Pacolli si ‘bombë e kurdisur’, u përfshi në tre incidente brenda ditës në Nju Jork

  • 26 September 2018 - 12:27
Pacolli si ‘bombë e kurdisur’, u përfshi në tre incidente brenda ditës në Nju Jork

I doli si nga qielli Trumpit vetëm për t’ia zgjatur dorën; i ndërhyri kryeministres serbe Ana Brnabiq, derisa kjo po jepte intervistë. Sipas një postimi të kryeministrit të Marokos, kuptuam se Pacolli e ka shqetësuar atë në Nju Jork. Ndërsa, kanë mbetur edhe disa ditë, ku kryediplomati ynë ka mundësinë të dëshmohet edhe më shumë.

Sa herë që udhëheqësit shtetërorë nisen si një delegacion në takime jashtë vendit, qytetarët mund të presin shumë nga ta – kuptohet diçka që i bënë për të qeshur. 

Deri tani Presidenti Hashim Thaçi mund të konsiderohej i pari në argëtimin e qytetarëve me skena qesharake, kur ai takohej me zyrtarë të huaj, në këtë fushë po e sfidon seriozisht zv.kryeministri Behgjet Pacolli.

Kryediplomatit Behgjet Pacollit i kanë mjaftuar pak orë në korridoret e ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për të qenë protagonist i skenave të siktletshme.

Mbrëmë ai shkroi në Facebook se kishte kënaqësi që u takua “për herë të dytë” me Presidentin e SHBA’së, Donald Trump. Por, videoja që e shoqëronte këtë mbishkrim dëshmonte të kundërtën.

Pacolli nuk e kishte takuar Trumpin, por i doli në pritë të parit të SHBA’së, për t’i shtrënguar dorën.

Sic duket, Pacolli, i deklaruar si adhurues i Trumpit, e mori vesh se e teproi duke e quajtur takim atë moment dhe e përmirësoi postimin duke shkruar se bëhej fjalë vec për shtrëngim dore. 

“Kënaqësi të ja shtërngoj dorën Presidentit Donald Trump!!!”, dha versionin e fundit Pacolli, ndërsa edhe ka prerë pjesën e videos, ku dukej qartë se bëri disa përpjekje për arritur deri te dora e Trumpit.

Megjithatë, videoja e plotë e zv.kryeministrit u bë virale dhe tashmë po bëheshin interpretime qesharake, duke përdorur atë.

Nata nuk po mbyllej vetëm me këtë episod të kryedipomatit. Pacolli publikonte takime me zyrtarë nga vende të ndryshme të botës që gjenden në Nju Jork, në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, por më shumë lajme po krijonte me sjelljet e tij.

Zv.kryeministri Pacolli shkroi mbrëmë në Tëitter se pati takim të frytshëm me delegacionin e Marokut në të udhëhequr nga kryeministri i këtij shteti.

“Diskutim produktiv me kryeministrin maroken, Saadeddine Othmani për raportet Kosovë-Marok dhe për vullnetin tonë për stabilizimin e këtyre raporteve diplomatike, ashtu që të mund të bashkëpunojmë në të gjitha sferat për interes të përbashkët”, ka shkruar Pacolli.

Por, Kryeministri i Marokut, Saadeddine Othmani,e demantoi keq Pacollin. Ai shkroi në Tëitter se derisa po qëndronte me delegacionin e tij në Nju Jork, një burrë nga Kosova iu imponua. Bëhej fjalë për ‘burrështetasin’ Behgjet Pacolli.

 “Gjatë pushimit me delegacionin tim një zotëri nga Kosova na u imponua me prezencën e tij. Ne nuk kemi diskutuar marrëdhëniet bilaterale as vazhdimin e kontakteve”, ka shkruar kryeministri maroken. 

Ai tutje tregoi se shteti i tij nuk ndryshon qëndrim ndaj Kosovës, as pas imponimit të Pacollit.

“Pozita e Marokut është e njëjtë. Maroku nuk e njeh Kosovën dhe nuk ka marrëveshje me të”.

Dhe krejt në fund skenë pak a shumë e njëjtë ishte ai me kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq. Derisa kjo e fundit ishte duke dhënë intervistë për medie, Pacolli i ndërhyri asaj.

Bërnabiq ia zgjati dorën duke e pyetur “kush të ka dhënë leje të vini këtu”.

 

(Kosova Sot)