drejtësia, e cila e dimë që te ne, për fat të keq, është e kapur, e kontrolluar rreptësisht, prandaj jam shumë skeptik sa i përket asaj se kush i ka bërë vrasjet politike, që ndodhën pas luftës. Mendoj që ideator dhe nxitës i këtyre vrasjeve është shteti i Serbisë", është shprehur ai për "Kosova Sot". Një thyerje të heshtjes përballë këtyre akuzave e kërkon edhe qytetari Hamid Sylejmani, i cili është nga komuna e Bujanocit, e që i ka dëgjuar edhe këto akuzat e fundit në adresë të Hashim Thaçit. "Ai duhet ta japë një përgjigje mbi këto akuza, duhet t'i kundërpërgjigjet akuzuesit se çka po flet ai, çka po thotë ai, është apo nuk është e vërtetë. Nëse ai nuk deklarohet dhe nuk i mohon këto akuza vetvetiu nënkuptohet se ai i paska bërë disa gjëra të tilla", është shprehur Hamid Sylejmani për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)