Thaçi i kërkon Jordanisë ndihmë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, lobim për njohje të reja

  • 25 September 2018 - 19:30
Thaçi i kërkon Jordanisë ndihmë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, lobim për njohje të reja

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po udhëheq delegacionin e Kosovës në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, ka takuar sot edhe mbretin Abdullah II të Jordanisë.

Me këtë rast, presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës ndaj Jordanisë për mbështetjen e vazhdueshme për forcimin e shtetësisë së Kosovës, përmes shtimit të numrit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, bën të ditur një njoftim nga Presidenca.

Sipas njoftimit, Presidenti Thaçi dhe mbreti Abdullah II i Jordanisë kanë biseduar edhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar, bashkëpunimit në fushën e sigurisë si dhe rritjes së bashkëpunimit në fusha tjera.

“Kosova ka nevojë për mbështetjen e Jordanisë për të jetësuar anëtarësimin në Interpol, por gjithashtu për të lobuar te vendet të ndryshme për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën", ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër, mbreti Abdullah II i Jordanisë ka theksuar se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Jordanisë për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, thekson njoftimi.

 

(Kosova Sot)