Rektori ngushëllon për vdekjen e studentit Leutrim Gjini

  • 26 September 2018 - 13:28
Rektori ngushëllon për vdekjen e studentit Leutrim Gjini

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së studentit Leutrim Gjini nga Suhareka i cili vdiq pasditen e së hënës.

Dema ka shkruar se humbja e studentit të Fakultetit të Mjekësisë, Leutrim Gjinit është humbje e madhe, që solli dëshpërim dhe dhimbje.

Telegrami i ngushëllimit:

E nderuara familje Gjini,

Ndonëse lajmet e vdekjes janë çdo herë të ftohta, si vetë ajo, humbja e studentit të Fakultetit të Mjekësisë, Leutrim Gjinit, për ne ishte një humbje mbi humbjet e tjera, humbje që solli dëshpërim dhe dhimbje të pashoq.

Të dashur familjarë, shokë, kolegë dhe profesorë të Leutrimit, më lejoni që në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit tuaj.

Sipas profesorëve të tij, Leutrimi ishte njëri ndër studentët e dalluar të Fakultetit të Mjekësisë, prej këtej, edhe njëri ndër më të mirët në Universitetin tonë. Leutrimi i zellshëm dhe inteligjent do të jetojë gjatë në kujtesën e profesorëve dhe të miqve të tij, teksa mungesa e tij do të vazhdojë të jetë prezent tek komuniteti universitar.

Në emër të organeve drejtuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta!

I paharruar qoftë kujtimi për të!

 

(Kosova Sot)